USHT forcon bashkëpunimin me sektorin privat - tetova1.com

USHT forcon bashkëpunimin me sektorin privat


usht bisnes
Kategoria: Arsim

Postuar më: Wed, Mar 18, 2015





Universiteti Shtetëror i Tetovës sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me mbi 20 kompani të sektorit privat në vendin tonë. Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti theksoi se USHT gjithmonë ka qenë i gatshëm për të forcuar bashkëpunimin me sektorin privat. “Kam kënaqësinë që para Jush dhe mbarë opinionit të konfirmoj për të satën herë me radhë gatishmërinë tonë institucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me sektorin privat që vepron në vendin tonë. Në frymën të këtij përcaktimi serioz, Universiteti Shtetëror i Tetovës nënshkroi sot marrëveshje për bashkëpunim me ndërmarrjet më prestigjioze në vendin tonë, siç janë: Agjencia për përkrahjen e ndërmarrjeve, Euro Macedonian Knowledge and Innovation Center, Knowledge Center, Agjencia ESA, Hotel Diplomat, Frigo Tehnika, Dauti Komerc, Restorant Arra, Arbëria Design, Abi Inox, Molika, Industriski Ladilnik dhe Les Komerc, Korab Mermer, Caseificio Cesarina – Fejzi, Rehau, Vitamin Aga, Tullana dhe Maxit”, tha rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti. Ai, po ashtu deklaroi se “marrëveshjet e lartpërmendura parashikojnë realizimin e disa aktiviteteve të ndërsjella, siç janë: Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, si seminare, konferenca, workshop-punëtorive dhe të ngjashme; realizimin e projekteve të përbashkëta nga sfera ekonomike dhe financiare, organizimin e trajnimit të punëtorëve të ndërmarrjes në menaxhment, marketing dhe financa; informim për funksionimin e konkurseve, për qasje në fondet financiare për përkrahjen e ndërmarrjeve; organizimin e konsultimeve profesionale, për qasje drejt burimeve financiare ndërkombëtare, me interes për ndërmarrjen; krijimin dhe organizimin e veprimtarive të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme mes institucioneve tona dhe forma të tjera të bashkëpunimit, që institucionet do t’i përcaktojnë së bashku. Ndërmarrjet do t’i sigurojnë universitetit mundësinë e kryerjes së punës praktike të studentëve, në hapësirat e këtyre ndërmarrjeve”, u shpreh mes tjerash rektori i USHT-së, Prof. dr.Vullnet Ameti.

Po ashtu, në pres konferencën e sotme për media që mbajti rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti njoftoi se me vendim të Senatit të USHT-së ditë më parë është themeluar edhe Qendra për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset. “Të vetëdijshëm që fati i zhvillimit ekonomik të vendit tonë në të ardhmen varet drejtpërdrejt nga fuqizimi i sektorit privat, na obligon të kujdesemi dhe t’ua ofrojmë këtyre ndërmarrjeve mbështetjen tonë profesionale për prosperitetin ekonomik të kësaj veprimtarie jetike për shoqërinë tonë, universiteti ynë me vendim të Senatit, ditë më parë themeloi edhe Qendrën për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset. Me themelimin e kësaj qendre kemi për qëllim aktualizimin e mëtejmë të universitetit në komunitetin biznesor në vend, vendosjen e bashkëpunimit me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe kompanitë e mëdha që operojnë në Maqedoni. Qendra të kësaj kategorie funksionojnë edhe në universitetet e njohura në Evropë, Amerikë dhe në kontinentet tjera. Në fund, më lejoni që t’i falënderoj të gjithë drejtorët dhe përfaqësuesit e këtyre ndërmarrjeve, të cilët shprehën gatishmëri për bashkëpunim, dhe njëherësh t’u uroj punë të suksesshme në të ardhmen dhe bashkëpunim të frytshëm me universitetin tonë, i cili do të jetë me interes të ndërsjellë”, shtoi më tej Prof. dr. Vullnet Ameti, Rektori i USHT-së.

Në emër të Kompanive që nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Shtetëror të Tetovës foli pronari i kompanisë Dauti Komerc, Xhemali Dauti. “Dua ta falënderoj USHT-në, Rektoratin dhe Rektorin, Prof. dr. Vullnet Ameti për ftesën dhe iniciativën që ka ndërmarrë, që ne të jemi pjesëmarrës në aktivitete të përbashkëta mes kompanive tona dhe USHT-së. Ky memorandum i bashkëpunimit bëhet për së dyti herë me kompanitë tona, shpresojmë se në të ardhmen ky bashkëpunim do të avancohet, me që nuk ka munguar edhe deri tash. Bashkëpunimi me USHT-në është hap i qëlluar, ndoshta pak me vonesë, por edhe hapja e Qendrës për Bashkëpunim dhe Ndërlidhje me Bizneset është një hap shumë i qëllua”, deklaroi Xhemali Dauti.

Pas nënshkrimit të memorandumeve për bashkëpunim mes USHT-së dhe kompanive nga vendi u bë edhe promovimi i Qendrës për Bashkëpunim dhe Ndërlidhje me Bizneset. Drejtuesja e kësaj qendre, Mr. sc. Vjollca Hasani vuri në dukje se me hapjen e kësaj qendre, sot po jetësojmë idenë dhe qëllimin e mirë të një institucioni të lartë dhe me vlera, për të përkrahur ndërmarrjet në rajonin tonë. ,,Qendra për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset, që funksionon në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës renditet në kategorinë e qendrave biznesore, që hasen si pjesë e universiteteve, në të gjitha vendet e zhvilluara dhe vendet në tranzicion. Në fund, nga të gjitha këto që u theksuan sot, dëshiroj që pronarët e ndërmarrjeve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që kanë ato për ekonominë e Maqedonisë, dhe t’i inkurajoj të investojnë në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre, duke i dhënë rëndësi sidomos hapjes së ndërmarrjeve të reja”, nënvizoi Mr. sc. Vjollca Hasani.

Në hapjen e kësaj qendre të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua edhe dekani i Fakultetit Ekonomik të USHT-së, Prof. dr. Raman Ismaili, i cili vlerësoi se bashkëpunimin me komunitetin e biznesit Fakulteti Ekonomik do ta realizojnë përmjet Qendrës për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset duke ofruar numër të konsiderueshëm të shërbimeve në fushën e financave, menaxhmentit, marketingut dhe turizmit. Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi tha se kjo qendër është ajo e cila i duhet biznesit dhe i duhet zhvillimit të vet mendimit ekonomik të studentëve rreth çështjeve të cilat direkt do t’i prekin problemet, duke iu rrekur në mënyrë praktike dhe sigurisht me këtë ato nesër do të jenë studentë të përgatitur, për të cilët do të vrapojë dhe do të ketë nevojë çdo afarist.

Njëherit, nga Qendra për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset e USHT-së i kanë ftuar të gjithë pronarët dhe menaxherët e ndërmarrjeve që janë të interesuar të përfitojnë nga këto programe që të bëhen pjesë e Qendrës për Marrëdhënie dhe Ndërlidhje me Bizneset dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net