Osmani: Opozita maqedonase ti zbardhë përgjimet - tetova1.com

Osmani: Opozita maqedonase ti zbardhë përgjimet


bujar-osmani
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Mar 19, 2015





Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka frikë nga publikimi i materialeve të përgjimit dhe i bën thirrje dhe inkurajon opozitën maqedonase që t’i zbardhë ato pa përjashtim.

Ky qëndrim i partisë është përforcuar edhe nga anëtari i Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim z. Bujar Osmani, gjatë pjesëmarrjes në emisionin “24 Analizë” në TV “24 Vesti”.

Z. Osmani ka përsëritur qëndrimin e kreut të partisë, zotit Ali Ahmeti, se të gjitha provat eventuale që mund të posedojë opozita, për veprime të paligjshme të funksionarëve të BDI-së, të publikohen menjëherë.

Z. Osmani nuk mundi të konfirmojë informacionet për një takim të përfolur mes z. Ahmeti dhe kryetarit të LSDM-së, z. Zoran Zaev, por siguroi se BDI nuk flirton absolutisht me asnjë parti politike, përkundrazi, ka raporte korrekte dhe transparente me të gjitha ato.
“Nxisim të gjithë ata që kanë çfarëdo prove për keqpërdorimet e mundshme të funksionarëve të BDI-së që të publikohen, sepse nuk do të donim të mbeteshin të papublikuara, nëse vërtet do të ekzistonin prova të tilla. BDI nuk flirton me asnjë parti politike, por ka raporte korrekte me të gjitha dhe këto raporte janë publike dhe konsistente”, deklaroi z. Osmani.

Ai tha se të gjithë ata që ushtrojnë presion që të publikohen materiale komprometuese për BDI-në, u përkasin agjendave të caktuara politike dhe ndjejnë frustrime e urrejtje personale ndaj BDI-së.
Z. Osmani u bëri thirrje këtyre zërave që të kërkojnë fillimisht publikimin e provave për ta dhe më pas edhe për të tjerët, ashtu siç po vepron BDI.

“Është një qasje ndaj BDI-së që është më shumë urrejtje, politikë pa parime. BDI është parimore, sepse kërkon që fillimisht të publikohen materialet eventuale për të dhe më pas edhe për të tjerët. Edhe ata duhet të jenë parimore ashtu si BDI dhe të kërkojnë publikimin e përgjimeve për ta dhe më pas edhe për BDI-në”, deklaroi z. Osmani.
Z. Osmani, duke cituar kreun e partisë, zotin Ahmeti, tha se në rast të zbardhjes eventuale të keqpërdorimeve bërë nga funksionarë të BDI-së, partia nuk do të marrë asnjë masë mbrojtjeje për ta.

“BDI nuk ka frikë në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment që mund të ketë diçka që mund të komprometojë agjendën e BDI-së në qeveri dhe në politikë, në përgjithësi. Mund të ketë përjashtime individuale, por në palcën e politikës së BDI-së nuk ka asnjë moment që mund ta komprometojë agjendën e saj, sepse ajo është e sinqertë dhe këtë e thonë qytetarët në të gjitha anketat. Qytetarët besojnë në qëllimet e mira të BDI-së dhe në politikën konsistente dhe të sinqertë të BDI-së”, deklaroi z. Osmani, duke rithënë se asnjë mbrojtje nuk do t’u ofrohet funksionarëve që do të rezultojnë të inkriminuar.
I pyetur në lidhje me përgjimin ku dëgjohet një zë burri që ngjan me atë të Zv.Kryetarit të Qeverisë, Musa Xhaferri, dhe ku flitet për emërimin e gjykatësve, z. Osmani tha se pavarësisht nëse biseda është autentike apo jo, “BDI bën presion për përfaqësimin e shqiptarëve në pushtetin gjyqësor”.

Ai tha se deri në vitin 2001, numri i shqiptarëve në gjyqësi ka qenë aq i vogël, saqë matej me promilë, ndërsa sot arrin në 15 për qind.
“Dhe ky numër mos mendoni se është rezultat i vullnetit të politikanëve dhe partive maqedonase për pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucione, por i këmbëngulësisë së BDI-së. Ndaj jo vetëm për kreun e gjykatës, por edhe për portierin e fundit në gjykatë, BDI diskuton në baza ditore jo për punësimin e një anëtari të BDI-së, por për respektimin e Kushtetutës dhe të realitetit demografik të shtetit, i cili është kategori kushtetuese”, tha z. Osmani.

Ai rikonfirmoi se BDI përpiqet, lufton dhe diskuton vazhdimisht për rritjen e pjesëmarrjes së shqiptarëve në të gjitha nivelet e pushtetit.

“Ky është mandati i BDI-së dhe mandati i të gjithëve që mendojnë se marrëveshja e Ohrit është zgjidhja për Maqedoninë. Ndaj mund të them se nuk ka asgjë komprometuese në këtë bisedë, por është thjesht një refleks i realitetit në Maqedoni”, tha z. Osmani.
Ai sqaroi se zv.kryetari i Qeverisë z. Xhaferri është përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se është detyra e tij që të kujdeset për rritjen e pjesëmarrjes së shqiptarëve në të gjitha institucionet, pa përjashtim.

“Nëse doni të keni një gjykatë te e cila do të besonte edhe një e treta e qytetarëve (komuniteti shqiptar), atëherë sigurisht se ata duhet të jenë të përfaqësuar”, tha z. Osmani.

Në vijim, zyrtari i lartë i BDI-së përsëriti thirrjen që të publikohen të gjitha materialet, sepse siç u shpreh “jemi të bindur se çfarëdo prove që do të dalë do të jetë më mirë sesa perceptimi që kanë disa analistë për BDI-në, që qëndrimet e tyre i promovojnë në portalet e tyre. Çfarëdo që të dalë do t’i përgënjeshtrojë ata”, tha z. Osmani.

Zëdhënësi u shpreh gjithashtu se në rastin e përgjimeve, BDI është pala e përgjuar dhe se krerët e saj përgjohen prej 30 vitesh nga të gjitha shërbimet sekrete të Maqedonisë dhe Jugosllavisë.
Duke folur për përgjimet për rastin “Monstra” që janë paralajmëruar të publikohen, z. Osmani tha se BDI është ndoshta pala më e interesuar që ato të zbardhen dhe e vërteta të dalë në shesh, gjithnjë nëse bisedat janë autentike.

“Gjatë gjithë kohës, BDI ka bërë thirrje për një proces transparent me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare, pasi konsiderojmë se ai proces ka përfunduar si jotransparent dhe njëra nga arsyet që kërkojnë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve është pikërisht rasti ‘Monstra’.

Nëse ka materiale të tilla dhe nëse janë autentike, do t’i bëhej shërbim BDI-së, pasi ajo është objekt i shumë spekulimeve rreth këtij rasti dhe unë personalisht me disa deklarata, dhe vërtet nëse ka diçka rreth kësaj, le të publikohet. Mund të garantoj se rasti nuk ka kurrfarë lidhshmërie me funksionarët e BDI-së”, tha z. Osmani.
Ai kërkoi që situata në lidhje me përgjimet për “Monstrën” të menaxhohet mirë që të parandalohet përshkallëzimi i tensioneve ndëretnike.

Z. Osmani shprehu qëndrimin e BDI-së edhe për sa i përket zgjidhjes së krizës politike dhe rideklaroi se dialogu politik duhet të zhvillohet me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Ai tha se BDI është e gatshme të marrë pjesë në dialogun politik, por shtoi se palët duhet të inkuadrohen në këtë proces jo të ngarkuara me vendime dhe zgjidhje të marra paraprakisht në selitë partiake.
Duke folur për spekulimet se PDSH mund të përfshihet në Qeveri, z. Osmani la të kuptohet se kjo është një çështje joserioze që përdoret për qëllime të brendshme nga PDSH, në kontekst të Kongresit të reformistëve të PDSH-së.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net