Partitë e reja, kancer apo ilaç i politikës shqiptare? - tetova1.com

Partitë e reja, kancer apo ilaç i politikës shqiptare?


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Mar 19, 2015





Skenës politike shqiptare së fundi po i bashkangjitet edhe një parti e re. Ndër iniciatorët kryesor të kesaj partie politike përmenden kryetari aktual i OVL-UÇK-së Besim Hoda dhe ish funksionarë të lartë të partisë Demokracia e Re, siç janë Nimetulla Saliu, Dritan Ramadani, Arjanit Hoxha, të cilët u larguan nga DR-ja pas afrimit të kësaj partie me BDI-në. Mes emrave te perfolur per subjektin e ri spekulohet të jetë edhe ish kryetari i Komunës së Haraçinës Bastri Bajrami. Jozyrtarisht mësohet se disa eksponentë te kësaj lëvizje kanë pasur takimë edhe me lëvizjen e Ziadin Selës për të hapur mundësitë e bashkepunimit.

Levizja Besa dhe Lëvizja për Reforma PDSH, bashkë me RDK-në e cila sërish është riaktivizuar bëjnë një numër jo të vogël për politikën shqiptare në Maqedoni. Megjithëkëtë, këtij numri i shtohet edhe një lëvizje e re e cila do të përbëhet nga ish anëtarët e DR-së së Imer Selmanit.

I pyetur nga gazeta “Lajm” se çfarë mendon për paraqitjen e partive të reja në skenën politike shqiptare, ish nën kryetari i PDSH-së Sulejman Rushiti vlerëson se tani është koha kur duhet të kërkohet me ngulm ndikimi i dretpërdrejtë i faktorit ndërkombëtar për të dalë nga rrethi vicioz dhe për të krijuar qeveri ekspertësh, e cila qeveri do ta pastronte listën zgjedhore, do ta ndryshonte sistemin zgjedhor , do t`i eliminonte të gjitha mundësitë për manipulime zgjedhore.

Ai thotë se e rëndësishme është të ndryshohet sistemi që prodhon parregullsi dhe të krijohen mekanizma të fuqishme kontrolli mbi politikën, pa të cilat mekanizma, poltika dhe politikanët mund të devijojë nga respektimi i ligjeve.

Rushiti nuk u shpreh kundër lëvizjeve të reja pasi sipas tij çdo qytetar ka të drejtë të organizohet, të votojë dhe të votohet, ka të drejtë të paraqesë platformë dhe të kërkojë bashkëmendimtarë dhe mbështetës.

Çështja më e përfolur në lidhje me këtë fenomen është se si ndikojnë këta lëvizje, pozitivisht apo negativisht në skenën politike shqiptare.

“Ne këtë moment nuk mund të bëj analizë të tillë numerike për shkak se kemi një proces të dekompozimit të partive ekzistuese nga njëra anë dhe krijim të opsioneve të reja të cilat akoma nuk janë matur në zgjedhje dhe kjo u jep të drejte të gjithëve të mendojnë se kanë ofertën më të mirë.” ka deklaruar Rushiti, ish nën kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.

Megjithatë, qasje të ndryshme në vijë të trashë ka shfaqur shkrimtari dhe publicisti Iljasa Salihu. Ai sqaron se nëse në nje vend tentimi për të hapur parti politike të reja është kaq këmbëngulës dhe kaq i zëshëm, atëherë në këtë vend mugullon treguesi ku mund të shohim dhe bindemi se shumëçka nuk është në rregull.

Ai më tej thotë se s’do mend se kjo parregullsi vjen si rrjedhojë e veprimtarive me rezultate tejet të dobëta që për vite me radhë treguan partitë e pranishme në tregun politik dhe se partitë politike treguan se janë të paafta t’i zgjidhin të paktën gjysmën e problemeve me të cilat tashmë disa dekada ballafaqohet shoqëria jonë.

Salihu zgjidhjen e telasheve nuk e sheh në formimin e shumë partive të reja politike, aq më tepër kur, sipas tij. themeluesit e këtyre partive të reja vijnë me në krye dhe anëtar të vjetruar dhe harxhuar politikisht po në këtë treg që vrau edhe shpresën për ditë më të mira.

“Moralisht, çdo njeri që ka pasur një funksion në partitë tjera, apo përmes partisë ka pasur ndonjë funksion në institucionet shtetërore, përfundimisht ai duhet të heq dorë prej politikës, ngaqë nuk është zeje që i shkon për dore, por le të merret me diçka tjetër që mund t’ia del mbanë. Fjala vjen, për humbjen në zgjedhje të DR-së dhe shpërbërjen e saj nuk e ka fajin vetëm Imer Selmani, ashtu që për sjelljet shpeshherë të pamatura të kreut të PDSH-së nuk e ka fajin vetëm z. Thaçi, mbase për derexhenë kaq të ulët të BDI-së në pushtet nuk e ka fajin vetëm z. Ahmeti, por edhe ata që i shkojnë pas, edhe ata që e votojnë pa e qortuar asnjëherë, edhe ata që i duartrokasin përgjatë fjalimeve të kota, edhe ata që nuk i fishkëllejnë përgjatë dërdëllitjeve të përsëritshme” deklaroi Salihu në lidhje me politikanët që formojnë lëvizje të reja.

Solucioni përfundimtar sipas Salihut është unifikimi i elitës intelektuale që do të jetë busulla e shoqërisë, që do të ketë qëndrim zyrtar për shumë ecejake në vend dhe që do të bëhet faktor i rëndësishëm ku politikanët do t’i dridheshin kësaj eliteje dhe jo intelektualët e ndarë dhe një lëvizje e mirëfilltë qytetare që nuk do të merrej vetëm me kritika pasi të ndodhin rastet, por edhe me paralajmërime të ndodhive.

“Përkundër se sistemi demokratik e lejon shumësinë partiake, unë mendoj se fillimisht kemi nevojë për një vetëdijesim dhe ndërgjegjësim të shoqërisë, ngaqë mesa shoh unë, këtu kemi ngecur goxha keq. Kemi nevojë për një pjekuri politike ende pa u futur në politikë që nesër po si rrjedhojë e kësaj pjekurie të lindë nevojë për një subjekt politik, ku prijësi nuk do të zgjidhej prej anëtarëve të këshillit nismëtar, por paraprakisht do të dëshmohej. Kurse sa i përket numrit se sa parti politike shqiptare duhet të jenë në tregun e Maqedonisë, duke i marr parasysh rrethanat e sotme, unë mendoj se tre subjekte politike do të mjaftonin, qoftë edhe nëse këto subjekte do të përbeheshin prej bashkimit të disa partive” përfundon Salihu.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net