Shkup, promovohet libri “Pax Albanica” i autorit Mustafa Nano - tetova1.com

Shkup, promovohet libri “Pax Albanica” i autorit Mustafa Nano


Kategoria: Lajme

Postuar më: Fri, Mar 20, 2015





Nën organizimin e Shtëpisë Botuese “Logos-A”, sonte, në Qendrën Kulturore Informative (QIK) u bë promovimi i librit “Pax Albanica” të autorit Mustafa Nano. Libri i autorit, ka ngjallur interes të madh në opinionin mbarë shqiptarë, ngase, është vlerësuar si libër shumë i guximshëm që thyen shumë tabu dhe nxitë akoma më tepër debatin për tolerancën fetare dhe religjiozitetin tek shqiptarët. Për të qenë kjo mbrëmje për publikun shkupjan edhe më e begatshme, Shtëpia Botuese Logos-A, është përkujdesur që mysafir në Shkup të jetë vetë autori i librit Mustafa Nano. Në daljen e tij para publikut, Mustafa Nano, tha se shqiptarët kanë një traditë të lashtë të tolerancës fetare, e që këtë nuk e kanë kombet tjera. Sipas tij, është një fakt i pamohueshëm që midis feve në Shqipëri, në historinë e shekullit të fundit por edhe shekujt tjerë, nuk janë vërejtur fërkime serioze e aq më pak konflikte.

“Nuk ka diskutim që harmonia midis feve është një pasuri e madhe kombëtare, është një motiv mburrje për shqiptarë. Mirëpo nga ana tjetër unë nuk jam dakord me ata që thonë që prania e shumë feve, është një gjë e cila është pasuri. Pasuri nuk është prania e shumë feve. Pasuri dhe thesar është harmonia mes tyre. Kjo dhe është një nga tezat e rëndësishme të librit. Por, ne duhet të bëjmë çmos që harmonin midis feve ta, shndërrojmë në një normë qytetarë, jo vetëm në Tiran ku jam unë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën shqiptare”, ka thënë Mustafa Nano, njofton SHENJA.

Sipas tij, toleranca fetare duhet të jetë një normë qytetare, secili prej nesh, duhet ta ketë në qendër të vëmendjes.

“Se ky komb është ngritur mbi një pakt të heshtur, qysh në kohërat e hershme, që ky komb duhet respektoj fetë e njëri tjetër. Ne jemi mësuar me faktin që kemi shumë fe. Ne zgjohemi çdo mëngjes me këtë ndjenjë. Në momentin që dominojnë radikalizmit ky komb rrezikon seriozisht, dhe ky është shqetësimi i dytë që unë e ngre në këtë libër”, u shpreh Nano.

Edhe referuesit e librit, akademik Ali Aliu dhe redaktori i Shtëpisë Botuese Logos-A, Zeqirija Ibrahimi, vlerësuan lartë librin “Pax Albanica”, duke e cilësuar si një libër i cili mund të paraqet një sfidë të vërtetë për gjithë Shkupin dhe ambientin shqiptarë në Maqedonisë, ku mungojnë debate mbi shumësinë e feve tek shqiptarët.

Akademik Ali Aliu, përgëzoi autorin për guximin dhe ardhjen e tij në Shkup e konsideroi si ngjarje. Ai foli edhe për argumente e autorit dhe gjuhen e tij “pa qime” siç tha ai për te shprehur guximshëm të gjitha tabu temat që kanë te bëjnë me tolerancën dhe religjiozitetin tek shqiptaret.

“Autori është i pasionuar pas gjetjes së rrënjëve. Ai është i drejtpërdrejt në temat. I hapur nga të gjitha perspektivat. Libri është shumë i rëndësishëm dhe i veçantë posaçërisht edhe për kohën dhe periudhën në të cilën po gjendemi dhe po jetojmë”, ka deklaruar akademiku Ali Aliu.

Ndërkaq, referuesi tjetër i librit, Dr. Zeqirija Ibrahimi, tha se autori i është qasur kësaj çështje, duke bërë analiza dhe vështrime nga shumë anë, për të ardhur në përfundim se, shumësia e feve tek shqiptarët nuk është një avantazh që neve shpesh herë kemi dëshirë ta paraqesim si të tillë.

“Ajo më shumë është një plagë shqiptare e cila në të shumtën e rasteve e ka penguar zhvillimin e kombit. Faktin i tolerancës fetare që e kanë shqiptarët, është mekanizmi i cili i bën shqiptarët të ndërgjegjshëm se sa e thyeshme është çështja kombëtare nëse përfaqësuesit e feve nuk janë të kujdesshëm, ndaj kësaj çështje me interpretimet e tyre. Në kohën, kur në botë zhvillohet aq shumë debate mbi fetë, ku ekstremizmi fetar gjithë andej shprehet me format e tij jo edhe të lavdishme, kujtojmë se ka qenë e rendit që edhe ne në Shkup, të flasim në këtë temë”, ka deklaruar Ibrahimi.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net