Ekskluzive: Ja dokumenti që dëshmon komisionin për stemën - tetova1.com

Ekskluzive: Ja dokumenti që dëshmon komisionin për stemën


stemar.m
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Sat, Mar 21, 2015





Gazeta “Lajm” ka siguruar dokumentin i cili konfirmon formimin e një komisioni qeveritar, që do të shqyrtojë çështjen e stemës. Ky komision është formuar më 17 shkurt të këtij viti, kurse ajo që bie në sy është se edhe pse shkak i formimit kanë qenë ligje nga sfera e Ministrisë së Drejtësisë, ministri Adnan Jashari fare nuk figuron në të. Komisioni përbëhet nga kuadro të VMRO-së dhe BDI-së në qeveri.

Ja çka përmban ky dokument, i nxjerrë nga seanca numër 56 e Qeverisë e mbajtur më 17.02.2015.

“Qeveria në lidhje me propozim ligjin për stemën e Republikës së Maqedonisë, propozim ligjin për notariat, propozim ligji për përmbarim, propozim ligjin për gjykatat, propozim ligjin për plotësimin e ligjit për prokurori publike, propozim ligjin për shërbimin e prokurorisë publike, propozim ligjin për emërim dhe plotësim të ligjit për avokaturën shtetërore dhe propozim ligjin për emërimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë vendosi që më 18.02.2015 (e mërkurë) me fillim prej orës 14.00 të mbajë takim pune ku do të marrë pjesë m-r Musa Xhaferi zëvendës kryeministri i Qeverisë për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Nikolla Todorov, ministër i shëndëtësisë, m-r Abdilaqim Ademi, ministër për arsim dhe shkencë dhe Biljana Brishkoska, zëvendëse e ministrit të drejtësisë me qëllim harmonizimin e teksteve të propozim-ligjeve”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së 56-të.

“Lajm” para tre javëve pat shkruar për formimin e këtij komisioni, mirëpo ai informacion u demantua nga zëvendëskryeministri Musa Xhaferi dhe vetë ministri i drejtësisë Adnan Jashari. Sidoqoftë “rrena i ka këmbët e shkurtra” thotë fjala popullore, kurse kjo si duket po dëshmohet edhe kësaj radhe, pasi tashmë po publikojmë procesverbalin nga mbledhja e 56-të qeveritare.

Burime qeveritare para tre javëve thanë për “Lajm” se qeveria ia ka marrë kompetencat ministrit të drejtësisë Adnan Jashari për ligjin për stemën, pasi ai ka refuzuar të nënshkruajë propozimin për stemën me luan.

Të njëjtat burime patën thënë atëherë se për këtë çështje është formuar një komision, i cili sipas tyre, pritet t’i japë dritë jeshile stemës me luan. Si duket miratimi i stemës me luan është interes strategjik i qeverisë VMRO BDI, sepse shpejtimi për të miratuar këtë stemë në kohën kur paralajmërohet rënia e qeverisë, ka habitur edhe vetë funksionarë të BDIsë.

/Lajmpress/

Kliko në foto për ta shikuar në dimensione më të mëdha

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net