Maqedonia e 12-ta në botë për mjerim
Indeksi i mjerimit apo varfërisë përcaktohet në bazë të shumës së shkallës së papunësisë, shkallës së kreditimit dhe inflacionit. Sipas këtij klasifikimi, problemi më i madh i Maqedonisë dhe shteteve të rajonit është papunësia, ndërsa shtetet e tjera i mundojnë çmimet e larta dhe shkallët e larta të kamatave
Zejnulla VESELI
Maqedonia radhitet e 12-ta në botë sipas listës së vendeve më të mjerueshme në botë që e publikoi para një muaji Instituti amerikan “Kajto”. Rezultatin më të dobët nga shtetet e rajonit e ka shënuar Serbia, në vendin e tetë prej 108 shteteve të botës aq sa janë të vendosura në listë. Shkaku kryesor pse Maqedonia është ngjitur shumë lartë në këtë listë është niveli lartë i papunësisë. Indeksi i mjerimit apo varfërisë përcaktohet në bazë të shumës së shkallës së papunësisë, shkallës së kreditimit dhe inflacionit. Sipas këtij klasifikimi, problemi më i madh i Maqedonisë dhe shteteve të rajonit është papunësia, ndërsa shtetet e tjera i mundojnë çmimet e larta dhe shkallët e larta të kamatave. Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se është real vlerësimi sipas të cilit shkalla e lartë e papunësisë ndikon në varfërinë në bazë të të cilit Instituti Kajto e vendosi Maqedoninë në vendin e 12-të sipas treguesit për mjerimin. “Problemet kyçe të politikës makroekonomike janë numri i personave të papunë, inflacioni dhe bruto-prodhimi vendor, ku këto elemente janë të lidhura njëra me tjetrën. Nëse merret parasysh se në Maqedoni - si një vend i vogël, kemi inflacion stabil dhe kamatat të ulëta, atëherë mund të themi se faktori kryesor që ndikon në shkallën e lartë të varfërisë është niveli i lartë i papunësisë. Edhe pse viteve të fundit shënon ulje prej nga më shumë se 30 për qind, respektivisht në 27-28 për qind të papunësisë në shkallë vendi, sërish Maqedonia ka një normë tejet të lartë të papunësisë që duhet edhe më shumë të ulet në favor të përmirësimit të standardit të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi.
Analiza për nivelin e mjerimit është kryer në bazën e të dhënave të Ekonomist intelexhens junit(sektorit analitik të revistës Ekonomist), Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Zyrave nacionale të statistikës. Të dhënat janë interpretuar nga një ekip i profesorëve të ekonomisë nga universitetit i njohur Xhon Hopkins, si Stiv Hanke, Çarls Ji dhe Kevin Zhang.
Profesori amerikan Stiv Hanke si një nga autorët e raportit thotë se kryerja e reformave strukturore është mënyra se si të avancohet në këtë indeks në të cilin Maqedonia në vitet e kaluar ka shënuar rezultate negative. “Nëse keni notë mbi 20 ose 25 në indeks, kjo do të thotë se keni problem të thella strukturore në ekonomi që duhet të mënjanohen. Vendet që kanë notat nën 20 si zakonisht nuk kanë problem më të mëdha strukturore. Këtu kemi edhe përjashtim, si për shembull, Italinë me indeksin 18 me shumë probleme strukturore dhe papunësi të lartë”, thotë Henke. E përbashkët për të gjitha shtete e Ballkanit perëndimor janë zgjidhja e ngadalshme e problemeve strukturore, si disbalans i madh në këmbimin tregtar me import të madh në raport me eksportin më të ulët me prodhime pak konkurruese që ndikon në rritjen e deficitit tregtar, procesin e ngadalshëm të ringjalljes së industrisë, shkallët e larta të ekonomisë informale, papunësinë e lartë dhe afrimin e ngadalshëm e të ardhurave të këtyre shteteve me standardin e vendeve të BE-së.
Maqedonia me Sudanin
Sipas përllogaritjes të Institutit “Kejto”, Venecuela është vendi më i varfër në botë, e pasuar nga Argjentina, Siria, Ukraina, Irani, Brazili, Sao Tome dhe Principe, Serbia, Jamajka dhe Afrika e jugut që radhiten në top dhjetëshin e shteteve më të mjerueshme në botë. Maqedonia me indeksin e mjerimit me notën 36.53 gjendet në vendin e 12-të para Sudanit me indeksin 38.71. Nga shtetet e rajonit në vendin e 19 dhe 21 janë Greqia dhe Bosnje e Hercegovina që gjithashtu kanë probleme me papunësinë e lartë. Turqia që radhitet në vendin e 22-të ka probleme më të mëdha me luhatjen e çmimeve konsumatore apo me inflacionin. Në vendin e 31-të dhe të 41-të radhiten Kroacia dhe Shqipëria që gjithashtu kanë problem me papunësinë. Nga shtetet e rajonit në vendin e 52-të dhe 58-të radhiten Bullgaria dhe Rumunia. Më mirë e radhitur nga ish shtetet jugosllave më mirë është Sllovenia që ka zënë mesin e artë të indeksit në vendin e 59-të. Për sllovenët nuk është problem papunësia por kamatat e larta. Në fund të listës që do të thotë të shteteve me varfëri të vogël radhiten Sulltanati i Brunejit, Zvicra, Kina, Tajvani, Japonia, Korea e Jugut, Norvegjia, Malajzia, Singapori dhe Gjermania.









