Zaev ua dërgoi “selamin” e fundit BDI-së dhe PDSH-së - tetova1.com

Zaev ua dërgoi “selamin” e fundit BDI-së dhe PDSH-së


zaev3
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 25, 2015





“Kur do të jetë më e qartë se po shkon Gruevski, pastaj do të paraqiten shumë “trima”. Por edhe tash është momenti për të na bashkangjitur.”, kështu ka thënë Zoran Zaev pas publikimit të “bombës” së 13-të, në pres konferencën e LSDM-së. Duke ua hapur dyert kështu gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike që duan të rreshtohen drejt rrënimit të këtij pushteti. Por, çfarë roli duhet të luan këtu faktori politik shqiptar? A është ky mesazh i fundit i Zaevit për BDI-në dhe PDSH që t’ia kthejnë shpinën VMRO-së dhe Gruevskit dhe t’i bashkëngjiten konceptit të tij “E vërteta për Maqeodninë”? Analistët dhe njohësit e çështjeve politike janë të ndarë në mendime.
Gazetari dhe njohësi i çështjeve Politike Naser Selmani thotë se partitë shqiptare nuk duhet të përzihen në këtë përplasje për pushtet mes partive maqedone. VMRO-DPMNE dhe LSDM mbajnë përgjegjësi më të madhe për gjendjen e tashme në Maqedoni dhe ata duhet të ofrojnë zgjidhje.
“Çdo përzierje e partive shqiptare në këtë grindje mes partive maqedonase do të forcojë pozicionin e VMRO-DPMNE-së sepse kryeministri Gruevski do ketë argumente plus për të bindur opinionin maqedonas se faktori ndërkombëtare ne bashkëpunim me shqiptarët dhe opozitën përgatitë komplot kundër shtetit dhe kombit maqedonas. Nuk guxojmë të lejojmë që Gruevski nga skena politike të largohet si viktimë e ndonjë komploti, por si një politikan i papërgjegjshëm dhe i korruptuar. Gruevskin në histori duhet ta dërgojnë maqedonasit, si e sollën në pushtet, ashtu duhet edhe ta shkarkojnë. Unë nuk besoj në qëllimet e mira të LSDM”, thotë Selmani për “Lajm”.
Selmani dyshon se opozita dëshiron të transformojë sistemin në Maqedoni, i cili diskriminon shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike. “Duan ta rrënojnë Gruevskin, por me kusht ta ruajnë shtetin e maqedonasve, i cili mbron dhe promovojnë vetëm interesat e një bashkësie. Jo rastësisht Zaev me muaj nuk i publikoi bombat kundër Gruevskit sepse nuk donte të komprometojë shtetin e maqedonasve. Taktizimi me bombat kundër partive shqiptare është edhe më indikativ, komprometon VMRO-DPMNE, ndërsa amniston nga përgjegjësia qeveritarë shqiptar. Çfarë do të thotë kjo, se për shtetin e maqedonasve vetëm shqiptarët e korruptuar, të komprometuar dhe të paditur janë të mirë. Ai duhet të publikojë çdo shpërdorim të qeveritarëve shqiptar. Shqiptarët s’kanë asnjë arsye të bëhen shërbëtorë të LSDM dhe Zaevit”, thekson Selmani.
Nga ana tjetër publicistja Teuta Llalla mendon se kjo thirrje nuk u bëhet dy partive shqiptare BDI dhe PDSH, Zaevi dhe LSDM duhet të jenë të vetëdijshëm sepse këto dy parti janë pjesë e pushtetit diktatorial të Gruevskit dhe VMRO.
“Janë pikërisht këto dy parti shqiptare paterica mbajtëse të kësaj qeverie. Në qoftë se Zaevi dëshiron ndryshime, për ta nxjerr Maqedoninë nga kjo gjendje kaotike duhet të gjejë opsion të ri, partner shqiptar të pa korruptuar. Mendoj se LSDM, nuk është i interesuar në Maqedoni që të largojë VMRO-DPMNE dhe nga ana tjetër të bashkëpunojë me BDI dhe PDSH. Kur themi ndryshime për të mirën e Maqedonisë dhe të qytetarëve saj, duhet të nënkuptojmë ndryshime si në palën maqedonase ashtu edhe në atë shqiptare. Nëse largojnë një pjesë të partive të korruptuar për të ngritur një tjetër parti po të korruptuar, atëherë s,kemi bërë asgjë, por vetëm kemi ndryshuar adresën korrupsionit”, ka thënë për “Lajm” Llalla.

Box: Selmani: Shqiptarët të mos lejojnë afrimin e Maqedonisë me Rusinë
Selmani këshillon shqiptarët që në vend se të merren me shqetësimin e Zaevit se si do ngjitet në pushtet, duhet të mendojnë se çfarë do bëjnë nëse dialogu politik mes partive maqedone nuk ka sukses dhe Bashkimi Evropian tërheqë rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. “Mendoj se partitë shqiptare duhet hapur të thonë se nëse rrezikohet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë, me asnjë çmim nuk do pranojmë afrimin e shtetit me Rusinë apo ndonjë shtet tjetër të lindjes. Shqiptarët janë të përcaktuar për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe nga ne nuk ka alternativë tjetër. Nëse dikush mendon se alternativa do jetë Rusia, duhet hapur t’u themi se ne nuk do jemi pjesë e asaj aleance, do kërkojmë zgjidhje tjera”, ka përfunduar Selmani

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net