Ekspertët skeptik për lehtësimet ndaj biznesit
|
Masat e fundit qeveritare për uljen e papunësisë janë të mirëseardhura dhe të favorshme për biznesit, megjithatë shtrohet çështja se sa sektori i biznesit do të ketë mundësi të shfrytëzojë masat e tilla në kushtet e rënduara për udhëheqjen e biznesit në vend. Kryeministri Nikolla Gruevski paralajmëroi të dielën lirimin e punëdhënësve nga tatimi personal dhe kontributet nëse punësojnë për tre vite të papunët deri 35 vjet dhe mbajnë në punë edhe një vit shtesë punëtorët e rinj. Sipas profesorit universitar, Nehat Ramadani, kjo është një masë e mirë në kuadër të politikave aktive të punësimit dhe paraqet një shtytje për punëdhënien në vend. Megjithatë, ai thotë se koha të tregojë se sa kjo masë realisht mund të ndikojë pozitivisht në rritjen e punësimit, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike në vend dhe rajon.
“Në kohën kur kemi uljen e kërkesave për prodhime dhe shërbime të bizneseve, që ndikojnë edhe në kërkesën për punëtorë të ri, po shtrohet çështja sa realisht bizneset kanë mundësi ta shfrytëzojnë atë. Miratimi i kësaj mase është pozitiv dhe në akord edhe me politikat evropiane, por në kushte të kondicionit të dobët financiar të bizneseve kur kjo masë në një farë mënyre paraqet detyrim për bizneset që punëtorët e rinj për katër vjet të mbajnë në punë, pritet të shohim sa ajo realisht do të shfrytëzohet nga ana e punëdhënësve”, thekson Ramadani. Sipas tij, filozofisë së biznesit tek ne i mungon vizioni më afatgjatë, ndërsa i njëjti është i orientuar të punojë 2-3 apo 4 vjet, ku nëse nuk shkon puna edhe mbyllet veprimtaria. “Me një fjalë mungon qëndrueshmëria e biznesit dhe orientimi për të punuar në suaza të 10-15 viteve të ardhshme ku kultura e biznesit më shumë është e orientuar në suaza afatshkurtra dhe në mbijetesë”, thekson Ramadani. Në ndërkohë, nga sektori i biznesit thonë se çdo lehtësim për udhëheqjen e biznesit në vend është i mirëseardhur. “Ajo çka paralajmërohej një kohë të gjatë se do të kemi lirim për punësimin e personave edhe ndodhi dhe mendoj se në këtë moment çdo harxhim i zvogëluar për udhëheqjen e biznesit në drejtim të punësimit dhe të kyçjes të sa më shumë personave në procesin e punës është një vendim cilësor që duhet të vazhdojë të realizohet me qëllim të nxitjes së udhëheqjes së biznesit në Maqedoni”, thotë Mile Boshkov, kryetar i Biznes Konfederatës së punëdhënësve të Maqedonisë. Masat ndër të tjerash parashikojnë që punëdhënësit që do të punësojnë persona të moshës 35-50 vjeç , që kanë qenë 10 vitet papunë do të lirohen nga tatimi personal dhe kontributet për pesë vjet me kusht që edhe një vit ta mbajnë punëtorin në punë. Ato punëdhënës që do të punësojnë persona mbi 50 vjet do të lirohen nga tatimi personal dhe kontributet për pesë vite pa pasur obligim që edhe një vjet të mbajnë në punë të punësuarit. Kjo masë do të vlejë edhe për ato që do të punësojnë persona më të moshuar se 58 vjeç që do të lirohen nga këto obligime deri në pensionimin e këtij punëtori Bizneset që do të punësojnë persona nga kategoritë e prekshme si kryefamiljarët që vetë risin fëmijët, personat nga familjet me një prind, ato me tre dhe më shumë fëmijë do të lirohen nga pagesa e tatimit personal për pesë vjet pa obligim që të mbajnë punëtorët në punë. Ndryshe në Maqedoni në muajin janar janë të regjistruar në Agjencinë për punësim rreth 225 mijë persona të papunë. Prej tyre në mënyrë aktive kërkojnë punë 124.025 persona dhe 101.176 persona nuk kërkojnë punë në mënyrë aktive. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për punësim në muajin janar janë regjistruar 43.537 persona të papunë që në mënyrë aktive kërkojnë punë të moshës deri në 35 vjet. Prej moshës 35 deri 49 vjet janë të regjistruar rreth 38 mijë të papunë që kërkojnë punë në mënyrë aktive punë. Gjithashtu në Agjencinë për punësimin janë të regjistruar edhe 13.551 persona të papunë të moshës 50-54 vjeç, si dhe 14.300 persona të moshës 55-59 vjeç dhe 14.317 persona më të vjetër se 60 vjeç që në mënyrë aktive kërkojnë punë.








