BDI inferiore edhe në tenderë?! - tetova1.com

BDI inferiore edhe në tenderë?!


ali-ahmeti-nikola-gruevski-565x284
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Fri, Mar 27, 2015





Me “Bombën” e 14-të me radhë, Zaevi akuzoi kryeministrin për një aferë korruptive “të rëndë” 25 milionë euro. Duke u bazuar në bisedat që shpalosi, opozita fajësoi Qeverinë për skandalin korruptiv “më të madh në Maqedoni dhe rajon”, apo thënë më saktë, shënjestër e Zaevit ishte Gruevski dhe Janakievski, pra kryeministri dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, që të dy nga partia e VMRO-DPMNE-së.

Nga akuzat direkte për këtë aferë, mbetën të paprekur funksionarët tjerë të partive tjera. Por, partia shqiptare në pushtet, mban 2 poste të Zëvendëskryeministrave, ndërkohë që edhe zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve është po nga kjo parti. Deri tani, nuk ka pasur ndonjë prononcim nga BDI-ja në lidhje me aferën e “autostradave”, në të cilën sipas opozitës, zyrtarët e VMRO-së e kanë marrë pjesën e madhe të kulaçit në korrupsion. Se a kanë qenë spektatorë të heshtur funksionarët e BDI-së dhe cili është roli dhe përgjegjësia e tyre në këtë skandal, SHENJA kontaktoi me analistët Fejzi Hajdarin dhe Bekim Buçin, të cilët thonë se pozita inferiore e BDI-së në qeveri nuk i ka mundësuar pjesëmarrje në kulaçe të këtilla.

Fejzi Hajdari, publikuesi i gazetës “Lajm”, thotë se BDI marrjen e tenderëve e ka pasur sikur që e ka pasur edhe pozicionin në qeveri, pra tepër margjinal dhe inferior. “Me fjalë tjera më lejoni të shprehem figurativisht: Mishin e ka marrë VMRO ndërsa BDI-së i ka takuar ndonjë kockë (asht) eventual. BDI ka qenë fatkeqësisht vetëm dekor në Qeveri. Ju e shihni te bombat se çfarë vjedhje spektakolare ka ndodhur dhe askush nga protagonistët e këtyre vjedhjeve institucionale nuk përmend qoftë edhe vetëm një emër të funksionarëve të BDI-së”, deklaron Hajdari.

Ai edhe njëherë thekson se kjo flet vetëm për inferioritetin e BDI-së, pasi sipas tij, VMRO-ja ia kishte lënë të lira duart BDI-së vetëm për ca tenderë të vegjël me vlera më të vogla.

“Prandaj BDI-së nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveçse t’i rrjepë shqiptarët nëpërmjet punësimeve, për të cilat është spekuluar se për një vend pune është paguar prej 3000 deri në 5000 euro”, thotë Hajdari.

Edhe gazetari Bekim Buçi ndan mendimin se pozita e BDI-së në Qeveri është shumë inferiore dhe e dobët, për të mos thënë nuk kanë asnjë rol kyç në vendimet që merren qoftë në politikë, biznes, arsim, investime apo sfera të tjera.

“Kjo edhe njëherë dëshmon se BDI është në pushtet por nuk ka pushtet dhe se ndikimi i tyre në politikat qeveritare është tejet i vogël dhe nënçmues. Partitë shqiptare për fat të keq në asnjë qeveri të Maqedonisë nuk kanë qenë faktor duke nisur nga PPD-ja e deri tash me BDI-në. Nga kjo mund të konstatojmë se subjektet shqiptare që kanë participuar në Qeveri kanë qenë një lloj partneri ndihmës i partisë udhëheqëse maqedonase në pushtet, dhe asnjëherë nuk kanë pasur rol vendimmarrës”, deklaron Buçi.

Ai thotë se kjo filozofi dhe kjo mënyrë e pjesëmarrjes së partive shqiptare në Ekzekutiv duhet të ndryshojë rrënjësisht në të ardhmen. Në të kundërtën, thekson Buçi, pozita e shqiptarëve do të jetë gjithnjë e më e disfavorshme karshi maqedonasve.

Ndërkohë, përveç aferës së fundit ku shqiptarët janë të dëmtuar si qytetarë dhe taksapagues të këtij shteti, ata në projekte të ndryshme monoetnike, siç është famëkeqi “Shkupi 2014”, janë të dëmtuar dyfish, pasi ata janë në dëm të shqiptarëve.

Fejzi Hajdari thotë se për realizimin e projekteve monoetnike nga kjo Qeveri që janë të dëmshme për shqiptarët, përgjegjësi institucionale, kombëtare dhe morale, mban BDI-ja sepse ato u financuan me mjete edhe të shqiptarëve.

“BDI-ja në qeveri kishte dhënë votën për realizimin e këtyre projekteve të cilat Shkupit ia ndërruan fytyrën duke e mbushur me përmendore të Car Dushanëve. I qofshin për hair këto përmendore BDI-së”, thotë Hajdari.

Ai mendon se BDI duhet të jap llogari kombëtare për ofendimin e shqiptarëve të Shkupit me realizimin e këtyre projekteve antishqiptare.

Edhe Bekim Buçi thotë se është e vërtetë se nga këto projekte monoetnike shqiptarët janë viktima të dyfishta sepse njëherë janë dëmtuar meqë këto projekte nuk paraqesin realitetin multietnik, multifetar dhe multikulturor të Maqedonisë dhe e dyta është se qytetarët shqiptarë janë dëmtuar për shkak të kostos së lartë të këtyre projekteve.

“BDI si parti në Qeveri është dashur të ndalojë këtë projekt dhe të pamundësojë realizimin e tij. Partia e Ahmetit ka pasur të gjitha mekanizmat në dorë për të parandaluar çdo projekt antishqiptar të kësaj qeverie me vetë faktin që ka pasur 20 deputetë në Parlament dhe ka mundur të bllokojë çdo ligj që ka qenë i dëmshëm për shqiptarët”, deklaron Buçi, për portalin SHENJA.

Prandaj, thotë ai, duke u nisur nga këto fakte BDI nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe herë do kur funksionarët e BDI-së do të përgjigjen për këto lëshime që i kanë bërë në dëm të shqiptarëve. Por, ai vlerëson se vetëm pasi të bie kjo qeveri do të shihet se çfarë keqpërdorimesh dhe sa dhjetëra e qindra miliona euro të qytetarëve kanë përfunduar në xhepat e funksionarëve shtetërorë, në projektin “Shkupi 2014” dhe në projektet tjera.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net