Mes “bombash” - tetova1.com

Mes “bombash”


Kategoria: Opinione

Postuar më: Fri, Mar 27, 2015





Festim Pollozhani
Situata e plasimit të njëpasnjëshëm të “bombave”, gjegjësisht të bisedave të përgjuara, natyrisht se ka ngjallur interes të veçantë tek qytetarët të cilët janë të frustruar edhe nga gjendja jo e mirë në vend, dhe kurreshtja për të dëgjuar se çfarë ka ndodhur “prapa kuintave” është e madhe.
Fenomeni i përgjimeve në fakt nuk paraqet ndonjë risi, ose diçka të pa zakontë, sepse është “sekret publik” se veprimtaria e shërbimeve sekrete bazohet kryesisht në të tilla veprimtari. Moment të ri paraqet publikimi i tyre, dhe pyetja shtrohet se çfarë mund të ndryshojë kjo situatë?
Aferat e përgjimeve dhe si rrjedhojë krijimi i propagandës janë të njohura për tre dimensionet e tyre dhe këtu kam parasysh : propagandën e “bardhë” – kur nuk përbën mister për burimin nga i cili e ka origjinën, “gri” – kur nuk i është atribuar asnjë burimi, dhe “e zezë” – kur falsifikohet me dëshirë burimi nga i cili ajo vjen. Jo rrallë herë, mundësia për destruktivitet në këto raste është e mundshme. Janë të njohura figurat si Cairncross dhe Blunt, ose i famshmi Kim Philby dhe manipulimet që devijuan procese shumë të rëndësishme të gjeopolitikës.
Rast i një afere përgjimesh kishte ndodhur edhe në SHBA, i njohur si rasti Watergate, megjithëse një histori krejtësisht e ndryshme, por që vlen të theksohet se epilogu do të sillte dorëheqjen e ish presidentit amerikan Nixon.
Por, SHBA - të karakterizohen me Sistem Gjyqësor të pavarur dhe dihet rëndësia e Gjykatës Supreme, karakterizohen me media të pavarura nga politika, dhe me ndërgjegje qytetare e mundësuar edhe nga respektimi i të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër Maqedonia është shtet i vogël dhe me demokraci të brishtë, prandaj një skandal përgjimesh mund të jetë shumë delikat, aq më shumë nëse tentohet të ketë elemente destruktive. Lidhur me skandalin e përgjimeve, rekomandimet e UE flasin për hulumtim të tërësishëm të rastit duke u mbështetur në gjyqësor të pavarur, respektim të plotë të parimeve të paanshmërisë, transparëncës, prezumimit të pafajsisë, por edhe raportim të pavarur të mediave për çështjet që janë me interes publik.
Dhe pikërisht këto elemente janë shqetësuese, gjyqësori i pavarur, liria e mediave dhe transparenca e plotë. Nga ky këndvështrim lehtë mund të tentohet për të manipuluar me këto elemente të rëndësishme gjë që mund ta devijojë këtë proces.
Në segmentin politik dhe atë shoqëror, pas publikimit të përgjimeve , ka pasur reagime të shumta në opinion, sidomos nga qarqet opozitare maqedonase, si bartës të këtij projekti nëse është i tillë. Është e qartë se çdo projekt e ka një qëllim, ashtu siç e ka edhe në këtë rast.
Një moment që duhet diskutuar është se cili është qëllimi i këtij projekti, a ka për qëllim “pastrimin” e politikës, ose ka për qëllim ndërrimin e pushtetit, a ka për qëllim ristrukturimin e sistemit politik dhe me këtë edhe të pozitave politike aktualisht të pabarabarta për etnitë që jetojnë në Maqedoni.
Është e qartë se ndryshimet janë të domosdoshme por çështja shtrohet se mbi ç’bazë do të bëhen këto ndryshime dhe me çka do të garantohen. Ky rast duket se është një përplasje politike më shumë “ndër maqedonase” në relacionin pozitë – opozitë, megjithëse tentohet kam përshtypjen që të përfshihet edhe elementi shqiptar për shkak të rëndësisë substanciale në çdo dimension, dhe në çdo proces.
Shqiptarët duhet të kenë rezerva lidhur me kyçjen ose jo në këtë proces. Kjo më shumë për faktin se edhe në periudhën pas rënies së komunizmit, e kan gjetur veten pre e manipulimit, ndonjëherë edhe si pasojë e papjekurisë ndoshta politike, dhe naivitetit të treguar që sidoqoftë i ka vendosur edhe në pozita të palakmueshme. Askush nuk dëshiron që shqiptarëve në Maqedoni t’iu përsëritet rasti i Ladorishtës, rasti i Bit Pazarit, apo rasti i Gostivarit, gjithmonë duke pasur parasysh se rrethanat politike sidoqoftë kanë ndryshuar dhe disa procese kanë evoluar, por preventiva nuk i bën keq askujt.
Duhet analizuar nëse ky proces ka qëllime konstruktive në raport me shqiptarët dhe vërtetë ka për qëllim pastrimin e skenës politike nga elemente që me gjasë e kanë penguar progresin e strumbullarit shqiptar në Maqedoni, apo ka tendencë të jetë destruktiv duke shpalosur elemente selektive që do të krijonin konfuzion dhe paqartësi të panevojshme, sa për të krijuar reaksione dhe për ta kyçur faktorin politik shqiptar në këtë proces.
Egzistojnë edhe zëra aktiv në këtë projekt, të deklaruar si element shqiptar, megjithëse pak të paqartë konceptualisht në kuptimin se pse duhet shqiptarët të bëhen pjesë e këtij projekti. Nuk duhet lejuar instrumentalizimi i strumbullarit shqiptar në Maqedoni sepse kështu rrezikohet që të na përsëritet e kaluara.
Vetëm arritja e një marrëveshje të qëndrueshme politike që do ti avanconte vërtet pozitat tona dhe garancioni për realizimin e saj do të ishte interes shqiptar.
Kjo situatë duhet të tejkalohet, i tillë është edhe rekomandimi nga Unioni Evropian, për shkak se kjo situatë nuk shkon në dobi të realizimit të reformave që me gjasë do të sillnin integrimin në strukturat euro - atlantike.
Por një gjë është e sigurtë, shqiptarët duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit dhe këtë duhet ta kushtëzojnë duke kërkuar hisen që u takon.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net