Lëvizja BESA filloi “RIDEFINIMIN” nga Struga (FOTO)
Sonte Lëvizja BESA ka qëndruar në Strugë, ku e shpalosi platformën e saj “RIDEFINIMI”. Me këtë rast para të pranishmëve u prezantuan disa nga themeluesit e Lëvizjes BESA.
I pari të pranishmëve iu drejtua Zeqirija Ibrahimi, i cili foli për vetë nocionin e ridefinimit, duke shpjeguar se pse është kaq shumë i rëndësishëm definicioni si koncept, e në këtë rast edhe definimi i shtetit të Maqedonisë. Ai bëri shpjegime, përmes shembujve, se fakti që Maqedonia ka krijuar definicione të gabuara për shtetin, kjo ka prodhuar diskriminim për të gjithë qytetarët jomaqedonas, veçmas për shqiptarët. Për këtë arsye, tha Ibrahimi, BESA kërkon që Maqedonia të ridefinohet si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve dhe, konform këtij përkufizimi, të bëhet edhe ndërtimi i shtetit.
Pas tij foli Afrim Gashi, i cili bëri elaborime më të thukëta për përmbajtjen e platformën dhe ofertën e Lëvizjes BESA. Ai edhe një herë e përsëriti ofertën e BESËS për zgjidhjen akute, me qeveri ekspertësh – që do ta marrë përsipër tejkalimin aktual të krizës, ta organizojë regjistrimin e popullsisë, të themelojë prokurori dhe gjykatë speciale, si dhe t’i organizojë zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa për ofertën afatgjatë ai tha se BESA propozon qeveri që do ta marrë përsipër rifedinimin e shtetit, ndërrimin e emrit dhe integrimin e vendit në NATO.
Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe koordinatori i BESËS, i cili përveç shpjegimeve të përgjithshme, në cilësi të ekonomistit, bëri elaborime për ofertën ekonomike të Lëvizjes BESA. Kasami shpjegoi se objektivat kryesore ekonomike të Lëvizjes BESA janë: krijimi i sistemit në të cilin shumica e njerëzve do të kenë qasje te resurset maksimale; vendosja e individit në qendër të vëmendjes dhe interesit, në kuptimin e shanseve të barabarta në të gjitha aspektet; alokimi efikas dhe efiçinet i resurseve në të gjitha aspektet – që nga ato të burimeve njerëzore; maksimizimi i shportës së të mirave që një konsumator individual mund t’i konsumojë (standardi jetësor); minimizimi i pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave, pa e dhunuar sistemin dhe dekurajimin e ndërmarrësisë dhe kufizimi i marzhave maksimale në shportën e konsumit bazik, që kështu ta rritë aftësinë blerëse të konsumatorëve, posaçërisht të mallrave bazike.
Ai bëri shpjegime të hollësishme dhe dha plot detaje në terma ekonomike se çfarë do të ofrojë BESA që të zhvillohet biznesi shqiptar, që të zhvillohen rajonet shqiptare, por edhe në përgjithësi shteti.
Tubimi përfundoi me disa pyetje dhe diskutime nga të pranishmit.






