Partitë shqiptare shtylla më e fortë e “regjimit”
|
Të hënën në hapësirat e Parlamentit europian në Bruksel anëtarët e Parlamentit Evropian Richard Hovit, Edvard Kukan dhe Ivo Vajgël do të lehtësojnë dialogun mes përfaqësuesve të partive politike VMRO-DPMNE dhe LSDM. Eurodeputetët Richard Hovit, Edvard Kukan dhe Ivo Vajgël nëpërmes një komunikate kanë njoftuar se takimi do të zhvillohet më dyer të mbyllura, shkruan gazeta “Lajm”.
Edhe në këtë pikënisje për dalje nga kriza nuk merren parasysh shqiptarët, ata as që do të jenë pjesë e këtij dialogu politik të inicuar nga Parlamenti europian. Njohësit e çështjeve politike thonë se shqiptarët janë në një vijë me regjimin. Sikur edhe të ftoheshin në këtë takim ata nuk do të kishin ide për dalje nga kriza, thonë për “Lajm” analistët.
Nebi Murseli gazetar dhe njohës i çështjeve politike për “Lajm” vlerëson se shqiptarët vetë janë përjashtuar nga ky dialog. Në vend se të përfitojnë nga afera e përgjimeve dhe ngërçi politik, BDI dhe PDSH janë indiferentë tërë kohën duke pohuar se kjo nuk i tangon shqiptarët. “Këto dy parti parlamentare që përfaqësojnë shqiptarët sikur nuk frikësohen nga hiper-dominimi i Nikolla Gruevskit në tërë segmentet e jetës, por më tepër i frikësohen Zaevit dhe LSDM. Pra më mirë duan të jenë në “shtratin” e Gruevskit e Mijallkovit sesa te përmbysin ata dhe sistemin korruptivo-diktatorial”, thekson për “Lajm” Murseli.
Ai madje thotë se Bashkësia ndërkombëtare nuk i ka ftuar shqiptarët në këtë dialog me plotë të drejtë. “Shqiptarët nuk ankohen për rrjedhat politike të mbrapshta të këtij regjimi që vendin po e largon nga integrimet evropiane. Madje BDI e ka alibi integrimin e Maqedonisë ne NATO dhe BE. PDSH nganjëherë mërzitet për vonesat po prapë ndjek kursin e Gruevskit duke i treguar lojalitet. Sikur edhe të ftoheshin në këtë dialog besoni se Ahmeti dhe Thaçi do të ishin statist pa kërkesa dhe pa ide. Prandaj ata do të ishin të tepërt dhe të kotë në këtë dialog, ngase sipas bashkësisë ndërkombëtare dhe partive parlamentare shqiptare nuk ekziston çështje shqiptare në Maqedoni. Dhe shqiptarët do të pranonin çfarëdo epilogu të dialogut që edhe më shume zbehë pazarin politik” përfundon Murseli.
Në pyetjen e gazetës “Lajm” se vallë do të zbehet faktori shqiptar në Maqedoni pas injorimit nga dialogu në mes palës ndërkombëtare dhe partive politike maqedonase, analisti Ramadan Ramadani prerazi përgjigjet “Jo”!
“Sepse, gjatë tërë kohës vetëm se është zbehur kur ata gjatë tërë krizës nuk kishin ndonjë iniciativë serioze për debllokimin e krizës siç do kishte qenë normale për parti serioze. Tani kriza është e avancuar edhe në kohë edhe në atë që ajo përfshin, kurse partitë shqiptare ekzistuese vetëm se janë bërë palë duke qëndruar në një vijë me regjimin. Ashtu që tani nuk ka ndonjë mundësi as të ngatërrohen në ndonjë rrjet ndërmjetësimi” ka theksuar për “Lajm” Ramadan Ramadani.
BOX: Spahiu: Partitë politike shqiptare po i përfaqëson VMRO
Njohësi i çështjeve politike në Ballkan, Nexhmedin Spahiu për agjencinë e lajmeve INA ka thënë se partitë politike shqiptare janë vetë fajtore që kanë mbetur jashtë negociatave për zgjidhjen e krizës, sepse me qasjen e tyre në politikëbërje e kanë përjashtuar vetveten nga ky proces.
“Partitë shqiptare e kanë përjashtuar vetveten nga ky proces. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Shqiptarët më nuk janë faktorë për zgjidhjen e krizës sepse e kanë përjashtuar vetveten nga proceset politike në Maqedoni, dhe janë treguar tepër shkurtpamës. Duke ia lëpirë këmbët partisë më të fortë maqedone, ato e kanë fshirë veten nga politikbërja në Maqedoni”, deklaroi për INA, analisti Nexhmedin Spahiu.
Ai më tej vlerëson se partitë kryesore shqiptare në Maqedoni nuk kanë bërë lojëra politike për interesa të komunitetit shqiptar, por thjeshtë i janë vardisur partisë më të fuqishme maqedone. “ Me sjelljen e tyre ato kanë treguar se nuk ka arsye reale për t’u përfshirë në bisedime pasi ato i përfaqëson VMRO”, deklaroi analisti Spahiu. LSDM dhe VMRO-DPMNE në Bruksel me lehtësues nga Parlamenti Europian do të ulen në tryezë pë dalje nga kriza politike e Maqedonisë.









