Shqiptarëve nuk u konvenon destabilizimi i Maqedonisë
Bisedat e publikuara nga ana e opozitës Maqedonase kryeministri Nikolla Gruevski i konsideron si tentim për destabilizim të vendit në baza etnike. Ai këtë e ka thënë në seancën e së enjtes ku ka folur për zhvillimet politike në Maqedoni. Gruevski gjithashtu ka thënë se plani i tij është që publikuesit e këtyre bisedave të përgjigjen para institucioneve.
Gazeta “Lajm” ka pyetur analistët se kujt i konvenon ky destabilizim i vendit, a u konvenon shqiptarëve të Maqedonisë apo maqedonasve, dhe a mund të priten nxitje të shqiptarëve për ta destabilizuar situatën nga shërbimet e huaja armiqësore. Pyetja tjetër është se çfarë duhet të bëjnë partitë politike këtu dhe çka duhet të bëjë Kosova dhe Shqipëria për ta penguar këtë.
Opinionisti nga Kosova Fadil Lepaja mendon se kjo më tepër se tentim për destabilizim është tentim për zbardhjen e mënyrave mafioze të veprimit të disa qeveritarëve aktual dhe se krejt kjo mund t’i shërbejë mirë dekriminalizimit të institucioneve dhe politikës në përgjithësi.
Lepaja porosit se partitë politike shqiptare duhet të përkrahin procesin e dekriminalizimit dhe të angazhohen për institucione në shërbim të qytetarëve dhe të orientimit të tyre euroatlantik.
Për angazhimin e Shqipërisë dhe Kosovës në rast të destabilizimit Lepaja thotë se Shqipëria po kalon në një proces dekriminalizimi, çka shumë shpejt do të fillojë të ndodhë edhe me Kosovën.
“Eskalimi në Maqedoni nuk i konvenon realisht forcave pro europiane, dhe as neve shqiptarëve, por ne mjafton të përkrahim demokratizimin dhe dekriminalizimin e shoqërisë” ka thënë për Lajm opinionisti Fadil Lepaja.
Ndërsa kryetari i forumit imazhi dhe media, Astrit Memia, thotë se çfarë do lloj destabilizimi nuk i konvenon askujt sepse sipas tij Ballkani është global në Evropën e bashkuar drejt paqes universale në globalizëm.
“Harmonia dhe solidariteti, miqësia dhe mirënjohja të shkëmbin urën ndarëse të etnive, ngjyrave, racave, ideve, të gjithë së bashku drejt paqes universale kundër dhunës duke përdorur në mënyrë hyjnore paqen dhe faljen” tha për “Lajm” Memia.
Ai ka shtuar se Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore duhet me doemos t’i bashkangjiten integrimeve euro atlantike për një paqe të qëndrueshme në të mirë të njerëzimit dhe assesi të krijohen konflikte dhe destabilizime sepse kjo dëmton paqen në vend, rajon dhe më gjerë.
“Ballkani perëndimor dhe Evropa Juglindore duhet t’i bashkangjiten integrimeve euro atlantike për një paqe të qëndrueshme në të mirë të njerëzimit nën një Zot.” ka përfunduar kryetari i forumit imazhi dhe media doc. Dr. Astrit Memia.
Ndërsa analisti Ibrahim Mehmeti thotë se në këtë moment destabilizimi nuk i nevojitet askujt, por manipulimi me destabilizimin që nuk është në interes të qytetarëve i cili do të shkaktonte tollovira të mëdhaja mund ndoshta t’i përgjigjet atyre të cilët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me problemet reale dhe nuk janë të gatshëm t’i kyçen zgjidhjes së problemeve të cilat në këtë periudhë janë të theksuara dhe kërkojnë reagim të guximshëm por edhe vendime të guximshme nga politikanët.
Ai më tej thotë për “Lajm” se qeveria dhe partitë qeveritare duhet që t’i sqarojnë problemet të cilat shpalosen nga telefonatat dhe pastaj të marrin përgjegjësi për atë që ka ndodhur.
Në pyetjen se a mund të nxiten nga shërbime të tjera shqiptarët për ta destabilizuar situatën Mehmeti tha se autoritetet janë të vetëdijshëm për pakënaqësinë e shqiptarëve të cilën do të mundohen ta përdorin apo ta keqpërdorin në mënyra të ndryshme.
“Gjithmonë jemi ballafaquar me tendenca të këtilla ku shqiptarët për arsye të ekzistimit të shumë çështjeve të pa definuara, të pa zgjidhura që rrjedhin nga MO-ja, të vetëdijshëm që ka ende revoltë dhe pakënaqësi te shqiptarët, ky është një rast tjetër ku pakënaqësia e shqiptarëve mundohet të përdoret në mënyra të ndryshme ose më mirë të themi të keqpërdoret, dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe kësaj radhë të keqpërdoret duke reflektuar fajin ose përgjegjësinë në adresa të ndryshme në mënyrë që të krijohet huti dhe shqiptarët të humbin durimin dhe të ndërmarrin ndonjë iniciativë që do t’i shkonin përshtat atyre të cilët në këtë moment më së miri do të reagonin në rast të ndonjë krijimi të situatave të paqarta, do të thotë atyre forcave të cilat janë në defanzivë dhe kriza eventuale do t’u ndihmonte atyre të dalin nga kjo situatë” ka përfunduar Mehmeti.








