Zotri Ahmeti, për Alternativën e tretë vendosin shqiptarët e dëshpëruar nga Ju
Fejzi Hajdari
Ali Ahmeti, mandati i të cili është shumë diskutabil pas publikimit të “bombave” të Zaevit, për skenarët e errët e kurdisjes së zgjedhjeve, nuk ka legjitimitetin e duhur për t’i shitur mendë shqiptarëve, se: Shqiptarëve nuk ju deshka alternativa e tretë politike!?. Këtë të drejtë e kanë vetë shqiptarët, dhe ata do të vendosin nëse i nevojitet një opsion i tretë politikë, kuptohet nëse BDI-VMRO, nuk i përsërisni skenaret e vjedhjes ose kurdisjes së zgjedhjeve, si tek “Bombat” e Zaevit.
Ali Ahmeti, për t’ua kujtuar juve dhe estabilishmentit tuaj politik, shqiptarët kanë nevojë për alternativë tjetër politike, sepse, ata, ndihen shumë të ofenduar dhe pakënaqur me statusin juridiko-politik, të cilin e kanë aktualisht, dhe i cili është rezultat i dështimit Tuaj politik. Gjatë qeverisjes tuaj, ndodhën: MONSTRA, SOPOTI, RADISHANI, BRODECI, ENCIKLOPEDIA, STEMA, CAR DUSHANI, MOSZYRTARIZIMI I GJUHËS SHQIPE, RRAHJA E NXËNËSVE SHQIPTARË, SKOPJE-2014, BUXHETI DISKRIMINUES, PËRDORIMI I FLAMURIT KOMBËTAR, KALAJA E SHKUPIT dhe shumë skandale tjera. Ali Ahmeti këto dështime që mbajnë vulën tuaj, do t’i kushtojnë shumë shqiptarëve…, me vite do t’i nevojiten shqiptarëve për ta rikthyer dinjitetin kombëtarë.
Prandaj, duke i patur të gjitha këto dështime parasysh, mendoj se ju nuk keni të drejtë morale, kombëtare dhe politike, t’i sugjeroni shqiptarëve “koncepte” marksisto-lenjiniste, të tipit: Shqiptarëve nuk i nevojitet aleternativa e tretë! Në fakt, shqiptarët sot pas dështimeve tuaj spektakolare, nuk kanë nevojë më për ju, aq më pak për koncepte demode, retrograde dhe anakronike. Ju si duket sikur nuk doni të besoni se jeni konsumuar politikisht, këtë ua thotë shqiptarët por edhe diplomati europian Ervan Fouere, i cili pa diplomaci, ju tha: Cfarë kërkon Ahmeti në qeveri? E di që mesazhin e keni kuptuar mirë, por e di se e keni hallin e moçëm: Ku të shkoni pasi të dilni nga qeveria? Këtë jeni dashur të mendoni më herët…
Pastja, edhe një gjë, ju porosisni Zoran Zaevin, “që t’i publikojë të gjitha materialet që i ka” në kuadër të “bombave. A nuk ju duket kjo deklaratë si hipokrizim dhe cinizëm? A ka ‘bombë” më të madhe për shqiptarët, se sa skandalet e sipërshënuara, duke filluar nga Monstra e deri tek Stema? Shqiptarët nuk hanë bari, o Ali Ahmeti. Ata nuk ua thonë dëshpërimin sepse kanë frikë nga hakmarrja, por gjithsesi e kanë mbamendjen e kthjellët.
Përpjekjet tuaj për t’i shitur shqiptarëve “ide të mëdhaja”, mediatikisht më shumë i ngjajnë aventurës së Don Kishotit, ndërsa politikisht, orvatjeve tuaja për të shpëtuar nga situata e krijuar paszaeviane.
Mendoj se edhe ju e keni kuptuar se kjo qeveri ditët i ka të numëruar, nëse eventualisht nuk ndodhin paralajmërimet e mediave proqeveritare për një, sic thonë ato, “indicent ndëretnik”!
Rrjedhimisht, bëhuni realistë dhe kuptoni se shqiptarëve, pikërisht për shkak të dështimeve tuaja politike në qeveri, ju nevojitet alternativë e tretë, edhe atë në mënyrë urgjente. Se cila do të jetë ajo alternativë, do të vendosin pikërisht shqiptarët të cilët janë të dëshpëruar dhe zhgënjeyr nga veprimet tuaja politike.
Alternativat e reja politike i sjellin njerëzit e intelektualë, të guximshëm dhe kreativë, dhe jo strukturat e konsumuara politike, kriminele dhe mediokër!










