Share

Emin Azemi: Shqiptarët me elitë të kontaminuar politike dhe klientelizëm

Analisti dhe publicisti Emin Azemi ka komentuar për INA mospraninë e partive shqiptare në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike që kanë nisur sot midis partive maqedonase në Bruksel, me ftesën e Parlamentit Evropian.

“Unë mendoj se mosmarrja pjesë e shqiptarëve në këtë takim, nuk duhet tu krijojë atyre komoditet, përkundrazi do të duhet ti mobilizojë ato që të reflektojnë, duke unifikuar qëndrimet rreth një platforme të përbashkët të veprimit politik. Të gjithë e kemi ditur se ky takim në Bruksel kishte karakter të ngushtë dhe ajo që po mundohet bashkësia ndërkombëtare tani për tani është të pajtojë faktorët politikë maqedonas, duke i dhënë kuptim jetës institucionale politike me të gjitha parametrat normal të funksionimit”, deklaroi për INA, analisti Emin Azemi.

Ai nuk beson se kjo përpjekje e ndërkombëtarëve do të rezultojë me ndonjë sukses spektakolar, për arsye se sipas tij, skena politike maqedonase është aq e plasaritur sa nuk ndihmojnë as mjeshtërit më të sprovuar të diplomacisë në Bruksel që ta riparojnë atë.

“Thelbi i acarimit aktual tani është afera e përgjimeve, e cila po përdoret nga pushteti dhe opozita për qëllime diametralisht të kundërta dhe është rast i rrallë kur autorësia e një përgjimi kaq skandaloz të ngelë ende anonim. Puna e parë që duhet zbardhur është nxjerrja në pah e kësaj autorësie dhe tek pastaj mund të flasim për dimensionet tjera të krizës. Opozita maqedonase nuk është treguar shumë e zgjuar në këtë aspekt, ndërkohë që pushteti me kokëfortësi dëshiron ta relativizojë këtë aferë duke i dhënë asaj karakter të subverzionit dhe tradhëtisë kombëtare”, nënvizoi njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Maqedoni, Emin Azemi.

Sipas tij, fatkeqësisht elita politike shqiptare në Maqedoni ende s`po mundet ta gjej veten në krejt këtë rrëmujë dhe kjo tregon për krizën në të cilën ndodhet ajo.

“Prandaj jam skeptik se me këtë elitë mund të presim ndonjë përfshirje cilësore në çfarëdo bisedimesh me faktorin politik maqedonas. Një elitë politike e cila është e kontaminuar nga virusi i lakmisë dhe klientelizmit nuk mundet t’i shpie proceset përparapa. Kam frikë se ajo madje mundet ato procese t’i kthej prapa”, theksoi Emin Azemi. (INA)