Lëvizja Besa prej sot zyrtarisht subjekt politik
|
Lëvizja BESA e njofton anëtarësinë e saj dhe opinionin e gjerë se sot e ka marrë vendimin e gjykatës se është regjistruar në regjistrin e organizatave politike në Republikën e Maqedonisë. Regjistrimi është bërë me emrin e saj zyrtar “Lëvizja BESA”. Gjykata e ka pranuar programin politik dhe statutin e Lëvizjes.
Në këtë mënyrë prej sot Lëvizja BESA edhe zyrtarisht, me organet zyrtare të formuara konform Statutit të Lëvizjes, do ta ushtrojë veprimtarinë e saj në skenën politike në vend, ndërsa përfaqësues juridik në cilësi të kryetarit të Lëvizjes deri në Kongres do të jetë Bilall Kasami.
Lëvizja BESA konventën e saj themeluese e ka mbajtur më 22 nëntor 2014, ku u promovua Këshilli Nismëtar i Lëvizjes BESA dhe u zgjodh koordinatori i Lëvizjes.
Në procesin e zhvillimit të Lëvizjes deri tash janë themeluar dhjetë këshilla nismëtare nëpër komunat shqiptare, ndërsa ky proces rrjedhë edhe në vazhdim.
Përveç kësaj Lëvizja BESA tashmë e ka promovuar edhe platformën e saj politike për dalje nga kriza, të quajtur Platforma e së ardhmes “RIDEFINIMI”, e cila vazhdon të promovohet nëpër vendbanimet shqiptare në Maqedoni.















