Pa unifikim, opozita shkon në amshim
“Është momenti të tejkalojmë veten dhe të bëhet bashkimi i gjithë iniciativave opozitare shqiptare sepse punën nuk e bën një gisht, po e bën grushti. Të gjithë mendojmë që gjendja shqiptare në Maqedoni nuk është e mirë, dhe bashkë mund të bëjmë më të mirën për shqiptarët, e të jemi më të fuqishëm. Peshku në det, kripa në tokë, vaji në shitore po të bashkohen në tigan japin produktin”, shkruan profesori universitar Izet Zeqiri në profilin e facebook. Sipas tij, vetëm bashkimi i kapaciteteve opozitare mundë të ngjallë shpresë te shqiptarët. Nëse ndonjë lëvizje mendon se vetëm mundë të bëjë diç prej tash është e gjykuar në dështim, shkruan gazeta “Lajm”.
“Mendjemadhësia është krenaria e njerëzve të dobët mbi mendjemadhësinë duhet te jetë mençuria. Është për tu habitur se pse nuk u gjet një asociacion apo organizatë që do ti bënte bashkë të gjitha këto lëvizje, parti, iniciativa opozitare së paku të diskutojnë për situatën aktuale. Popujt rëndomë ecin pas flakës ndriçuese të njerëzve të pastër,të drejtë dhe ngrohen me fjalët e tyre. Ftohja e popullit nga politikanët do ta rritë frikën e të nënshtruarve e kështu dhuna dhe e keqja vetëm do zmadhohet në këtë vend”, përfundon Zeqiri.
Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Nase Pajaziti opozitën shqiptare e vlerëson si konglomerat të çorientuar politik. “Është dukuri e çuditshme por e qartë se ato veprojnë mbi parimet e interesave personale të lidershipit, klaneve dhe grupimeve të mbyllura në një rreth vicioz. Janë faktorë të jashtëm që kontrollojnë apo sponsorizojnë pjesën më të madhe të opozitës shqiptare. Partitë opozitare shqiptare në të shumtën e rasteve i shmangen përgjegjësive dhe agjendave të tyre dhe ardhjen në pushtet e shohin përmes aleancave me maqedonasit. E gjithë kjo ndodhë në frymën e bajraktarizmit, parcializmit dhe dukurive tjera negative që po e mbajnë zvarrë këtë kaos në taborrin e opozitës së ashtuquajtur shqiptare. Ne kemi qenë dhe jemi dëshmitarë se si liderë politik shqiptar të nisur nga pazaret dhe prapaskenat e djallëzuara refuzuan unitetin, dhe në anën tjetër lanë peng dhe zvarrë gjithë elektoratin e papërcaktuar shqiptarë, që është në numër më të madh sa ai që është i përcaktuar politikisht”, ka thënë për “Lajm” Pajaziti.
Pajaziti është i mendimit se kjo situatë do të na përsëritet në rast se nuk ndryshon mentaliteti i këtillë vetëshkatrrues dhe që po mban peng tërë shqiptarët në Maqedoni. Ai më tej ka shtuar se ne jemi dëshmitarë edhe në kohën e fundit që parti të sapoformuara me dy tre apo më shumë persona shfaqin këto ambicie të sëmura dhe thirren në elektorate fiktive, duke kushtëzuar dhe shantazhuar misionin e unifikimit. Këto tendenca janë të rrezikshme dhe po zbehin dhe keqpërdorin çdo ditë e më shumë frymën e opozitarizmit shqiptar në Maqedoni.
“Në rast se këto bajraktarizma vetëshkatërrues nuk shohin pak arsye për tu bërë bashkë, atëherë fundi i tyre do të jetë sikur i subjekteve të tjera të opozitës, me liderë që kanë mbetur edhe pa vulat partiake. Pse të mos ndiqet shembulli i partive tona shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, ku pas një beteje të ashpër politike, kur është në pyetje interesi kombëtar apo avancimi i çështjeve, ato shtrinë dorën e pajtimit dhe bashkëveprimit me një agjendë të përbashkët. Këtë duhet ta bëjnë edhe partitë tona këtu dhe përveç deklaratave shterpe për unitet, duhet të shkëmbejnë mesazhe interne mes tyre dhe të trokasin në dyert e unifikimit”, ka përfunduar Pajaziti./Lajmpress/







