Fiks Fare: Vezët që shkojnë nga Maqedonia në Shqipëri, të rrezikshme
Pavarësisht bindjes që ka Autoriteti Kombëtar i Ushqimit apo Ministria e Bujqësisë lidhur me sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore që importohen në vendin tonë, realiteti dëshmon të kundërtën. Ky fakt tregon se filtrat janë të pamjaftueshme për të kontrolluar të gjitha produktet ushqimore që transportohen në vendin tonë. Një nga rastet më flagrante është ai i importit të vezëve nga Maqedonia, të cilat hyjnë dhe shiten për konsumatorët në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi, për sigurinë ushqimore. Vezët transportohen jashtë kushteve të parashikuara në ligj dhe nuk kontrollohen në doganë. Ky është konkluzioni i arritur në investigimin më të fundit të emisionit Fiks Fare, mbi vezën, një nga produktet bazë të shportës që konsumohet më shumë në vendin tonë. Por, veza është gjithashtu edhe një nga produktet kryesore që transmeton te pacienti Salmonelën.
Salmonela është një sëmundje vdekjeprurëse. Sipas OBSH-së, në vit, në të gjithë botën preken nga Salmonela më shumë se 80 mijë persona.
Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, OBSH i vë theksin sigurisë ushqimore. Por sa të sigurta janë produktet ushqimore që ne konsumojmë? Fiks Fare disa javë më parë tregoi se si në treg shiteshin vezë pa asnjë vulë e datë skadence. Por nga futeshin këto vezë? Një nga vendet e origjinës së këtyre vezëve, që janë sot në treg pa vulë është shteti fqinj, Maqedonia. Fiks Fare shkoi në Maqedoni për të mësuar më shumë mbi këtë tregti të paligjshme që vë në rrezik konsumatorin tonë.
Manastiri në Maqedoni
Manastiri është një qytet i Maqedonisë, ku kryesisht merren me blegtori. Gazetarët e Fiks-it u paraqitën si tregtarë te një pulari në zonën e Belimostit. Pronari maqedonas ishte i gatshëm t’ju shiste vezë pa asnjë lloj dokumentacioni shoqërues. Në pazar mund të hyje me të nëse blije më shumë se 30 kuti vezë. Secila kish nga 360 kokrra. Ai gjithashtu, në këmbim merrte përsipër t’i ndihmonte t’i kalonin në Shqipëri nga dogana nëpërmjet një kontakti shqiptar. Pasi gazetarët e Fiks Fare ranë dakord që do të blinin sasinë e kërkuar nga ai, ju dha numrin e një djali nga Shqipëria që, sipas tij, do t’i ndihmonte në gjithçka. Në telefonatën e parë që gazetarët e Fiks-it kontaktuan me djalin nga Shqipëria ai hezitoi t’i ndihmonte. Më pas pronari maqedonas vijoi telefonatën dhe i kërkoi që të ndihmonin për kalimin në doganë. Në telefonatën e dytë, djali nga Shqipëria pranon të takohet dhe të flasë për detajet e kalimit. Pas insistimit të gazetarëve të Fiks-it në telefon, ata pranuan të niseshin për në Maqedoni kundrejt pagesës. Sipas tyre, për kalimin në doganën shqiptare dhe maqedonase për 50 kuti nga 360 vezë secila duhet të paguanim 25 mijë lekë. Ndërsa ata vetë për transportin me makinën e tyre kërkuan 25 mijë lekë. Pasi u ra dakord, ata u nisën drejt Maqedonisë. Sipas tyre, vezët do të kalonin në orët e vona të natës ose të mëngjesit në doganën e Goricës në Korçë.
Importi/transporti i vezëve
Në Shqipëri janë 15 subjekte që magazinojnë dhe paketojnë vezë. Në harkun kohor të këtij viti janë bllokuar dhe asgjësuar 10.975 kokrra vezë. Kushtet në të cilat duhet të importohet e transportohet produkti janë disa, por më kryesori është që vezët transportohen dhe magazinohen në një temperaturë, e cila preferohet të jetë konstante, në mënyrë që të sigurojë kushtet optimale të higjienës së tyre. Sipas standardit të Komunitetit Europian, temperatura duhet të jetë 4 gradë Celsius.
/GazetaShqip/







