Bexheti: Malli “24 karatësh” na turpëroi gjithandej, në të gjitha trojet shqiptare
Akademiku dhe profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti ka adresur kritika të ashpra ndaj liderishipit shqiptar në Maqedoni.
“Po a nuk e shohim se dikush e ka gënjyer këtë popull për me shumë se 20 vite, dikush e ka mbajtur “flamurin e atdhetarit për gjithë këtë periudhë e për t’u mbuluar vetë vazhdimisht ka fabrikuar “tradhtarë” përgjatë gjithë kohës. E kanë privatizuar dhe përvetësuar verdiktin gjithëpopullor për qëllime personale të një klani të vogël të strukturuar me epiqendër dominuese vendimbërëse dhe periferi shërbëtorësh, siç prononcohen vetë satelitët që rrotullohen në orbitat e dështuara politike me pretendim dhe garë kush më shumë do t’i nënshtrohet dhe shërbejë epiqendrës. Epiqendra është “vëllai i madh” dhe satelitët janë shërbëtorët e tij besnikë deri në vdekje! Bile befasia ka qenë aq e madhe, saqë “i ka habitur” edhe bashkëpunëtorët më të afërt të tyre!, shkruan Bexheti duke adresuar kritika si ndaj BDI-së ashtu edhe PDSH-së. Për më shumë lexoni shkrimin e plotë të postuar në profilin në FB, Abdylmenaf Bexheti.
KRIZA NË MAQEDONI
Mos keni frikë nga askush, përveç nga frika vetë!
Në ekonomi kemi një parim për matje të efekteve dhe kostove i a.q. ekuacioni kosto-përfitim. Kostot, padyshim, janë te thyerja e Kushtetutës, ligjit dhe normat e të drejtave bazike të njeriut, që janë për çdo konsideratë. Njëkohësisht këto dhe kosto të tjera bile mund të konvertohen drejtpërdrejt në përfitime! Kostot individuale të “varrosjes” politike të plejadës së kësaj “klase” politikaneske padyshim mund të paraqesin përfitime kolektive të grupeve, që u çliruan nga ata.
Dijetari që e ka lënë këtë “amanet” shumë të vërtetë, ka pasur të drejtë. Jo se ka njeri të pagabuar në këtë botë, por ama dallimi është i madh midis gabimeve rutinore dhe atyre me qëllim përfitimi personal në kosto të gjithë të tjerëve. Këtu qëndron esenca e çështjes. E kanë privatizuar dhe përvetësuar verdiktin gjithëpopullor për qëllime personale të një klani të vogël të strukturuar me epiqendër dominuese vendimbërëse dhe periferi shërbëtorësh, siç prononcohen vetë satelitët që rrotullohen në orbitat e dështuara politike me pretendim dhe garë kush më shumë do t’i nënshtrohet dhe shërbejë epiqendrës. Epiqendra është “vëllai i madh” dhe satelitët janë shërbëtorët e tij besnikë deri në vdekje! Bile befasia ka qenë aq e madhe, saqë “i ka habitur” edhe bashkëpunëtorët më të afërt të tyre!
Në këtë periudhë të serialeve të “bombave” dhe të vërtetave, çdo ditë e më shumë shohim shpirtra të trazuar, reagime të frustruara, përdhosje vulgare, trillime paradoksale,…pothuaj të gjithë me një brengë shtesë për atë që “do të plasë nesër” dhe që do t’i shpalos “patriotët dhe çlirimtarët” njëkohësisht. I kuptueshëm është shqetësimi i gjithë atyre që janë përfshirë në këto dialogë djallëzorë, por nuk mund ta kuptoj se si vallë mendojnë se akoma dikush mund t’i arsyetojë këto veprime me manipulime dhe zhvendosje hipotezash, prej “çka e si” në “nga” kush kanë ardhur këto përgjime. Është krejtësisht e parëndësishme cili është burimi i tyre – me këtë le të merret gjyqësori nesër e gjithë kohën. Aktorët e serialeve të shpalosura mund ta kontestojnë eventualisht vetëm autenticitetin dhe transkriptimin e bisedave, nëse për këtë kanë ndonjë dëshmi. Bashkëveprimtarët, sado të paktë që u kanë mbetur, ua njohin zërin, por fytyrat jo deri në fund, edhe pse tanimë u kanë rënë maskat “patriotike” të kohërave melankonike! Këta janë thjesht eksternaliet më negative publike që i ka përjetuar populli shqiptar në pluralizmin demokratik në Maqedoni. Rekrutorët, trajnuesit dhe shfrytëzuesit e tyre, publikisht na kanë treguar qëmoti, por kjo sikur nuk ishte e mjaftueshme dhe duhej t’ua dëgjojmë zërin në origjinalitet, edhe pse në gjuhën më të “urryer” nga ata vetë!
Edhe në këtë shtjellim, si disa herë në paraqitjet dhe qëndrimet e deritanishme për këtë fenomen, mendoj se për këtë çerekshekulli nuk i ka ndodhur diç më të mirë vendit se projekti i së vërtetës, që në mënyrë sistematike po e shpall Zaevi. Pavarësisht se një pjesë dërmuese e publikut edhe mund t’i kenë imagjinuar këto veprime midis aktorëve politikë, sërish mendoj se dëshmitë për këto janë kapitali më i madh shoqëroro-politik i vendit deri më sot. Po a ka gjë më të vlefshme se e vërteta, bile edhe kur është në pyetje vetëm një individ e të mos diskutohet vlera e saj, posaçërisht kur ajo e përcakton fatin e të gjithë qytetarëve?! Po a nuk e shohim se dikush e ka gënjyer këtë popull për me shumë se 20 vite, dikush e ka mbajtur “flamurin e atdhetarit” për gjithë këtë periudhë e për t’u mbuluar vetë vazhdimisht ka fabrikuar “tradhtarë” përgjatë gjithë kohës, deri te ata që në emër të vlerave të luftës dhe dëshmorëve kanë bërë tregti pa kundërvlerë për gjakun shumë e tyre të çmuar. Krejt këto dolën në shesh edhe pse dikujt i duket se u bë përshesh!
Ja pse mendoj se viti 2015 do të jetë vit i kthesës, posaçërisht për ne shqiptarët në Maqedoni.
Së pari, i gjithë lidershipi fals dhe ata që na kanë përfaqësuar në nivelet më të larta dhe në emër të kapitalit politik shqiptar, që siç thonë ata i paska “dashur populli”, demaskohen tani e përgjithmonë. Si të mos e dojë populli këtë mall “24 karatësh”?! Na turpëruan gjithandej, në të gjitha trojet shqiptare. Secili individualisht, por edhe strukturalisht nëpër subjektet e tyre, do të paguajë çmimin që në këtë botë, sepse të gjithë ata që besojnë në Zot, kanë shpresuar për botën tjetër. Larja e borxheve që në këtë botë është në të mirë të tyre! Vërtet do t’u nxihet kjo jetë këndej, ashtu siç e kanë merituar, por mendoj se do shkojnë më “të pastruar” në botën tjetër. Kjo nuk është zgjedhje e tyre, por vendim i Zotit, falë i qofshim vetëm Atij! Në vend që t’i betoheshin verdiktit qytetar, prej ku kanë marrë fuqinë e përfaqësimit, ata i janë betuar një qendre tjetër! Si të duan le t’i fabrikojnë arsyetimet e tyre – ata i dinë gjendjet e tyre shpirtërore edhe pse shumëkush i mendon si të pashpirtë! Vuajtjeve nuk u shpëtojnë as edhe nga mungesa e ndërgjegjeje, por ngadalë e sigurt do t’i mbyt humbja e “ymytit” dhe lakmisë për karrierën e tyre politike. Sado që mendojnë se populli ka kujtesë të limituar, kjo situatë s’do t’i ngjasojë eklipsit politik, sepse zhgënjimi është i madh, pikërisht se ka buruar nga pritjet e mëdha!
Së dyti, duke lënë lidershipin ta vuajë hijen e dënimit të merituar, mendoj se vlera e projektit të së vërtetës qëndron në çlirimin nga frika që e instaloi regjimi diktatorial gati një dekadë të tërë. Jo se nuk kanë mëkate qeverisjet paraprake, përfshi edhe autorin e këtyre rreshtave, por ama kurrsesi jo të këtij formati dhe aq më pak të këtij qëllimi. Qëllimi ose, siç thotë populli, nijeti i keq në çdo gënjeshtër e bënë atë edhe më të keqe. Populli kroat ka një thënie filozofike: Të gënjesh asnjëherë, por të vërtetën jo gjithmonë (Lagati nikad ali istinu ne uvijek)! Andaj ky “shpërthim” pozitiv sikur e çliron popullin që të marrë frymë lirshëm, në të gjitha aspektet. Katarza politike, si proces me këto rezultate, edhe pse është e vonuar, padyshim është gjëja më e dëshiruar në rrethanat tona politike dhe shoqërore. Gjenerata e tretë, ajo e studentëve aktualë dhe atyre të sapodiplomuar, me gjithë dobësitë e sistemit të arsimit në përgjithësi, do të jetë faktori që do t’i përcaktojë dhe menaxhojë ndryshimet në shoqërinë tonë.
Pas çerekshekulli, ndoshta kjo është hera e parë që një fenomen politik, si projekti për të vërtetën në Maqedoni, nuk interferon në marrëdhëniet ndëretnike të dy bashkësive më të mëdha në shoqëri. Asnjë fenomen politik, si ky, deri sot nuk ka pasur bashkëmendimtarë, masë kritike individuale dhe grupore, pothuaj aq të përafërt në të dyja bashkësitë etnike më të mëdha. Përsëri, asnjë periudhë kohore në këtë histori pluraliste nuk ka përjetuar një barasdistancë ndaj problemit nga të dyja bashkësitë më të mëdha etnike,… për të mos vazhduar më tej me këtë varg ngjashmërish në diversitetin tonë etnik, kulturor e fetar. Strukturat e gjithë lidershipit shqiptar, pothuaj paskan pasur barasdistancë dhe dëgjueshmëri të plotë nga “bossi” i tyre politik! Jorastësisht, edhe për shkak të gjitha ngjashmërive që i theksuam, strukturat e DPMNE-së shqetësohen pse këto të vërteta shpalosen para gjithë opinionit të gjerë, me theks të veçantë para shqiptarëve! Sigurisht se ata janë të vetëdijshëm sa vështirë do ta kenë, nëse jo të pamundur, së paku për një kohë dhe kosto të caktuar të krijojnë (rekrutojnë, trajnojnë dhe menaxhojnë) struktura politike shqiptare me servilitet dhe përkushtim deri në vdekje, si “patriotët dhe çlirimtarët” aktualë! Gjenerata e tretë duhet të jetë e vërtetë!
Së treti, edhe përkundër gjithë dëmit kolateral kolektiv, masa kritike e përgjithshme akoma është e ulët! Nëse krahasimisht vrojtojmë, p.sh. problemet aktuale politike në Shqipëri, edhe pse shumë herë me përmasa dhe përmbajtje më të dyshimta se dëshmitë në Maqedoni, akoma s’ka një reaksion gjithëpopullor as për së afërmi me atë në Shqipëri. Po deshët edhe krahasimi me Kosovën do ishte i ngjashëm në aspekt negativ për Maqedoninë. Dhjetëra mijëra qytetarë solidarizohen në protesta, bile politiko-partiake për disa afera akoma të padëshmuara, që për nga pesha, përmbajtja dhe tangimi popullor janë pakrahasimisht më të vogla, krahasuar me këto në Maqedoni. Kjo situatë, sa është për lëvdatë të tyre (Shqipëri e Kosovë), po aq është për shqetësim te ne. Thjesht jemi me shumë ngecje, bile kemi shkuar dy hapa prapa dhe një përpara! Edhe kjo gjendje është rezultante e forcave politike në vend. Zaten ne në Tetovë disa herë provuam me protestat kundër helmimit. Kjo flet shumë për nivelin e vetëdijes sonë kolektive. Ndërgjegjja dhe vetëdija kolektive e një populli janë pasuria më e madhe publike e tij. Për këtë duhet të punojmë shumë, sepse vetëm kjo na shpie në progres të qëndrueshëm si popull dhe shoqëri në përgjithësi. Në të kundërtën do të na “shesin badihava” si deri tani!
Së katërti, vlerësimi dhe reagimi i bashkësisë ndërkombëtare rezulton më brengosës se i faktorit vendor! Që në “bombën” e parë, pa kalkulime diplomatike dhe ekuivoke, reagoi Uashingtoni ashtu edhe Brukseli, bile për habi edhe ambasada ruse çoi “selam” nga Kremlini! Vetëm pak ditë më vonë, Bundestagu gjerman në dyer të mbyllura debatoi për gjendjen tonë edhe pse kryeministri i cilësoi si të painformuar mirë! Ruana Zot kush dhe si na udhëheq – ata që e cilësojnë Bundestagun të painformuar! Sidoqoftë, edhe faktori ndërkombëtar e kuptoi me çfarë strukturash politike komunikon dhe bashkëpunon. Si duket inercioni rajonal dhe shtytja ndërkombëtare për progres janë në përpjesëtim të zhdrejtë me reaksionin vendor që, si pasojë, ka ngecjen tonë. Konvergjenca e faktorëve të jashtëm nuk mund ta neutralizojë divergjencën e faktorëve të brendshëm dhe, përderisa ky ekuacion politik dhe shoqëror nuk ndryshon, ne do të ngecim në proces. Nuk ndihmojnë as milionat e eurove dhe dollarëve dhe as edhe programet e përkrahjeve institucionale për të cilët taksapaguesit ndërkombëtarë kanë sakrifikuar shumë deri sot nëse ne vetë nuk vetëdijesohemi ta kthejmë sistemin e vlerave dhe kritereve standarde në shoqëri. Ka kohë që e kemi humbur busullën dhe navigimi ynë politik më shumë na largon se që na afron me Brukselin. Dikujt mundeni me zor t’i merrni, por jo edhe t’i jepni diçka.
Krejt në fund, Kadareja i madh ka shkruar “Ra ky mort dhe u pamë”! Në ekonomi kemi një parim për matje të efekteve dhe kostove i a.q. ekuacioni kosto-përfitim. Kostot, padyshim, janë te thyerja e Kushtetutës, ligjit dhe normat e të drejtave bazike të njeriut, që janë për çdo konsideratë. Njëkohësisht këto dhe kosto të tjera bile mund të konvertohen drejtpërdrejt në përfitime! Kostot individuale të “varrosjes” politike të plejadës së kësaj “klase” politikaneske padyshim mund të paraqesin përfitime kolektive të grupeve, që u çliruan nga ata. Tjetër është llogaria e përfitimeve të drejtpërdrejta, sepse e vërteta dhe çlirimi s’kanë çmim. Për këto dhe arsye tjera kushdo e për çkado t’i ketë bërë këto përgjime, do t’i falet faji. Prandaj bashkësia ndërkombëtare përkrah këtë proces. Ajo vazhdimisht deklarohet haptazi për aspektin e hetimeve të abuzimeve të publikuara pa u lëshuar në komentet se nga kanë ardhur ato përgjime. Edhe Snowden-i në fillim u anatemua, por ndryshoi komunikimin dhe sjelljen ndërkombëtare!
Pa një ndërhyrje veprimi me mekanizma neutralë ndërkombëtarë, është naive të pritet një zgjidhje e problemit. Së paku, historia e mëhershme, por edhe ajo më e reja, na ka mësuar se asnjë diktator nuk është vetëdorëzuar, përveç se kur është mbështetur “për muri” ose kur litari i arrin te fyti. Diktatura është si “Titaniku” – lundron e sigurt përderisa nuk përplaset dhe fundoset, kurse demokracia është si lundra fleksibile – edhe kur trazohen valët, prapanicën e ke gjithmonë të lagur, por nuk fundoset kurrë!







