Shtëpia e artistëve në Gajre, mbetet vetëm premtim - tetova1.com

Shtëpia e artistëve në Gajre, mbetet vetëm premtim


Kategoria: Kulturë

Postuar më: Sat, Apr 11, 2015





Shtëpia e artistëve pret të ndërtohet prej 5 vjetësh tashmë në fshatin Gajre. Premtime ka pasur shumë, duke filluar nga kryetarja e komunës së Tetovës, Ministria e Kulturës dhe sektori për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, të cilët, kohë më parë, rrahën gjoksin se do i dalin zot këtij projekti, të filluar nga shoqata e piktorëve të Tetovës.

“Edhe pse nga Komuna e Tetovës dhe nga Ministria e Kulturës disa herë është rrahur gjoks se do i qëndrojnë pas shoqatës së artistëve figurativ të Tetovës për përfundimin e këtij projekti që ka filluar që para pesë vitesh, megjithatë deri më tani, asnjë denar nuk është ndarë as nga ministria e as nga komuna për vazhdimin e këtij projekti”.

Kryetari i kësaj shoqate, Nevzat Kica, vazhdon vit pas viti për kërkoj ndihmë për realizimin e projektit, por përveç fjalëve boshe nga Komuna e Tetovës, ende ka dëgjuar për ndonjë dinar të investuar.

“Kryetaren e komunës e kemi përkrahur prej fillimit të mandatit të saj dhe vazhdojmë ta përkrahim këtë kryetare, mirëpo nuk kemi ende rezultat konkret prej asaj që kemi biseduar. Ministria e kulturës shoqatën e Artistëve nuk e ka përkrah katër vite radhazi, edhe këtë vit nuk jemi të përkrahur. E arsyeshme do ishte mos ngelim vetëm me fjalë, dhe mos ngelim vetëm me fotografimin edhe tonin me faktorët e politikës por edhe faktorëve të politikës me ne nëpër media apo portale të ndryshme”, deklaroi Nevzat Kica, Kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ.

Nga komuna e Tetovës, ashtu sikurse edhe vitet e tjera, vazhdojnë të mashtrojnë se do ndajnë mjete për përfundimin së paku të karabinasë së këtij projekti, por asnjëherë nuk kanë precizuar se kur do ndodh kjo dhe sa mjete do ndahen konkretisht.

“Komuna në buxhetin e vet ka paraparë mjete për artin dhe kulturën dhe ne jemi duke punuar në drejtim të realizimit të projektit ‘Art Haus’ të shoqatës së Piktorëve të Tetovës”, tha Lume Hyseni, Zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Shtëpia e nisur që në vitin 2009 ka filluar tashmë të dëmtohet për shkak të motin, dhe mos ndërhyrjes rinovuese të saj. Sipas premtimeve, ajo duhej të përfundonte brenda dy vitesh, por deri tani, është lënë në mëshirë të kohës. Bashkim Sulejmani

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net