Incidenti në Tetovë, vazhdon hetimi për zbardhjen e plotë të rastit - tetova1.com

Incidenti në Tetovë, vazhdon hetimi për zbardhjen e plotë të rastit


Kategoria: Lajme

Postuar më: Sun, Apr 12, 2015





Ka vazhduar edhe sot hetimi mbi zbardhjen e rastit të një nate më parë në lokalin Barcode në Tetovë, ku si pasojë e përleshjes me armë zjarri, jetën e humbi një i ri 22 vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës, ndërsa 11 të tjerë mbetën të plagosur. Nga Sektori i punëve të brendshme të Tetovës, njoftojnë se kanë identifikuar edhe një person që ka qenë natën e të shtunës në lokal gjatë shkëmbimit të zjarrit, për të cilin nuk japin informata shtesë nëse ka qenë i përfshirë në incident apo thjeshtë ishte mysafir. Jo zyrtarisht mësohet se mosmarrëveshja mes të rinjve, nuk ka filluar mbrëmjen e së shtunës, por se e njëjta daton që para dhjetë ditësh kur të rinjtë kanë qëruar hesapet mes veti, por pa saktësuar motivin. Njëri nga të dyshuarit për vrasje, vazhdon të jetë i shtrirë në spitalin klinik në Shkup nga plagët që ka marrë nga arma e zjarrit ndërsa i dyshuari tjetër, ende është në arrati pas të cilit policia ka lëshuar fletë arrest. Për Tetovarët, ky është një rast tejet i shëmtuar, ku humbi jetën një i ri dhe mbetën të plagosur 11 të tjerë. Ata fajësojnë pushtetin lokal dhe atë qendror, të cilët, sipas tetovarëve, shumë pak bëjnë për tu krijuar të rinjve vende për argëtim, në mungesë të të cilave, ata vërshojnë kafiteritë.

“Nuk kam koment sa iu përket problemeve me të rinjtë. Angazhim duhet të ketë më tepër shteti si shtet qoftë pushteti qendror apo lokal. Është mirë që të angazhohet shteti që të rregullojë fusha sportive rekreative. Me çdo kusht duhet sa më tepër të punohet në këtë drejtim që të rinjtë t`iu largohen lokaleve të mbyllura”.

“këto raste janë vërtetë prekëse dhe goditja në popullatën tonë që jetojnë në këtë qytet.
Pak është edhe neglizhencë e policisë, se nëpër vende të tilla ku organizohen mbrëmje duhet të jetë prezent policia”.

“Më tepër fusha sporti, normal rekreacion duhet, këtu tek ne fushat e sportit i kanë kthye në kafiteri , skam koment më shumë”.

Kriminaliteti tek të rinjtë në Tetovë, nga viti në vit shkon duke u rritur, dhe institucionet patjetër të ndërmarrin masa urgjente në këtë drejtim, thotë eksperti i kriminalistikës Qebir Avziu.

“Unë do doja të veçoja dy gjëra në këtë rast. Një është fakti se arma me të cilën është shkaktua vepra penale është dhënë me leje, që tregon për një defekt të madh të vet sistemit se si mundë të japin leje personave që janë rrezik potencial për të kryer vepra penale të kësaj natyre. Dhe e dyta duhet theksuar se të dhënat statistikore, nga viti në vit për vepra penale të kësaj natyre janë në rritje. Në Angli dhe në Irlandë, por edhe në vende tjera të Bashkimit Evropian dhe në SHBA, përdoret një metodë e re, “Ndalo dhe Kontrollo”, e që është një metodë preventive e cila i jep hapësirë policisë që në dyshimet më të vogla të ndalojë dhe kontrollojë personin i cili mundë të mbaj armë të ftohta apo armë zjarri dhe në këtë mënyrë ta parandalojë që ai të kryej një vepër penale, dhe jam i mendimit se kjo metodë duhet të vihet edhe tek ne”, deklaroi Qebir Avziu. Ekspert i kriminalistikës.

Edhe banorët kërkojnë masa më efektive nga ana e policisë për të parandaluar akte si ky yi fundi që ka tronditur rajonin e Tetovës dhe më gjerë. Bashkim Sulejmani

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net