‘Monstra’, Haziri: Edhe tre vjet pas vrasjes drejtësia assesi të vihet në vend
Tre vjet pas vrasjes makabre në liqenin e Smillkovës, familjarët e viktimave ashtu sikur edhe të atyre që u dënuam me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë, mbeten thellë të trishtuar nga rasti që nxiu jetën e tyre. Safet Haziri, babai dhe vëllai i dy të dënuarve në rastin ‘Monstra’, nuk e fsheh dot pikëllimin, por nga ana tjetër as hidhërimin dhe dëshpërimin e fuqishëm, për padrejtësinë siç tha që iu bëhet familjarëve të tij të pafajshëm të cilët dergjen nëpër burgje. Edhe pse ka humbur plotësisht besimin ndaj institucioneve, Haziri shpreson që drejtësia megjithatë do ta gjejë vendin e vet.
“Ne jo vetëm që jemi të bindur po jemi shume të bindur se ky është proces i montuar prej fillimit kur i kanë arrestuar ne e kemi ditur se djemtë tonë, vëllezërit tonë janë të pafajshëm..procesi është i montuar dhe siç po shihet edhe tash se çfarë punësh të këqija ka bërë pushteti, krerët të cilët gjoja e udhëheqin shtetin për të mbarë dhe për të mirë, ata paskan barë shumë krime, ata që na e mveshën emrin famëkeq Monstrum, në fakt ata kishin qenë monstra. Ne e kemi ditë se është proces i montuar, pse pikërisht neve ishim shënjestër dikush do të ishte, sepse sa herë që ndodh diçka në Maqedoni, çfarëdo që ndodh e keqe i mvishet shqiptarëve”, deklaroi Safet Haziri, familjar i të dënuarve në rastin ‘Monstra’.
Haziri megjithatë thekson se jo vetëm ai por të gjithë shqiptarët shpresën më të madhe e kanë tek kreu i LSDM-së Zaev i cili ka paralajmëruar publikimin e materialeve lidhur me rastin Monstra. Haziri i bëri thirrje Zaevit që sa më shpejtë ti publikojë materialet me qëllim që familjarët e tij të mos mbesin në mëshirë të fatit.
“Ne kemi pasur shpresa se e drejta do të vijë gjithsesi, por tash në këtë rast Zaevi me siguri ka bashkëpunëtor që duan ta nxjerrin të drejtën në shesh dhe gjërat e fshehta që janë bërë me montimet, ne shpresojmë që më shpejtë do të nxjerre se ne edhe populli shqiptar e pret këtë moment se mos vallë një ditë vjen një e drejtë më mirë një shpresë se për shqiptarët mund të ndërpriten këto montime, burgosje, vrasje, rrahje e fëmijëve”, tha Safet Haziri, familjar i të dënuarve në rastin ‘Monstra’.
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, tashmë disa herë ka paralajmëruar se do t’i publikojë të gjitha materialet që posedon edhe rreth rastit “Monstra”.
“Për rastin Monstra unë paralajmërova disa herë në konferencat për shtyp dhe intervista se gjithçka që ka tek ne, çfarëdo dëshmie, pranim, çfarëdo lloj regjistrimi audio, ose mesazhe të regjistruara, ne do ti publikojmë. Pavarësisht se sa do tu pëlqejë kjo disa grupeve në shoqëri. Flas për grupe qytetarësh, grupe etnike, pa marrë parasysh. E vërteta do të shkojë deri në fund. Ndonjëherë nuk do ti plotësojë pritjet, por është e vërteta. Edhe ajo do të publikohet”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, që ndodhi pikërisht 3 vjet më parë, gjashtë persona u dënuan me burg të përjashtëm. Alil Demiri, Agim dhe Afrim Ismailoviq, Fejzi Aziri dhe Haki Aziri u shpallën fajtorë për vrasjen ndërkaq vepra e tyre ende pa marrë epilog gjyqësor u cilësua si terrorizëm islamik nga ministrja e brendshme Gordana Jankullovska. Semra Jakupi








