Administrata do të shpërthejë nga stërngarkimi - tetova1.com

Administrata do të shpërthejë nga stërngarkimi


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mon, Apr 20, 2015





Maqedonia llogaritet si një prej shteteve më të vogla për nga numri i popullatës, por njëkohësisht është një prej vendeve të cilat kryesojnë me kapacitetin e sektorit publik, krahasuar për nga numri i të ashtuquajturve “buxhetorëve” për kokë banori. Punësimet masive në administratë, shkaktojnë komente të ndryshme në publik, duke filluar nga kritikat për shkak të punësimit të tepruar e deri tek qëndrimet e ndryshme se vendi po ballafaqohet me këtë problem që kur u pavarësua.
Sa i përket numrit të administratës shifrat janë të ndryshme varësisht se prej cilit institucion do të kërkoni përgjigjen. Sipas raportit të fundit të Avokatit të popullit për vitin 2014, të publikuar gjatë këtyre ditëve, në administratë ka 108.848 të punësuar për dallim nga viti 2007 kur ka patur thuajse dyfish më pak, ose 59.629. Numër më të madh të punësimeve të reja ka patur në periudhën 2010/2011, pak më pak se 20.000 persona. Nga Zyra e Avokatit të Popullit, siç informojnë, janë dorëzuar kërkesa me shkrim me tabela të përgatitura për plotësim deri tek 1.077 institucione, prej të cilave 1.062 kanë dorëzuar të dhëna, ndërsa 15 institucione edhe krahas kërkesave me shkrim dhe kontakteve telefonike nuk kanë dorëzuar përgjigje. Nuk ka të dhëna nga Ministria e shëndetësisë, Klinika për kirurgji digjestive, Prokuroria publike themelore për hetim të krimit dhe korrupsionit të organizuar dhe disa institucione arsimore dhe kulturore. Prandaj për këto janë në raport futur të dhëna nga viti paraprak.
Sipas të dhënave, në të gjitha dikasteret qeveritare për shembull ka të punësuar 15.713 persona, kurse më në numër është Ministria e punëve të brendshme me mbi 10.000 të punësuar, ndërsa pastaj vjen Ministria e mbrojtjes me 914 të punësuar. Në Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë, Sekretariatin ligjdhënës, për çështje evropiane dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit janë të punësuar 2.722 (më së shumti në këtë të fundit, madje 1.766 persona). Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të punësuarit në shëndetësi, kulturë dhe të punësuarit në ndërmarrjet dhe institucionet publike, të cilat janë të themeluara nga komunat dhe Qyteti i Shkupit janë hequr nga lista e administratorëve.
Nga Ministria e shoqërisë informatike kalkulojnë me numra të ndara–për administratën shtetërore dhe për atë publike. Sipas deklaratës së fundit të ministrit Ivo Ivanovski, “në administratën shtetërore punojnë 14.800 persona, ndërsa në administratën publike 118.000”. Por, këto numra nuk përputhen me ato të Entit të statistikës, i cili në sektorin publik ka numëruar 164.000 të punësuar të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kanë implikime në buxhetin shtetëror. Kjo analizë e bërë në fund të vitit 2013, në mungesë të numrit të unifikuar nga Qeveria, sipas ekspertëve, mund të konsiderohet më relevante. Sipas hulumtimeve të dekanit të Fakultetit juridik, Borçe Davitkovski, sa për krahasim, në vitin 1999 administrata publike ka patur 128 mijë persona të cilët kanë marrë pagesa nga buxheti (ajo deri në vitin 2009 është ulur për dhjetëra mijë). Ai para pak kohësh ka deklaruar se rreth 65 për qind e buxhetit për momentin shkon për rroga. Ajo, sipas tij, do të thotë se nuk ka tendencë zhvillimore. “Nëse keni parasysh se në vend ka 300 mijë të punësuar në sektorin real, ndërsa aq administratë, plus 280 mijë pensionistë dhe 100 mijë raste sociale, atëherë vijmë në përfundim se një punëtor mbulon tre persona”, ka deklaruar Davitkovski për “Utrinski Vesnik”. Ngjashëm mendon edhe ekonomisti dhe analisti politik Sllobodan Najdovski. Rritja e administratës, thotë ai, bëhet kryesisht për nevoja ideologjike dhe partiake të atyre që qeverisin me shtetin. “Ajo përveç se është e madhe është edhe joefikase. Mungesa e vendeve të punës në sektorin real kompensohet me plotësim të administratës me qëllim të kënaqet anëtarësia partiake. Jemi sjellë në stadium që askush të mos dijë se çka punon”, ka deklaruar Najdovski. Shoqëria, sipas tij, po ballafaqohet me partizim të tillë që nuk ka patur as në kohën e komunizmit. “Borxhet e mëdha që ndër të tjerash kanë të bëjnë edhe me rrogat do të kushtëzohen me reformat në administratë. Një gjë e tillë i ndodhi Greqisë, Portugalisë… Është humbje që partia në pushtet vazhdon me të njëjtën politikë. Shihni vetëm vendimin më të ri për punësim të përhershëm të honorarëve në administratë. Kjo është një situatë e padurueshme për një periudhë më të gjatë. Çmimin e lartë të gjithë do ta paguajmë”, thotë Najdovski. (Z.V.)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net