Edhe rritje ekonomike edhe rritje e borxhit
Me shkallë të rritjes ekonomike prej 3.8 për qind Maqedonia do mbetet një nga vendet e rajonit që do të nxisë rritje të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) dhe do të ketë ulje të ngadalësuar të numrit të papunëve, megjithatë do të ketë edhe rritje drastike të borxhit publik. Kështu thuhet në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) “Perspektivat ekonomike globale”. Sipas parashikimeve të reja të bëra në muajin prill të këtij viti, analistët e FMN-së vërejnë se përgjatë vitit 2015 bruto prodhimi vendor do të rritet, ndërsa ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe përgjatë tërë vitit. Krahasuar me vendet e rajonit, sipas analistëve, Maqedonia është njëri nga vendet që mund të realizojë projeksione më optimiste sa i përket rritje se BPV-së. Para Maqedonisë rritje më të lartë për këtë vit ka Mali i Zi, ndërsa Shqipëria deri në fund të këtij do të jetë lider sa i përket rritjes ekonomike prej 4 për qind.
Edhe përkundër parashikimeve optimiste nga ana analistëve të FMN, për rritje ekonomike sipas tyre Maqedonia duhet edhe gjatë këtij viti do të këtë numër të papunëve prej 27.4 për qind, që njëherit do të mbetet lider për numrin e të papunëve në Evropë. Kështu, sipas analistëve të FMN-së, pritet që numri i të papunëve në Maqedoni deri në fund të këtij viti të bie në 26.5 për qind, ndërsa deri në fund të viti 2016 të jetë 25.7 për qind. Krahasuar me vendet e rajonit, në Serbi numri i të papunëve është 20.7 për qind, Shqipëri 13.7 për qind, Slloveni 11.4 për qind dhe Bullgari 10.9 për qind. Poashtu sipas këtij raporti, analistët e FMN-së konstatojnë se Maqedonia është njëri nga tre vendet e rajonit që ka nivel të ulët të borxhit publik, por me tendencë që gjatë dy viteve të ardhshme të rritet ky borxh. Për momentin borxhi i jashtëm i Maqedonisë është 37.2 për qind, ndërsa në vitin 2016 ka tendencë që borxhi të rritet ne 40.2 për qind dhe në vitin 2017 niveli i përgjithshëm i borxhit publik të shkojë në 42.6 për qind nga niveli i Bruto Prodhimit Vendor. Nga vendet e rajonit, borxh më të ulët publik ka Bullgaria me 28.8 për qind dhe Kosova me 20.6 për qind, ndërkaq borxh me të lartë publik kanë Sllovenia me 79.7 për qind, Shqipëria me 79.5 për qind dhe Serbia me borxh publik prej 76.3 për qind.
Ndryshe, që nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit mars borxhi i vendit ka arritur në rreth 4 miliardë euro. Për tre muaj e gjysmë, Qeveria ka huazuar 352 milionë euro, ndërsa ka kthyer borxhe të vjetra në vlerë prej 236 milionë euro. Huamarrja më e madhe është bërë gjatë muajit mars kur Ministria e Financave përmes tre ankandeve të letrave me vlerë nga bankat komerciale vendore ka realizuar huamarrje në vlerë prej 240 milionë euro.
Ndryshe, vetëm tre ndërmarrje publike kanë borxhe tatimore prej 12.7 milionë euro. Kështu tregon lista e fundit e borxhlinjve e Drejtorisë për të hyra publike. Në listë janë 4.306 firma dhe qytetarë të cilët nuk kanë paguar tatime tre muajit e fundit, borxhi i të cilëve llogaritet në 200 milion euro. Në mesin e firmave debitore në listën e publikuar nga DAP-i janë edhe kompani të njohura, kurse në mesin e 10 borxhlinjve më të mëdhenj janë edhe tre ndërmarrjet publike “Pyjet e Maqedonisë”, “Rrugët e Maqedonisë” dhe RTVMja, të cilët së bashku kanë borxh prej 12.7 milionë eurove. Projeksioni i Qeverisë për rritjen ekonomike për vitin 2015 është paraparë të jetë 3.7 për qind. /Koha/




