APEL: Popullata urgjentisht të organizohet, ti dërgojë personat e armatosur nga Likova në Zajaz! - tetova1.com

APEL: Popullata urgjentisht të organizohet, ti dërgojë personat e armatosur nga Likova në Zajaz!


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Apr 21, 2015





Gazeta “Lajm” që moti ka paralajmëruar se shpëtimi i vetëm i disa strukturave politike nga aferat që po ju dalin në shesh, është fabrikimi i konfliktit të armatosur ndëretnik. “Lajm” që moti ka paralajmëruar se mund të përgatiten struktura të armatosura shqiptare që do të provokojnë policinë, për t’i dhënë pretekst për të ndërhyrë. Për fat të keq, incidenti i ndodhur sot në fshatin Goshincë, duket si pjesë e këtij skenari.

“Lajm” pajtohet plotësisht se në shumë sfera shqiptarët sot janë më të diskriminuar se në vitin 2001. Mirëpo nëse dikush vlerëson se është koha për luftë shqiptare kundër ushtrisë dhe policisë maqedonase, për të na bindur në qëllimet e veta të sinqerta, do të ishte mirë që atë luftë ta fillojë në Zajaz. Prej fillimit kemi shprehur dyshime se nëse fillon ndonjë konflikt ose incident në ndonjë vend tjetër, jashtë Zajazit, atëherë mund të bëhet fjalë për skenar të përgatitur nga jaranët qeveritarë.

Shqiptarët e Maqedonisë akoma e kujtojnë lavdinë e vitit 2001. Mirëpo shqiptarët e Likovës, Kumanovës, Karadakut të Shkupit, Malësisë së Tetovës, akoma e kujtojnë edhe tradhtinë e vitit 2001.

Për këtë arsye, popullata e komunës së Likovës duhet të organizohet urgjentisht dhe t’i izolojë këta persona të armatosur, para se të intervenojë policia, sepse pastaj do të krijohet kaos i cili vështirë mund të kontrollohet. Atyre duhet dhënë porosinë e qartë se shqiptarët e rajonit të Likovës dhe Kumanovës do të përkrahin çdo luftë politike ose të natyrës tjetër, nëse ajo fillon në Zajaz.

“Lajm” apelon deri te institucionet shtetërore në Kosovë, që të mos lejojnë keqpërdorimin e kufirit dhe territorit kosovar, sepse të mëdha janë gjasat që qëllimi i këtyre strukturave është konflikt i cili do të dëmtonte jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe imazhin e Kosovës si shtet.

“Lajm” apelon deri te bashkësia ndërkombëtare që të mos lejojnë para syve tanë të ndodhë një konflikt i kurdisur, që për qëllim mund të ketë humbjen e gjurmëve të parave të pista me gjak njerëzor.

Për të evituar hutinë e krijuar, “Lajm” bën edhe sqarimin se ofendimet për të cilat thuhet se ministrja maqedonase Gordana Jankullovska ia ka bë Adem Jasharit, nuk i janë adresuar heroit tonë kombëtarë, por partnerëve të Jankullovskës në Qeveri. Këtë mund ta verifikojë secili që dëshiron ta dëgjojë më me vëmendje incizimin e paraqitur.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net