Gazetaria, kjo armë e rrezikshme! - Gëzim Mekuli
|
Fushata parazgjedhore po afron. Mediat po shpërdorojnë fjalën dhe fotografinë. Shqiptarët si asnjëherë më parë janë të rrezikuar nga propaganda dhe “keqinformimi”. Është mu kjo gjendje që më shtyri të përqendrohem në disa modele sqaruese që ndikojnë në ndërtimin e opinionit publik dhe në “bindjet” e individëve. Këto modele mund të konsiderohen si sqarime të pjesshme, por këto modele, sot, janë duke u zbatuar me turr nga gazetarët tanë.
I pari prej tyre quhet “Band - Wagon - effect”. E veçanta e këtij modeli është se këtu regjistrohet një tendencë tek të dyshuarit dhe te të pavendosurit, të cilët duhet të zgjedhin mes dy pikëpamjeve apo personave me orientime të ndryshme partiake – të cilët turren dhe bashkangjiten në “karrocat” partiake që kanë më shumë anëtarë. Kjo do të thotë se të dyshuarit dhe të pavendosurit rreshtohen më lehtë pas ideve dhe pikëpamjeve të cilat dominojnë në hapsirën publike. Këtu mund të flitet për një “bashkëvrapim partiak”. Për disa është me rëndësi të jesh në taborr me ekipin fitues, prandaj gjithnjë e më shumë persona turrën dhe iu bashkangjitën pikëpamjeve, opinioneve apo politikanëve që kanë më shumë përkrahje e fuqi në shoqëri. Zakonisht për këta njerëz nuk është më rëndësi se si këto ide e këta politikanë kanë marrë fuqinë.











