Kur s’ke ç’bën, (ri)formo PPD - tetova1

Kur s’ke ç’bën, (ri)formo PPD


K
Kategoria: Opinione

Postuar më: Mër, Jan 29, 2014

Lexuar: 72 herë



Nga Emin AZEMI
Kur s’ke ç’bën, luaje derën! Kështu kanë thënë, zakonisht, për ata badihavxhinjtë, të cilët mungesën e kreativitetit e mbushin me ndonjë punë koti. I bie që edhe me luajt derën, është punë koti, ama me rëndësi me bë diçka. Mos me ndejt badihava, do të thoshte dikush.
Ose, rrëfimi për atë zanatçiun specifik që prej agut e deri në ngrysje të ditës merrej me tredhjen e qenve, paçka se i gjori më shumë harxhonte sapun për të pastruar duart, sesa fitonte nga puna që bënte. ‘’A s’është pak punë me të quajt hallku gruaja e ustait’’, ishte përgjigja e tij ndaj gruas së mllefosur, e cila assesi të pajtohej që burri i saj të humbte aq shumë kohë e para për një zanat, që të linte jo vetëm pa bukë por edhe pa autoritet.
Këtë rrëfim për kotësinë dhe lehtësinë për t’i shndërruar në banalitet veprimet jokreative, nuk do ta nisnim kësisoj po të mos kishim shkas një ngjarje (bile dy sish), e cila erdhi në vëmendjen e publikut si riciklim i një grumbulli shishesh të hedhura plastike. Ridizajnuesit e këtij produkti të ricikluar, sado që u munduan të na bindin se janë të aftë të vënë në lëvizje industrinë e konsumit të ‘’ushqimit të shpejtë’’, ata, megjithatë, na ngelën borxh një përgjigje që ende rri pezull në ajër: vërtet kemi nevojë për ushqim të skaduar, të paketuar (tinëzisht) si meny për të ngopur bujtësit e vonuar të një hani të braktisur?
Ngjarja që lidhi si një ylber i plasaritur, Tetovën e Xhepçishtin, shënon trivialitetin më lapidar të këtyre 24 vjetëve demokraci postmoniste. E tempuar vetëm pak muaj para zgjedhjeve (qofshin presidenciale, qofshin të parakohshme parlamentare) dhe e projektuar në dërrasat e çara të një skenografie bajate, kjo ngjarje, ende pa prodhuar ndonjë efekt publik, që në start deshifroi kotësinë e qëllimit, për të cilin, shumëkush, me të drejtë, dyshoi se është i sinqertë. Çfarë sinqeriteti mund të ketë në një shtëpi kur anëtarët e dalë pas një tërmeti, nuk nguten të sanojnë pasojat e rrënimit, fillimisht duke i shpëtuar njerëzit, por ngarendin turr e vrap të vjedhin, kush një tullë, kush një tra, e kush një dërrasë dyshemeje, për të nisur pak më tutje një ‘’kolibe’’, që do të ngrohte ambiciet meskine të një tufe njerëzish të dëshpëruar.
Kulla e dikurshme (PPD) u ‘’kolibëzua’’ nga vetë ata që, në vend se ta zhvillonin misionin për çka edhe ishte themeluar – ta përsosnin idealin e shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoni, përkundrazi, dezertuan dhe e lanë atë në duart e matrapazëve, të cilët për dy grosh të ndryshkur bënin ‘’rrush e kumbulla’’ një aset të çmueshëm kombëtar, të fituar me mund e djersë për shumë vite e nga shumë gjenerata. Ky kafshim së brendshmi i PPD-së, erdhi nga ata që vrapin pas karrierave individuale e paketuan si interes gjoja kombëtar (duke ia mësyrë BDI-së), dhe nga ata që lëvizjen e dikurshme gjithëpopullore të shqiptarëve të Maqedonisë e shndërruan në përroskë të tharë, vetëm sa për të zbutur buzët e ngrehulacëve, që patriotizmin e ditës e përkthenin në aksham pazar (duke i rënë në prehër PDSH-së).
Krejt ky rrëfim, për një parti që ishte e të gjithëve (për të cilën pati edhe shumë vërejtje e kritika), do të tingëllonte jokorrekt, po të mos ua pranonim dhe të rikujtonim meritat e një grupi të vogël idealistësh flokëthinjur të PPD-së, të cilët, ndonëse në minorancë, asnjëherë nuk i kontrabanduan idealet e tyre të sinqerta për qëllime ekstraordinere. Njerëzit e këtij grupimi të vogël patëm rastin t’i vërejmë edhe në Tetovë edhe në Xhepçishtë, mirëpo ç’e do kur ata kishin ngelur ende idealistë të pakorrigjueshëm, të cilët, për fatin e keqe të tyre, vazhdojnë të përdoren si aksione pasive në duart e ‘’brokerëve’’ të sprovuar dhe livadhisur në ‘’bursat’’ e huaja. Këta të fundit, vetëm kur kanë nevojë të lidhin mandatin me pensionin, u bie ndërmend të aktivizojnë këtë grupim idealistësh, argatllëku i të cilëve gjithmonë shitej lirë, edhe atëherë kur duhej të shkohej në birucat e Shutkës e Idrizovës, edhe tash kur nga gurët e dikurshëm të kullës bëjnë pluhur për të ngritur kasolle në erë.
Gjithmonë, idetë e mëdha, sidomos ato që tejkalojnë një hark të ngushtë interesash grupore e krahinore, nuk vijnë vetvetiu, por edhe nuk shuhen vetvetiu, pa patur një shtytës të fuqishëm. Nëse PPD, dikur ishte formuar si parti politike për të artikuluar institucionalisht doktrinën kolektive të një populli të shtypur e anashkaluar, dhe nëse u dekompozua për arsyet e sipërthëna, ajo nuk mundet sot assesi të shërbej si gacë për të ndezur prushin e përgjumur të atyre të cilët paaftësinë për të ofruar alternativë të njëmendët politike, përpiqen ta kompensojnë duke huazuar një emblemë të vjetër në tregun e ri të politikës. Ata do të mund ta bënin edhe këtë sikur të ndiqnin një rrugë tjetër: që paraprakisht idenë e tyre ta bënin publike dhe të debatueshme për një rreth më të gjerë njerëzish dhe brenda një harku më të gjatë kohor, duke e përdorur (pse jo) PPD-në si mbindërtim të një vizioni krejt të ri, në koherencë me nevojat dhe shqetësimet e atyre që vërtet po kërkojnë alternativë të re politike në Maqedoni.
Mirëpo, çka ndodhi në praktikë? Brenda kornizave të një pamje që dikur kishte shkëlqim, ata reinkarnuan sërish sindromin e vetëshpërbërjes, duke përsëritur metodologjinë e marrjes me politikë vetëm për nevoja të ditës, e jo për ndonjë kauzë që do të ishte zëvendësim i kaotikës momentale në arealin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Përpos një kontributi të vockël për t’ia shtuar agoninë pushtetit aktual, kjo nismë nuk ofroi asgjë tjetër. Për ironi të fatit, po ndodhë, që vetë ne, po djegim shanset e ofrimit të alternativave të njëmendëta, në njërën anë, dhe po bëjmë amortizim vulgar të pakënaqësive politike e sociale të njerëzve, në anën tjetër.
Historia nderohet në dy mënyra: kur ajo interpretohet drejt dhe kur nga ajo nxirren mësimet e nevojshme. Në rastin e PPD do ta quanim nder sikur emri i kësaj partie politike të përmendej vetëm si burim referencial i një trashëgimie politike, por jo edhe si përpjekje që prej saj të bëjë gjithsecili nga një muze privat me artefaktet e vjedhura të kësaj trashëgimie. Kështu, siç po provojnë ‘’kustosët’’ e tanishëm, do të vijë puna që të sotmen aktuale ta fshehim nga ata që do të vijnë pas nesh, sepse përpos përsëritjes së gabimeve, si duket, nuk jemi të denjë t’u lëmë diçka tjetër trashëgim atyre.
A nuk mjafton kjo për të kursyer, sadopak, të ardhmen nga budallallëku unë i sotëm?