Partneri i BDI-së në Qeveri kërkon president me ‘gjak të pastër’ maqedonas
Për president të Republikës së Maqedonisë do të vendosin vetëm maqedonasit, konsiderojnë nga partia maqedonase, TMRO e cila është partnere në koalicionin qeveritar ku merr pjesë BDI-ja.
“Për TMRO presidenti i shtetit maqedonas, patjetër duhet të jetë maqedonas i pastër sipas gjakut, nominimi i tij të bëhet nga maqedonasit, t’i prezantojë interesat kombëtare maqedonase dhe përfundimisht të dijë të tregojë kudo që të shkojë se çfarë janë maqedonasit dhe populli maqedonas”, thuhet në kumtesën e kësaj partie.
Disa parti dhe analistë kanë përsëritur disa herë se edhe BDI kërkon që kandidati për president të jetë maqedonas. Nëse me të vërtetë është kështu, atëherë i vetmi dallim mes propozimit të BDI-së dhe TMRO-së është se partia e Ahmetit insiston që kandidati të quhet “konsensual”.






