Radika është pjesë e historisë dhe kulturës shqiptare
AGIM VINCA
Edhe kjo s’ishte dëgjuar: qeveria e Maqedonisë, nëpërmjet një projekti bizar, të paparë ndonjëherë në këto anë, synon ta devijojë rrjedhën e lumit Radika dhe t’i kthejë ujërat e tij në Vardar! Kështu shkruan këto ditë shtypi shqiptar në Maqedoni dhe, aty-këtu, edhe ndonjë medie tjetër. Nuk është me rëndësi se cila do të jetë sasia e ujit që do t’i rrëmbehet Radikës: një pjesë e tij, gjysma apo edhe në tërësi (informatat lidhur me këtë janë kontradiktore); shqetësues është fakti që po preket një pasuri natyrore, një lumë, ndër më të pastrit në Evropë, uji i të cilit, qoftë edhe pjesërisht, nuk do të derdhet më në detin Adriatik, si gjithmonë, prejse mbahet mend, por në detin Egje!
Vetëm ky fakt, kjo e dhënë, mjafton për të ngritur zërin në kupë të qiellit; për të vënë kujën si plaka Ajkunë e “Urës me tri harqe” ndaj atyre që i bien në qafë lumit të Ujanës së Keqe: firmës “Rrugë&ura”, të konvertuar në këtë rast në ndërmarrjen ELEM (Elektranat e Maqedonisë), projektin e së cilës po e financuaka Banka Botërore!
Pas ndërhyrjes së faktorit njeri, në të vërtetë të faktorit shtet dhe mekanizmave të tij, një aset i rrallë natyror, lumi përrallor rrëzë Korabit, rrezikon të shterë, të thahet, të zhduket përgjithmonë nga faqja e dheut!
Dhe ky veprim i paparë, që lirisht mund të quhet krim, pavarësisht nga motivet prapa të cilave fshihet, nuk është vetëm cenim i ekosistemit, i biodiversitetit, i florës dhe faunës, siç është thënë me të drejtë nga subjektet që kanë reaguar deri më sot, por edhe diç më shumë, që nuk është vërejtur nga reaguesit. Prekja e Radikës, grabitja e ujërave të saj, devijimi i tyre, është cenim direkt edhe i kulturës dhe historisë së banorëve që jetojnë në brigjet e tij; që lindin, jetojnë e vdesin aty brez pas brezi.
Radika, sikurse edhe lumenjtë e tjerë të gjeografisë shqiptare: Drini, Shkumbini, Vjosa, Valbona, Mati, Semani, Osumi, Buna, Vardari, Ibri e të tjerë, është pjesë e historisë dhe e kulturës shqiptare. Prekja e këtij lumi, prandaj, është edhe prekje e kujtesës dhe e krenarisë kombëtare. Lumenjtë kudo në botë kanë një konotacion të tillë.
Një lumë nuk është thjesht një lumë. Një lumë është shumë më shumë. Një lumë, ashtu sikurse edhe një fushë a një mal, një liqen a një det, një katund a qytet, një krahinë a shtet, është pjesë e kulturës materiale e shpirtërore të një bashkësie dhe e kujtesës së saj individuale e kolektive.
Në këngën popullore të Hajredin Pashës, që është një nga perlat e epikës historike shqiptare, në të cilën flitet për kryengritjen antiturke të banorëve të krahinës së Dibrës kundër perandorisë osmane, të përfaqësuar nga pashai zullumqar, gjithçka sillet rreth Radikës, fillon e mbaron me të. “Hajredin Pasha, po na vjen-o Radikës/ Vallë ku jan-o k’to malet e Dibrës?” – shtron pyetjen rapsodi popullor që në vargjet e para të këngës, për të dhënë sakaq përgjigjen: “Malet e Dibrës more kanë lidhë besë/ Kanë lidhë bes-o, more të tanë/ Turkut Dibrën-o mos me ja lanë”.
Krijuesit të kësaj kënge, që ka ushqyer me shekuj ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe lirinë, as që i ka shkuar ndër mend se një ditë mund të zhbëhet krejtësisht apo edhe pjesërisht, lumi-dëshmitar i kësaj ngjarjeje të madhe historike, të skalitur përgjithmonë në kujtesën e njerëzve.
Në një këngë tjetër popullore, që, ndryshe nga e para, është lirike, shfaqet pak a shumë i njëjti peizazh dhe imazh: ai i shkrirjes së njeriut me natyrën, me lumin në këtë rast; i fatit të tyre të përbashkët. Poeti popullor këndon për fatin tragjik të një vashe, që bie viktimë e zakoneve prapanike. Dhe e tërë “ngjarja” ndodh buzë lumenjve: Drinit e Radikës, që janë të pashkëputur nga njëri-tjetri. “Dri, o Dri, o i ziu Dri,/ t’u thaftë shtrati, nata raftë mbi ty!/ Kur të dridhet hana përmbi valë/ breg më breg po më kërkon një djalë,/ kur ta shohësh diellin tuj prendue,/ kujto, nanë, se cuca tasht martue,/ të ashtë martue, nanë, me gurët e zallit,/ më përcollën nuse zogjtë e malit”. (Revista “Nëntori” nr. 11, Tiranë 1988, f. 50). Në gjithsej tetë vargje zhvillohet një dramë e tërë: drama e cucës dibrane, që hidhet në valët e Drinit, për shkak të dashurisë së ndaluar nga kanuni i egër i maleve. Fjala është për një tekst poetik me fuqi e bukuri të rrallë artistike: baladë e Orfeut shqiptar, që vajton Euridikën e tij, duke shqiptuar invenktiva të denja për penën e një Homeri a Fishte.
Poeti Adem Gajtani, njëri nga krijuesit më të talentuar të brezit të vet, i përkthyer edhe në maqedonisht, ka një poezi kushtuar Radikës, në të cilën, nëpërmjet gjuhës poetike, ku pleksen metafora e hiperbola, glorifikon bukurinë e Radikës, këtij lumi të pastër si loti, uji i të cilit, sipas poetit, ka fuqi magjike: “Kaprojt që pinë ujin tënd nuk i zë plumbi”. Një varg antologjik, që nuk do të mund të lindte pa objektin e vet të këngëtimit – lumin e Radikës.
Edhe autori i këtyre rreshtave, në një poezi të tij i referohet Radikës si lumë, por edhe si simbol i qëndresës së një etnosi e bote, që i kanoset rreziku i vdekjes. Madje, për çudi, me këtë poezi ai e mbyll librin e tij “Kohë e keqe për lirikën” (1997), sikur ta dinte se një ditë do të vinte kohë e keqe për Radikën! “Rrjedh Radika mes maleve -/ lot i ngrirë në qepallë./ Përpëlitet me shpirt ndër dhëmbë/ Reka, vendi im”. Reka e Dibrës dhe banorët e saj shqiptarë të besimit ortodoks a “drejtlavdor”, si e quante biri i saj poet, Josif Bageri, po birren nga dita në ditë. Andaj: “Gjëmon Radika e Drini plak./ Kollitet Korabi kreshtëbardhë”.
Shembujt e mësipërm dhe shumë tjerë, që s’u përmendën këtu, dëshmojnë se sa e lidhur është memoria historike, por edhe imagjinata artistike e banorëve të kësaj treve me Radikën dhe Drinin, që bëhen bashkë në ish-fushën e Udovës, të shndërruar në liqen, për të vazhduar rrugëtimin si një trup i vetëm në territorin e shtetit shqiptar.
Radika është, siç dihet, dega kryesore e Drinit të Zi; pa ujërat e saj do të pësonte shumë kjo arterie vitale e trojeve shqiptare, që krahas begatisë natyrore, ka edhe një të kaluar të lavdishme historike.
Çështja “Radika”, prandaj, nuk është problem vetëm i ekosistemit; ajo ka edhe përmasën e saj jo më pak të rëndësishme kulturore dhe, doemos, edhe aspektin e saj politik.
Qeveria shqiptare, ajo e mëparshmja, e cila, për çudi, nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Maqedoni perceptohej si “kombëtare”, në mos edhe “nacionaliste”, duket se e ka dhënë pëlqimin e saj për këtë projekt kaq problematik, të dëmshëm për jetën e banorëve të kësaj treve, të banuar kryesisht me shqiptarë, por edhe për vetë Shqipërinë si shtet (projekti daton nga viti 2008), ashtu siç pat vepruar edhe me marrëveshjen për detin me Greqinë, të cilën e hodhi poshtë si të kundërligjshme dhe të dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Është detyrë e qeverisë së re shqiptare që t’i thotë jo këtij projekti famëkeq të qeverisë së Maqedonisë, ashtu siç u tha jo armëve kimike të Sirisë. Për lumenjtë dhe ujërat në përgjithësi ekzistojnë konventa ndërkombëtare, që përcaktojnë rregullat e shfrytëzimit të tyre. (Një marrëveshje e tillë ka ekzistuar edhe mes qeverive të ish-Jugosllavisë dhe të ish-RPS të Shqipërisë si shtete fqinje). Mjafton të kërkohet respektimi i tyre dhe të përfillet vullneti i popullsisë vendore, interesat e saj social-ekonomike dhe, pse jo, edhe vlerat kulturore, që janë vlera universale.
Në një protestë të ditëve të fundit, banorët e Dibrës së Madhe, e kundërshtuan kategorikisht këtë projekt, siç u tha, të përbashkët mes Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë dhe artikuluan qartë arsyet e heqjes dorë nga ky projekt.
Thirrja: “Ta mbrojmë Radikën!” është bërë tashmë moto e ditës e banorëve të Dibrës së Madhe, e cila, për shkak të politikave të këtilla në dëm të saj, po zbrazet nga dita në ditë; të Dibrës si krahinë dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe e të tjerëve që jetojnë në këtë hapësirë e që janë jetësisht të lidhur me bukuritë dhe pasuritë e saj.
Kur preket gjeografia e një vendi, me a pa dashje, preket edhe historia e tij.
Prandaj, mos e trazoni Radikën, zotërinj! Mos e vrisni lumin, të cilin, siç thotë poeti, edhe po të mos ekzistonte do të duhej ta krijonim!
Adem Gajtani
RADIKA
Kush e di se çfarë zogu diellor
ka kaluar këtu dhe me flatra i ka prerë shkëmbinjtë?
Dielli është rob i përmakëve të lartë kreshtash,
hëna turpërohet nga ergjënti i shkumës sate,
kaprojt që pijnë ujin tënd s’i kap plumbi,
në djepin tënd lind nata më e bukur.
Kah më vrapojnë kuajt e tu të bardhë,
çfarë nusesh agimi çojnë?
Krushqit ti m’i vret me bukuri,
shkëmbijve u fal sytë e blerimit
dhe të ruajnë me xhelozi e amshim.
Edhe në mos qofsh, duhet të të trillojmë.
(As dru as zog dashuri, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1982)










