Rezervat devizore rreth 200 milionë euro më pak se vitin e kaluar
Përfundimisht me muajin dhjetor të vitit të kaluar, rezervat devizore janë zvogëluar për 200 milionë euro dhe tani kanë vlerën prej 1 miliardë e 993 milionë euro. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Ndryshe, në vitin 2012 rezervat devizore në valuta të huaja ishin rreth 2.2 miliardë euro, ndërsa rezervat në ari mbi 270 milionë euro. Ulje më e madhe sipas të dhënave të BPM-së ka në pjesën e valutave të huaja, edhe atë për 252,6 milionë euro, ndërsa rezervat devizore që ruhen në ari janë zvogëluar për 85 milionë euro. Ndërkaq, në anën tjetër ka rritje në rezervat devizore që ruhen në letra me vlerë, vlera e të cilave për vitin 2013 është rritur për 135,5 milionë euro. “Gjendja e rezervave devizore përfundimisht me muajin dhjetor të vitit 2013 kap shifrën prej rreth 2 miliardë euro dhe këto të dhëna vazhdimisht i publikojmë në ueb faqen e BPM-së. Sa i përket çështjes se ku ruhen rezervat devizore, është i rëndësishëm plasimi i tyre dhe se siguria e plasmanit ka prioritete të lartë, kështu që rezervat devizore ruhen në bankat e atyre vendeve që kanë vlerësim më të lartë nga agjencitë ndërkombëtare të rejtingut. E këto vende janë: Gjermania, Franca, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA”, thotë Bogoljub Jankoski, shef kabinetit të guvernatorit të të Bankën Popullore në Maqedoni Dimitar Bogov.
Struktura e valutave të rezervave revizore, thotë ai, është e kushtëzuar nga strategjia e zbatimit të kursit devizor të denarit ndaj euros. “Në situatë ta këtillë, për shkak të intervenimit të disahershëm në tregun revizor, BPM pjesën më të madhe të rezervave e ruan në euro. Por ka dhe valuta tjera, gjegjësisht struktura valutore harmonizohet në bazë të borxhit të jashtëm që ka Maqedonia, apo strukturën valutore vendi e përcakton në bazë të detyrimeve të shkëmbimit tregtar të jashtëm”, thotë Jankoski. Gjithashtu, ai thotë se BPM-ja rezerva devziore ka edhe në ari dhe sipas të dhënave të fundit të BPM-së, deri në fund të vitit të kaluar si rezerva devizore në ari ka qenë 190.3 milionë euro. Ndërkaq, sa i përket faktit se kur dhe për çka mund të përdoren rezervat devizore, Jankovki thotë se nëse kihet parasysh funksioni bazë i tyre, rezervat devizore mund të përdoren për servisimin e borxhit të jashtëm si dhe intervenimit në tregun devizor ditor. “Rezervat devizore mund të shfrytëzohen për sigurimin e ekonomisë së vendit nga shoku ekstern, për servisimin e rregullt të borxhit të jashtëm, ruajtjen e kredibilitetit të ekonomisë vendore në korniza ndërkombëtare, por dhe rezervat devizore mund të përdoren edhe për intervenim në tregun devizor në vend”, thotë Jankoski.







