Ivanovi paguan 5 800 euro për kravata
|
Presidenti Gjorgje Ivanov në vitin 2012, ka blerë kravata në vlerë prej rreth 6 mijë euro edhe atë nga kompania pronare e së cilës është skulptorja, Valentina Stefanovska, e cila ka bërë një mori skulpturash të Projektit “Shkupi 2014”.
Dokumentetpër blerjen e tyre janë shpallur në faqen e prokurimeve elektronike.
“Në byronë e prokurimeve publike, në seksionin ‘evidentimi’, ku regjistrohen prokurimet e vogla që bëhen pa shpallur tender, gjegjësish, ato bëhen me marrëveshje në katër sy, mund të vërehet blerja e kravatave në vitin 2012 në vlerë prej 5800 euro në firmën ‘FOKABO DOOEL’, ku drejtore e firmës është pikërisht, skulptorja kundërthënëse, Valentina Stevanovska, autorja e përmendoreve “Kalorësi” (Aleksandri i madh), Porta triumfale, shatërvani me përmendoren e Filipit të Dytë dhe shumë vepra tjera të projektit “Shkupi 2014”, thuhet në njoftimin e “Nova TV”.
Skulptorja Valentina Stevanovska nga firma e së cilës janë blerë kravatat për presidentin Ivanov, ka thënë se, edhe pse është drejtore e firmës së babait të saj, ajo nuk ka ditur gjë për blerjen e kravatave, sepse nuk ka kohë të punojë në firmë.
Nga kabineti i presidentit Ivanov thanë se bëhet fjalë për ndryshim tendencioz dhe keqdashës të fakteve me të vetmin qëllim, diskreditimin e institucionit, President i Republikës së Maqedonisë. “Shumat e përmendura nga kontratat e prokurimeve publike, paraqesin shuma të planifikuara të prokurimit publik që jo përherë realizohet plotësisht, gjegjësisht nuk janë paguar të gjitha shumat e paraqitura në kontrata, por sipas faturës për shërbimin e kryer”, theksojnë nga kabineti i presidentit.












