60 për qind e rrogës në xhep të shtetit
Detyrimet që taksapaguesit ia shlyejnë shtetit i kushtojnë deri në 60 për qind të pagës mujore bruto, ose 42 për qind e pagës neto. Bëhet fjalë për detyrime që paguhen në formën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), akciza e të tjera, duke bërë kështu që në xhepin e qytetarit të mbeten shumë pak të holla në dispozicion për t’i shpenzuar për shërbime dhe të mira materiale reale. Që do të thotë se e marrë në përgjithësi, çdo person që është i punësuar - në formë të rregullt më shumë se 40 për qind të rrogës së tij mujore neto ia jep shtetit duke paguar tatime, akciza, shërbime të ndryshme të shtetit, si legalizimi i tokës, marrja e dokumenteve të udhëtimit, taksave gjyqësore, gjobave, por edhe përmes çmimeve gjithnjë në rritje të produkteve të konsumit të përditshëm. Për shembull, për bukën dhe produktet e tjera ushqimore, ashtu si edhe për ujin, medikamentet mjekësore, transportin dhe kompjuterët - TVSH paguhet në 5 për qind. Por shumë produkte të tjera kanë TVSH në nivelin prej 18 për qind, si për shembull, energjia elektrike, dhe në rast se nuk do të paguhej TVSH, çmimi që do të paguhej do të ishte më i vogël. Ndërkohë që shteti përfiton 180 denarë për çdo 1000 denarë që një familje do ta paguajë faturën e energjisë, e cila në realitet është 820 denarë. Një tjetër shembull për vlerat e tepruara që paguhet është edhe ai i një prej produkteve më të konsumuara - karburanteve. Nëse një litër benzinë paguhet 86 denarë, në të vërtetë kushton 49, ndërkohë që rreth 37 denarë të tjerë për çdo litër i paguhen shtetit, në formën e akcizës dhe TVSH-së. Sipas disa përllogaritjeve që janë kryer në një studim të publikuar në revistën “Kapital” referuar rrogës mesatare të vitit 2012, me paratë që paguajnë çdo muaj qytetarët për detyrimet e ndryshme - arka e shtetit mbushet deri në 75 për qind, ku 36 për qind e të tërë buxhetit të Qeverisë mbushet nga vjelja e TVSH-së dhe akcizave. Me urdhëresë të shtetit, automatikisht merret 60 për qind e pagës bruto, duke i lënë nën kontroll dhe përdorim real vetëm 40 për qind. Për shembull, për një pagë mesatare neto prej 30.469 denarë, shteti urdhëron që të mbahet 32 për qind e rrogës, ose 9.688 denarë, duke i lënë punonjësit vetëm 20.781 denarë. Pjesa e mbetur e pagës neto shpenzohet për të paguar taksa, si ajo e tatimit mbi pasurinë, TVSH, taksa shtetërore dhe të gjitha detyrimet e tjera ndaj shtetit. Një punonjës me rrogë mesatare e shpenzon rrogën e tij neto në formë të atillë që me 12.072 denarë ose 58.1 për qind të saj do të blejë të mira materiale dhe shërbime reale, ndërsa shtetit do t’i japë 8.709 denarë ose 41.9 për qind për TVSH, akciza dhe detyrime të tjera.
Evis HALILI






