Ali Ahmeti thirrje për unitet në Luginë, ‘pikë e pesë’ në Maqedoni - tetova1

Ali Ahmeti thirrje për unitet në Luginë, ‘pikë e pesë’ në Maqedoni


uniteti_181708717
Kategoria: Lajme

Postuar më: Sht, Shk 8, 2014

Lexuar: 912 herë



Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për unitet të partive shqiptare në Luginën e Preshevës, derisa mungon uniteti mes partive shqiptare në Maqedoni.
Ahmeti këtë kërkesë e ka bërë në një takim që ka zhvilluar në Tetovë me kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu.
Sipas komunikatës që ka nxjerrë LPD thuhet se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi unitet ndërpartiak e ndërshqiptarë, për t’i përballuar më lehtë këto vështirësi të natyrës politike dhe ekonomike.
“Por, gjithashtu Ahmeti kërkoi unitet ndërshqiptar edhe rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, që spektri politik shqiptar të dalë me një Listë të përbashkët, në mënyrë që ata vetë të vendosin për këto procese nëpër të cilat po kalon Lugina, njofton Qendra për Informim e LPD-së.


Jonuz Musli dhe Ali Ahmeti sot në Tetovë

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deri tani po zhvillon një fushatë politike për të kërkuar marrëveshje koncensuale për partinë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE rreth një presidenti koncensual, derisa nuk është shprehur asnjë sinjal për bashkëveprim me partitë shqiptare për një kandidat të vetëm shqiptarë në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.
Ahmeti dje deklaroi se akoma nuk ka marrë përgjigje nga VMRO-DPMNE rreth idesë së presidentit koncensual. Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski sot bëri të qartë se kandidatura presidenciale përcaktohet nga konventa partiake e VMRO-DPMNE e caktuar në fillim të marsit. Ai me këtë ka përjashtuar një kandidaturë koncensuale me partitë e tjera të komuniteteve jomaqedonase, gjegjësisht shqiptarëve.
Ndërkohë, ka qenë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi që ka shprehur gatishmërinë e bashkëveprimit me Ali Ahmetin për çështje të rëndësishme për shqiptarët. Ai ka thënë se oferta e tij është e hapur dhe se pret gatishmërinë për bashkëpunim për çështje të rëndësishme.
“Ne jemi të gatshëm të flasim për çështje shumë serioze. Po të doje dikush seriozisht të bisedojë me ne për këto çështje ne jemi të gatshëm, ashtu siç i kam thënë edhe Ahmetit që ne të vendosim para nesh një platformë: 1. Prioriteti çështja e integrimeve, 2. Ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit, 3. Zyrtarizimi i tërësishëm i gjuhës shqipe dhe 4. Ngritja e mekanizmit të konsensusit të pjesërishëm të Badinterit në parlament në konsensus të plotë, të tjerat besoni se janë shumë të lehta”, deklaroi kreu i PDSH-së.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare rreth mundësisë për bashkëpunim midis partive politike shqiptare, apo do të vazhdojë përvoja e përçarjes dhe kaosit të shpërndarjes dhe humbjes së votës shqiptare.
Thirrja e Ahmetit për Luginën ka nxitur edhe reagime të ndryshme nëpër forumet e rrjeteve sociale të portaleve informative në Luginën e Preshevës. / ina/