Bojkoti i mundshëm zgjedhjeve nga BDI, do krijon krizë institucionale në Maqedoni
|
Institucionet e Maqedonisë do të mund pësonin krizë serioze në rast të bojkotimit të zgjedhjeve presidenciale nga ana e BDI-së, siç është paralajmëruar.
Vlerësohet se thirrja për bojkot do të mund të kishte ndikim edhe për ecurinë e institucioneve ekzekutive. Partia shqiptare në pushtet ka kohë që ka plasuar në opinion idenë për një kandidat konsensual, si mënyra më e mirë për legjitimuar presidentin e ardhshëm edhe me plebishitin e votës shqiptare.
BDI e ka çuar më tej idenë duke kërkuar marrëveshje politike që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit në Parlament, si një mënyrë e mirë për të përfaqësuar më drejt rolin e presidentit.
Por, deri tash partneri maqedonas në Qeveri, VMRO-DPMENE nuk ka mbështetur këto propozime, ndërsa e ka bërë të qartë se kandidati do të zgjidhet në konventën e partisë që do mbahet në fillim të muajit tjetër.
Është raportuar se forumet brenda VMRO-së janë duke lobuar që presidenti aktual të kandidojë prapë, një hap që do të mund të nxiste pakënaqësinë e BDI-së, e cila e ka bërë të qartë se presidenti aktual është emri më pak i pëlqyer prej shqiptarëve.
Ndërkohë, BDI ka paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mos marrjen pjesë në zgjedhjet presidenciale.
Zëdhënësi Bujar Osmani i ka bërë thirrjen e fundit VMRO-së dhe partive të tjera politike që të reflektojnë për propozimin që të arrihet pajtueshmëria për një kandidat që përfaqëson vullnetin e dy popujve konstitutivë të vendit.
“BDI ka vendosur që të mos jetë pjesë e një procesi politik ku shqiptarët vetëm rrejshëm do ta legjitimojnë kryetarin e shtetit, kurse vota e tyre nuk do të jetë vendimtare për zgjedhjen e presidentit.
BDI po shqyrton edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si një mënyrë që të lirohet hapësirë për t’u fokusuar e gjithë energjia e shoqërisë për zgjidhjen e çështjes së emrit”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, tash më së paku i duhet Maqedonisë një president i cili nuk do ta ketë legjitimitetin e më shumë se një të tretës së qytetarëve, në një periudhë kur vendi do të ballafaqohet me sfida, siç është zgjidhja e emrit.
Osmani ka deklaruar se tash më shumë se kurrë ka nevojë për bashkim duke synuar rezultate para samitit të NATO-s, për t’u futur nën ombrellën e sigurisë.
“Nuk na duhet një situatë që do të rrisë ndarjen ndërmjet atyre që duan hyrjen në NATO dhe atyre që nuk duan këtë, duke pasur mundësi edhe për urrejtje dhe konflikte ndëretnike”, ka thënë Osmani. Për dallim nga BDI-ja, PDSH-ja e Menduh Thaçit ka vendosur të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale, me kandidatin të saj për president.
“PDSH-ja do të garojë në këto zgjedhje presidenciale, me qëllim që të mos lejojnë dikush ti konsiderojë shqiptarët si turmë, po të tregojmë se jemi popull i organizuar”, ka njoftuar PDSH-ja. Vendimi për kandidatin e partisë së Thaçit do të merret sonte, në mbledhje të Kryesisë Qendrore në Tetovë.
Ndërkohë, Bujar Osmani nuk komentoi iniciativën e PDSH-së. “Presim vendimin e tyre zyrtar”, ka deklaruar Osmani. Në anën tjetër, në rast të dështimi të zgjedhjeve presidenciale për shkak të bojkotimit të BDI-së do të mund të shkaktonin një krizë tjetër institucionale e cila do të mund të rezultonte me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vjeshtë të këtij viti.
Analisti politik Mersel Billali thekson për “Zhurnal plus” se BDI duhet të ketë informata të mjaftueshme për të gjitha mesazhet edhe nga elektorati edhe nga faktori ndërkombëtar se çka duhet të bëjnë. “BDI është pjesë e një strukture që merr përgjegjësi për të gjitha ato që kanë ndodhur deri tash, për shkak se është në koalicion.
Po të isha në pozicionin e tyre do të kisha menduar shumë thellë se si të tejkalohet situata e vazhdueshme e agonisë në të cilën gjendet Maqedonia, jo vetëm për çështjen e emrit, por për të gjitha sferat. Ka një përgjegjësi, së pari morale e pastaj edhe politike”, ka thënë Bilalli.
Ai mendon se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që të mbajë një balancë në çështjen e diskutimeve aktuale politike. “Nuk besoj se të huajt janë të interesuar që të ketë zgjedhje paralele presidenciale dhe parlamentare.
Por, e shoh se këtë opsion e rrotullojnë partitë politike. Nuk e di sa mund që t’i kuptojnë mesazhet e qarqeve diplomatike, të cilat asnjëherë nuk vijnë direkt, por janë mjaftueshëm të qarta”, ka theksuar Bilalli.
Ndërkohë, për ish-kryeministrin Vllado Buçkovski zgjedhjet presidenciale, për shkak të bojkotit të BDI-së, nuk do të jenë të suksesshme. “Për këtë pres që në vjeshtë të kemi edhe zgjedhje presidenciale edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Buçkovski, për “Utrinski vesnik”.
Në këtë situatë, bojkotimi i zgjedhjeve presidenciale nga shqiptarët dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është gjithnjë e më e mundur për shkak se Gjorgje Ivanov po fiton më shumë përkrahje për t’u rikandiduar.
Zëvendëskryeministri Zoran Stavrevski është njëri prej funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së që ka dhënë përkrahjen e tij për kandidimin e kryetarit aktual Gjorgje Ivanov për mandat të ri. Në këtë mënyrë është bërë e qartë se zëvendëskryeministri Stavrevski nuk do të garojë në garën presidenciale, siç ishte spekuluar.
Sipas informatave, përveç Stavrevskit kandidimin e Ivanovit e ka përkrahur edhe Antonio Milloshoski, kryetari i Shkupit Koce Trajanovski, kryetari i Komunës ës Aerodromit Ivica Konevski dhe drejtori i DAP-së, Goran Trajkovski. Ivanov për kandidimin e tij tashmë ka siguruar përkrahjen e kryetarit të Ohrit Bakraçevski, të Kisela Vodës Beliçanec Aleksiq, të Prilepit Marjan Risteski dhe të Makedonska Kamenicës Darko Mitevski, ndërsa pas Ivanovit qëndron edhe kryetari i Unionit Rinor, Vladimir Nelovski.
Përkrahje për Ivanov ka ardhur edhe nga doktoresha Vesna Janevska si dhe nga Ashim Zekirovski. Më parë, mediat shpallën se Ivanov ka marrë përkrahje nga shumë drejtorë, sportistë dhe peshkopë. /zhurnal/







