Çfar fshihet në bojkotimin e mundshëm të zgjedhjeve presidenciale nga BDI? - tetova1

Çfar fshihet në bojkotimin e mundshëm të zgjedhjeve presidenciale nga BDI?


Kategoria: Lajme

Postuar më: Hën, Shk 10, 2014

Lexuar: 1 259 herë



Alsat-M shkruan se nëse nuk pranohet propozimi i BDI-së për kandidat konsensual për president, të pranueshëm edhe për shqiptarët e Maqedonisë, BDI-ja do të shqyrtojë bojkotimin e përhershëm të zgjedhjeve presidenciale. Siç thonë jo zyrtarisht funksionarët e BDI-së, partia e Ahmetit është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga VMRO DPMNE-ja. Në rast të refuzimit të propozimit, BDI shqyrton mundësinë e mos pjesëmarrjes në zgjedhje presidenciale, jo vetëm në këtë cikël, por edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale, deri sa të arrihet formë që presidenti të shpreh vullnetin edhe të shqiptarëve.
Zërat e tilla nga BDI-ja pasojnë pas deklaratës së djeshme të Gruevskit, i cili tha se nuk beson që shqiptarët mund të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Edhe PDSH-ja disa herë ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk janë të interesuar për zgjedhjet presidenciale dhe mund të mos marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Bojkotin e zgjedhjeve presidenciale, VMRO-ja e quan distancim nga të drejtat personale.
Ndërkohë për analistin, Edmon Ademi i gjithë ky bojkot i paralajmëruar nga BDI-ja nuk është asgjë më tepër, përpos se një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“BDI-ja nuk është e sinqertë me votuesit shqiptarë, dhe se pas “bojkotit” në të cilin thiret, në fakt fshehet kontrata me DPMNE. BDI dhe DPMNE jane të vetëdijshme se shqiptarët nuk votojnë për kandidatin e DPMNE për President, por që ta evitojnë faktin se shqiptarë mos votojnë kandidatin e opozitës,(rasti i Çairit dhe Kumanovës në zgjedhjet lokale) sipas gjitha gjasave, Stevo Pendarovski, thërasin në gjoja “bojkot”. Që do të thotë, se “bojkoti” i zgjedhjeve Presidenciale nga ana e BDI-së, është në favor të DPMNE, dhe kot jane muhabetet se nuk arrihet cenzusi (40%) pa shqiptarët. Nëse donin që zgjedhja e Kryetarit të shtetit të mvaret nga shqiptarët, partitë politike shqiptare, ate duheshte ta mendojnë kurë përkrahën uljen e cenzusit nga 50% në 40%!”, - shkruan Ademi në FB.