Çfarë kishte ndodhur në ditët e fundit para vdekjes së Presidentit Trajkovski? - tetova1

Çfarë kishte ndodhur në ditët e fundit para vdekjes së Presidentit Trajkovski?


Kategoria: Lajme

Postuar më: Enj, Shk 27, 2014

Lexuar: 3 723 herë



Në 10 vitet e kaluara, reporteri Blaze Minevski disa herë ka biseduar me Vilma Trajkovskin, bashkëshorten e kryetarit të ndjerë, e cila ka folur mbi tragjedinë dhe dyshimet lidhur me të, për mosshkuarjen e saj në Mostar, për shqetësimet rreth bashkëshortit në ditët e fundit të jetës së tij, si dhe disa momente të tjera të panjohura për publikun…

Para 10 viteve, aeroplani me të cilin udhëtonte Presidenti Boris Trajkovski me tetë pjestarë të delegacionit dhe ekuipazhin e aeroplanit, është rrëzuar në fshatin Rotimlje afër Mostarit.

Pak minuta pasi u bë e ditur tragjedia, e gjitha u bë një mister i vërtetë - çfarë kishte ndodhur me aeroplanin me të cilin udhëtonte kryetari Trajkovski?

Sipas paralajmërimeve të komisionit që është marrë me këtë cështje të tragjedisë, është vërtetuar se të dhënat duhet të përpunohen edhe njëherë si dhe të sillet një vendim diku në prill të këtij viti.

Por siç është e njohur, Maqedonia kishte kërkuar që në janar të vitit të kaluar të hapet përsëri çështja nga autoritetet boshnjake rreth rrëzimit të aeroplanit.

”Më ruaj jetën nga armiqtë”

Një vit pas tragjedisë, në 2005, disa herë është biseduar me Vilma Trajkovskin, bashkëshorten e kryetarit të ndjerë Boris Trajkovski. Ajo ishte deklarata e saj e parë në publik pas tragjedisë.

”Aspak nuk jam e kënaqur me punën që bëhet rreth tragjedisë, edhe pse nga organet më të larta shtetërore është marë vendim që çështja të shkoj deri në fund dhe të definohen arsyet e rrëzimit të aeroplanit, edhe këtë gjë e pres nga ato që të realizojnë. Edhe pse nuk është gjetur as aeroplani e as vendi ku ka ndodhur fatkeqësia, menjëherë është shpallur dita e zisë dhe kanë filluar të vinë telegrame ngushëllimi ndërkohë që ne akoma kemi shpresa se të afërmit tonë janë gjallë”, kishtë thënë atë kohë Vilma Trajkovska, me lot në sy.
”Ishim në martesë 20 vite, por unë dhe Borisi më duhet sikur njiheshim gjithë jetën. Kur isha nxënëse në shkollë fillore shpesh kemi shkuar në Strumicë, vend ku për herë të parë edhe jemi takuar. Më pas në gjimnaz isha unë kurse ai filloi studimet në fakultetin juridik në Shkup. Ishim shokë të mirë për më shumë se 10 vite, por ai ishte këmbëngulës dhe me atë këmbëngulësi miqësia jonë u kthye në dashuri”.
Në vitin 1984 ata fejohen ndërsa një vit më vonë martohen. Tre vite më vonë ju lindën vajza Sara ndërsa në vitin 1992 lind edhe djali Stefani. Shtatë vite më vonë pas lindjes së djalit, Boris Trajkovski zgjidhet kryetar i Maqedonisë.

”Tre ditë pas tragjedisë në Mostar, vajza Sara e ka gjetur biblën në tavolinën e dhomës së fjetjes së prindërve. Vajza erdhi duke qarë e më tregoi se i ati e kishte lexuar biblën edhe ditët e fundit të jetës së tij. Ditët e fundit të jetës ishte disi i shqetësuar, i mbyllur në vetvete dhe shumë i mërzitur. Mungonte buzëqeshja në fytyrën e tij dhe gjithmonë në mendime. Disa herë kam parë se si sheh në një pikë dhe nuk flet asgjë, ai pothuajse në shtëpi nuk fliste asnjëherë për punën e tij, për atë se cfarë ndodh në kabinetin e tij. Por më datë 24 shkurt më është lajmëruar nga kabineti ku edhe shpesh ndodhte që të qëndronte vonë, për të më pyetur nëse do të doja të shkonim bashkë në karnevalin e Strumicës. Kërkoi falje që nuk më ka treguar më herët. Por në zë dukej se ishte shumë i lodhur. Për fat të keq unë kisha rregulluar disa punë tjera me djalin dhe nuk kisha mundësi t’i anuloj, por edhe nuk kisha kohë që të rregullohem për udhëtim. I tregova se atje është Sara me shoqet. Atë natë derisa ka hyrë në qytet është dëgjuar me vajzën, e ka pyetur se ku është që do ta shohë por për shkak të turmës së madhe të njerëzve nuk ka mundur ta shohë edhe pse ka qenë me sigurim. Sara edhe sot e kësaj dite nuk do ia fal vetes që nuk ka mundur ta shoh të atin atë natë. Pas përfundimit të karnevalit, delegacioni drejtohet për tek hoteli dhe natën vonë ka kërkuar që ta shoh të atin e tij. Sigurimi është habitur pse pikërisht në atë kohë. Borisi i ka zgjuar nga gjumi prindërit e tij duke ju thënë se vetëm ka ardhur t’i shohë. Një Zot e din pse pikërisht në atë kohë”.
Edhe pse natën mes të martës dhe të mërkurës është kthyer vonë në shtëpi, ai ka rënë në gjumë diku rreth orës 3 të mëngjesit dhe është zgjuar të nesërmen pra më 25 shkurt 2004 para orës tetë, që ka qenë dita e fundit para tragjedisë, tregon Vilma Trajkovski.

”Natën e së mërkurës, ka qenë në punë deri ora 22:30min, kur erdhi në shtëpi fëmijët flinin. Ai thuajse deri në mesnatë ka biseduar në telefon, nuk e di sa ishte ora kur Sara u zgjua dhe erdhi poshtë. Ajo thotë se gjithmonë do e kujtojë babain e saj në foto se si qëndronte ulur me këmishë të bardhë dhe kravatë duke biseduar në telefon. Ajo ka kaluar pranë tij ka marrë akull në frigorifer dhe ai e ka parë e në një moment ka ndërprerë bisedën duke i thënë se mos merr shumë akull se do të ftohesh. Me të vërtetë ka qenë shumë baba i kujdesshëm, falenderues dhe një njeri i qetë”

Pak më vonë kur mbaroi bisedën Sara përsëri ka zbritur poshtë e ka përqafuar të atin dhe i thoshte, ”Shumë ke ndryshuar kohës fundit, je plakur”, Boris më shikoi mua duke dashur të më thotë a vërtetë jam plakur, a kishte vetëm 48 vjet.

Ka dhe një moment interesant në lidhje me udhëtimin e tij të fundit. Në Mostar ishte në plan të udhëtoja dhe unë, pasi me Bogic Bogicevic jemi miq familje dhe ai e kishte pyetur Borisin nëse do shkoja dhe unë që edhe ai me bashkëshorten të vinë nga Sarajeva që të shihemi në Mostar, tregon ajo.

“Unë e anulova udhëtimin për shkak të disa punëve në shtëpi por edhe më shumë për atë se qëndrimi në Mostar ishte vetëm një ditë dhe nuk shkohej në Sarajevë e nuk doja ta mundoj Bogicin me bashkëshorten të vinin nga Sarajeva. Kur doli nga shtëpia ishte fiks 6:15 minuta, akoma nuk ishte zbardhur. Gjithmonë do e kujtoj atë moment kur Borisi largohet nga koridori dhe mbyll derën e futet në veturë e më pas kolona niset. Në mëngjes, pasi mbarova disa telefonata, në derë u shfaqën dy persona nga sigurimi, fytyra e tyre kishte ndryshuar, menjëherë kuptova se diçka nuk ishte në rregull.

Më kërkuan të kaloj në pjesën zyrtare të rezidencës dhe të futemi në kabinet. Djemtë e sigurimit më treguan se aeroplani i kryetarit kishte humbur nga radarët në aeroportin e Mostarit. Por më thanë se pritet që të kthehet në kontroll. Informacioni kishte qenë dhe në radio e unë nuk e kisha dëgjuar. Pyeta se kush ishte pilot ato më thanë se Marko Markovski, e dija se është i mrekullueshëm. Djemtë ikën e unë e ndeza televizorin, lajmi shkonte çdo kohë e unë e shtangur nuk dija kë të pyes dhe çfarë të bëj”

E trishtuar në ato momente, Vilma kujton se nuk ka pasur guxim as të telefonojë bashkëshortin e saj, por dhimbja sa më shumë që bëhej e shtohej. Natën së bashku me fëmijët e kishte kaluar duke u lutur për shpresë që lajmi mos jetë i vërtetë. Por rreth orës 9 ishte vërtetuar se aeroplanit i është gjetur lokacioni ku ka rënë por për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe terrenit të minuar, ekipi i shpëtimit ka ndërprerë aktivitetin. Bashkë me kryetarin Trajkovski në këtë aksident ajrorë jetën e kanë humbur edhe këshilltarët e tij Dimka Ilkova Boshkovik, Risto Blazevski, Anita Lozanovska, diplomati nga MPJ, Mile Krstevski, sigurimi i kryetarit Boris Velinov dhe Ace Bozinovski si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.