Diaspora do të votojë më 12 prill
|
Në seancën e djeshme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) është konstatuar se zgjedhjet presidenciale do të kushtojnë mbi 245 milionë denarë ose 4 milionë euro.
Të drejtën e votës në diasporë do ta kenë të gjithë shtetasit e Maqedonisë të cilët me paraqitjen do ti parashtrojnë dokumentet përkatëse - pasaportë valide biometrike, leje për qëndrimin dhe leje për punën në vend. Fletëparaqitja - formular 30 është publikuar në ueb sajtin e KSHZ-së ose në ambasadat e përfaqësive konsullore.
Fletëparaqitjet duhet të dorëzohen më së voni deri më 2 mars. Votuesit do të regjistrohen në listë të posaçme zgjedhore. Diaspora do të votojë në përfaqësitë diplomatike-konsullore e Republikës së Maqedonisë në Evropë dhe Afrikë, në Amerikën Veriore dhe Jugore si dhe në Australi dhe Azi, si një njësi zgjedhore sipas modelit të shumicës.
Anëtarët e PDSH-së dhe BDI-së, në Komision, kërkuan ballina e Listës zgjedhore, si dhe pjesa e brendshme, pos në gjuhën maqedonase të botohet edhe në gjuhën shqipe. Në këtë reaguan anëtarët e VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se me ligj është vërtetuar se lista zgjedhore duhet të jetë vetëm në gjuhën zyrtare - maqedonase. Anëtarët e KSHZ-së ndaj kësaj çështjeje kërkuan t’u parashtrohet mendim nga institucionet kompetente.











