Helmim apo mjegull?
Arsim Zekolli
Nuk kam arsye dhe aq më pak qëllim për të dyshuar në sinqeritetin e fëmijëve dhe profesorëve në Gostivar.
Por ajo që më habit dhe më befason është sjellja komode e BDI ndaj këtij incidenti (por edhe ndaj atij në Tetovë). Anash fakti që KM Maqedonas Gruevski personalisht vizitoi pacientët, ndërsa KM Ahmeti dërgoj jaran-kukullën për tu fotografuar para kamerave në edhe një tentativë për të përmirësuar imazhin inekzistent para publikut Shqiptar. KM Ahmeti në ndërkohë, gjen kohë për të belbëzuar margaritaret komediante për çelik shqiptar ne betonin e VMRO-DPMNE-së.
Por, nuk kuptoj këtë komoditet kur fëmijët në Gostivar shtrihen në spital, ndërsa udhëheqësia e BDI vrapon për të organizuar koncerte dhe ahengje nëpër Shkup dhe Tetovë, pa asnjë grime turpi apo solidariteti me fëmijët dhe prindërit e tyre.
Më të moshuarit kujtojnë ditët kur reagonim ndryshe, në kohëra kur Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi pinin makijato nëpër kafeteritë zvicerane. Atëbotë, kur fëmijët në Tetove dhe Gostivar vjellnin vrer nga helmi, Shkupi ishte në të zeza, nënat në Kumanovë dridheshin para pamjeve televizive, në Strugë prindërit prisnin fëmijët para oborreve shkollore, në Dibër, në Kërçovë nata zbriste para se të perëndon dielli.
Sot, të mos gënjehemi, po shijojmë frytet e intrigave përçarëse të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Kur rrihen fëmijët në Shkup, Tetova qeshet cinikisht dhe përbuzë Shkupjanët se sa qyqarë janë. Kur Gositvarasit helmohen, Shkupjanët pa fare turpi organizojnë “Milingona partiake”, ahengje kafiterish dhe koncerte zhurmash tallava-gabele “për përvjetorin të pavarësisë së Kosoves”. Kur Struganët dërgojnë fëmijët e rrahur nëpër spitale, Kumanovarët reagojnë me dy xhygyma qaji dhe 2 orë shahirlek për trimërinë e vet. Kur përbuzen të vdekurit e Kumanovës nga BDI-ja, Kërçova i përbuzë se sa primitivë dhe të joqyteteruar janë këta “kosovarët”. Kur preket Radika, Dibra kërcen në këmbë, por kur tetovarët mbesin të etur nën Sharr, nuk i ke askund.
Komb?
Ndoshta një ditë.







