Heshtje në USHT, pas ‘trazirave’ në UP - tetova1

Heshtje në USHT, pas ‘trazirave’ në UP


Kategoria: Arsim

Postuar më: Mër, Shk 12, 2014

Lexuar: 1 056 herë



Në Universitetin Shtetëror të Tetovës po mbretëron heshtje dhe nuk ka asnjë reagim apo debat lidhur me çështjen e titujve shkencor dhe punimeve shkencore kontestuese dhe problematike.
Profesorë të këtij universiteti i janë shmangur debatit mbi këtë çështje, duke mos u deklaruar se a duhet të verifikohen të gjithë titujt shkencor, gradimet shkencore dhe punimet shkencore që janë siguruar nga dhjetëra profesor në mënyrë me shumë të panjohura dhe deri tek shkelja e ligjit.
Kjo nuk po ndodhë duke ndjekur zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, ku studentë dhe profesorë shpërthyen me protesta, duke kërkuar zbardhjen e keqpërdorimeve dhe manipulimeve me titujt dhe avancimet shkencore. Kjo ngjarje çoi në dorëheqjen morale të rektorit dhe gjithë instancave drejtuese të Universitetit.
Por, këto ngjarje janë ndjekur edhe në USHT, por vetëm në rrjetet sociale si ‘facebook’, ku janë nxitur pak debate se edhe në USHT duhet të hapen debate për shkak të anomalive dhe problemve të ndryshme, që ulin nivelin akademik dhe nënvlerësojnë këtë universitet.
Një profesor i këtij unversiteti i tha agjencisë së lajmeve INA se duhet hulumtuar me përpikmëri dhe të nxirret e vërteta. “Unë dëshiroj që ju si media të vazhdoni hulumtimin, duke nxjerrë të vërtetat se kush janë udhëheqësit e universitetit sot dhe më përpara, si është arritur gradimi me tituj shkencor dhe avancimet e tjera shkencore, cilët janë punimet dhe ku janë publikuar dhe shumica e tyre që janë plagjiaturë”, thekson profesori, i cili për shkaqe të ndryshme për momentin nuk dëshiron të flas hapur lidhur me këtë çështje.
Edhe studentët bëjnë të ditur për shumë pakënaqësi, duke nisur me profesorët e papërgaditur që nuk respektojnë oraret e ligjeratave, profesorët e punësuar me asistentët e tyre sipas bindjeve dhe intervenimeve partiake dhe familjare, mungesa e përgaditjes së profesorëve dhe emërimet e asistenteve dhe asistentëve mediokër në të shumtën e rasteve.
“Deputetë, zyrtarë të lartë partiak, drejtorë e zyrtarë të lartë të institucioneve të tjera shtetërore janë profesorë universitar. Ata vazhdojnë të mbajnë edhe postet në politikë, por edhe dalin para studentëve në mënyrë të papërgaditur dhe nuk kanë lidhje me ate që ligjerojnë. Këto çështje duhet zbardhur sa më parë”, janë disa nga rrëfimet e studentëve.
Shqetësimet janë për efikasitetin dhe cilësinë e arsimit, kërkimet shkencore, kushtet sociale, titujt shkencorë të kuadrit ligjërues, numri i ligjëruesve dhe studentët e huaj.
Shumica e dekanëve dhe profesorëve me tituj shkencor janë figura pak të njohura në jetën e debateve publike dhe nëpër mediat apo instancat e tjera promovuese shkencore.
Agjencia e lajmeve INA do të vazhdojë hulumtimin mbi këtë çështje, por duke apeluar për debat të hapur në qarqet akademike, por edhe transparencë në institucionet e arsimit të lartë dhe Ministrinë e Arsimit.
Një fakt tjetër është se sipas listës së universitetit prestigjioz kinez “Xhao Tung” për rangimin e univesiteteve të Maqedonisë në bazë të 60 indikatorëve- kritereve, USHT qëndron ndër të fundit, duke mos tejkaluar edhe universitetet periferike maqedonase të Shtipit, Manastirit dhe Ohrit. (M.Pajaziti/INA)