Kelmendi: Thaçi dhe Veseli nuk janë themelues të UÇK-së, ata i solli Ali Ahmeti
|
Një nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Muhamet Kelmendi ka theksuar se Hashim Thaçi e Kadri Vesli nuk ishin themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ata u inkuadruan më vonë përmes Ali Ahmetit, i cili ka qenë shef i njësisë ndërlidhëse për brenda dhe jashtë në kuadër të LPK-së dhe UÇK-së. Ai këtë e ka shpjeguar në intervistën për emisionin “Rubikon” të KTV-së.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kanë qenë në themelimin e UÇK-së. Por personalisht i kam njohur që nga viti 1991 prej ilegales. Ata kanë ardhur më vonë dhe janë sjellë nga Ali Ahmeti në vitin 1996 dhe se ai garantonte për ta. Nuk e di që kanë qenë në themelim të UÇK-së. Për të qenë më i qartë, nuk kanë qenë themelues”, ka theksuar Kelmendi, i cili në qershor të 1998 thotë se kishte braktisur LPK-në për shkak të mospajtimeve rreth luftës frontale, grumbullimit të mjeteve dhe politikave të kësaj lëvizje.
Sipas tij, Thaçi dhe Veseli nga periudha e inkuadrimit më të drejtpërdrejt kanë vepruar nën direktivat e Azem Sylës, Ali Ahmetit e Xhavit Halitit, tre themelues të tjerë të UÇK-së.

Në emisionin e Adriatik Kelmendit, ai ka thënë se fondi i tre përqindëshit duhet të hetohet nga Kuvendi dhe Organet kompetente.
Kelmendi ka përmendur se qeveria Bukoshi kishte dhënë tri herë nga 30 mijë marka për UÇK-në, e kjo ishte bërë përmes Adem Demaçit. Por ky i fundit, sipas Kelmendit nuk dinte gjë për UÇK-në deri në vitin 1996.
“Unë e kam takuar dhe i kam treguar për UÇK-në. Nuk e besonte. Por duke qenë se ai kishte lidhje të mira me Bujar Bukoshin e luta që të shkojë dhe të kërkojë para për UÇK-në. I thash që cilin do person që e do Bujar Bukoshi le te ngarkon me këtë punë. Bukoshi u pajtua me një kusht. Tha, i ndajmë çdo muaj nga 30 mijë euro me kushtin që çdo muaj të ketë aksione kundër forcave pushtuese”, ka thënë Kelmendi, teksa ka shtuar se janë ndarë mjete tri herë.
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi ka folur edhe vrasjen e Zahir Pajazit, për të cilën ka kërkuar hetime. Këtë të fundit dhe Adem Jasharin ka thënë se i ka dërguar në Tiranë për ushtrime LDK-ja.
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi në këtë intervistë ka folur në mënyrë kronologjike për të gjitha zhvillimet e organizatave legale dhe jo legale të asaj kohe dhe për çështje të tjera.
Mirëpo deklaratat e Muhamed Kelmendit i ka hudh poshtë si të pavërteta Salih Salihu.
Ai në një koment në rrjetin social FB që e bënë lidhur me prononcimin e Muhamet Kelmendit lidhur me datën dhe kohën e formimit të UÇK-së thotë se: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është krijuar me 2 mars 1991, ne shtëpinë e Xhemail Salih Salihut, ne Besiane, ne pranine e Zahir Pajazitit, Ilir Konushefcit, Salih Salihut, Refik Shales, Mehe Ukes, Ferki Aliut,Halil Alidemes, Mustafe Llapashtices, Rexhep Salihut dhe Lutfi Salihut, pas dy muajve, eventualisht, është njoftuar edhe Nazmi Ajeti, këtu s’ka pas dore as lidhej as LPRK-ja as ndonje organizate tjeter, nuk e perjashtoje mundësinë te ketë pas informata edhe Partia e Unitet Kombëtar Shqiptare si dhe Qerim Kelmendi-Dema.

Këta dhe disa te tjerë prej 2 marsite1991 deri me 25 korrik 1993, kane ndërmarrë 7 aksione ne Besiane me rrethine dhe 5 aksione brenda ne Prishtine, te gjithë tjerët qe e paraqesin gjendjen tjetër gënjejnë, sepse unë Salih Salihu, garantoj me jete dhe betohem ne emër te idealit dhe te popullit shqiptare qe kjo është e vërteta e krijimit te Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës si dhe e veprimeve te saja te aksioneve te armatosura. Tjerët kurrfarë lidhje s’kanë pasur me kete organizim politiko-ushtarak”, thekson Salihu.











