Kotevski: ‘Në polici të flitet vetëm maqedonisht’ - tetova1

Kotevski: ‘Në polici të flitet vetëm maqedonisht’


ivo-kotevski
Kategoria: Lajme

Postuar më: Mër, Shk 5, 2014

Lexuar: 780 herë



Tetë sektorët policorë, përfshirë Ministrinë e Brendshme, akoma mbeten pa asnjë shqiptar në detyrën e zëdhënësit. Përpjekjet e shumta, sidomos angazhimi i medias shqiptare, nuk arritën të ndikojnë në ndryshimin e mendimit të zyrtarëve të lartë të vetë ministrisë, të cilët mungesën e zëdhënësve shqiptarë në polici e arsyetojnë dhe mbështesin në Ligjin që rregullon përdorimin e gjuhës zyrtare. Me sektorët në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Ohër, Manastir, Veles, Shtip dhe Strumicë, policia mbulon dhe kontrollon të gjithë territorin e vendit, ndërsa për ta lehtësuar komunikimin me opinionin në këto tetë sektorë, janë angazhuar zëdhënës, struktura e të cilëve me vite mbetet monoetnike. Pikërisht ky moment ka hapur vazhdimisht debate lidhur me angazhimin e zëdhënësve të përkatësisë etnike shqiptare, të paktën në qytetet e banuara me një numër të madh shqiptarësh, të cilët besohet se do të lehtësonin komunikimin polici-qytetarë. Megjithatë, ky mendim edhe njëherë është hedhur poshtë nga ana e zyrës së informimit pranë Ministrisë së Brendshme, zyrtarët e të cilës kanë vërtetuar se komunikimi zyrtar ministri-opinion mund të bëhet vetëm në gjuhën maqedonase, pa dallim të përkatësisë etnike të personit që do të kontaktojë me opinionin.
“Gjuha zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase. Për këtë arsye, edhe komunikimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme me opinionin zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase. Është fakt që ne kujdesemi për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në ministri dhe polici, por për detyra të caktuara nevojitet të plotësohen kushte më specifike, që do të thotë se në një rast të tillë, ose për një pozicion të tillë, përkatësia etnike nuk mund të merret parasysh”, tha Ivo Kotevski, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Sipas të dhënave zyrtare të kësaj ministrie, ditë më parë u mbyll konkursi për pranimin e një zëdhënësi që do të angazhohej për nevojat e Sektorit policor në Kumanovë. Megjithatë, siç ka sqaruar Kotevski, për këtë konkurs nuk u interesua asnjë shtetas vendas, që në fakt detyroi Sektorin policor në Kumanovë detyrën e zëdhënësit të ushtrojë kryeshefja e analitikës. Në kohën kur një pjesë e opinionit vendor shpreh mendimin se është mirë të angazhohen zëdhënës shqiptar, të cilët do të komunikonin me bashkëqytetarët e të njëjtës bashkësi etnike, sidomos në rastet më specifike, Kotevski ka hedhur poshtë këtë mendim duke sqaruar se faktet dhe provat janë ato që e bëjnë një rast të besueshëm, jo përkatësia etnike e zëdhënësit. “Nëse një shqiptar do të konkurronte në konkurset e ministrisë, ai me siguri do të ketë shanse të barabarta me kandidatët e tjerë. Megjithatë, zgjedhja e tij në detyrën e zëdhënësit nuk do të ndryshonte asgjë. Në një rast të tillë, zëdhënësi me opinionin do vazhdojë të komunikojë vetëm në gjuhën zyrtare, pra në gjuhën maqedonase”, sqaroi Kotevski.
Ilir IVANOVSKI-Koha