Maqedonasit plaken, shqiptarët n’lule të rinisë
Numri i pensionistëve në Maqedoni, në vitin 2050 do të rritet nga 287.000, sa që figurojnë momentalisht, në gjithsej gjysëm milioni. Është kjo një shifër që buron nga studimi i fundit i Fondit për sigurim invalidor dhe pensional të Maqedonisë, e që ndërlidhet ngushtë me informatat e liferura kohë më parë në mediat vendase, ku, duke u thirrur në numra të Entit Shtetërror për Statistikë, pohohej se numri i populllsisë në komunat maqedonase, është duke shënuar rritje. Nga ana tjetër, në po këtë hulumtim të entit, bëhet e ditur se numri i popullsisë shënon rritje pikërisht në komunat shqiptare.
Në komunat maqedonase, si Karposh, Berovë, Manastir, Bogdanci, Gjevgjeli, Debarcë, Dellçevë, Demirhisar, Krivogashtani, Makedonski Brod, Ohër, Resnjë, Sveti Nikolë, është shënuar mortalitet më i lartë në krahasim me natalitetin. Ndërkaq, në komunat si Saraj, Çair, Aerodrom, Gazi Babë, Shuto Orizarë, Bogovinë, Gostivar, Zhelinë, Kumanovë, Strugë, Studeniçan, Tetovë - shumica këto komuna shqiptare, janë regjistruar më tepër lindje se vdekje.
Me gjithsej 366 foshnje të lindura, rekordin në natalitet mban komuna e Kumanovës, ndërkaq që pas saj rradhiten Tetova me 349, Cairi me 293, Gostivari me 232, Gazi Baba me 218. Komunat maqedonase momentalisht mbajnë rekordin në mortalitet. Kështu, në Manastir janë regjistruar 278 vdekje, ndërsa në Prilep, 181.
Numri i përgjithshëm i foshnjeve të reja dhe rasteve të vdekjes, është pothuajse i barabartë në komunat Vevçan,Demir Kapi, Kriva Pallankë, Mavrovë, Probishtip e Osllomej, të gjitha komuna maqedonase.
Një tezë e tillë u promovua edhe në një studim të Universitetit të Sorbonës, të cilin në opinion e solli para ca kohësh akademiku Abdulmenaf Bexheti. Sipas këtij studimi, në rast se trendi i shtimit natyror të popullsisë tek shqiptarët, i cili asokohe ka qenë 19 promila e tani është 8, vazhdon edhe në të ardhmen, deri më vitin 2020, ata do të barazohen me popullatën maqedonase. Po i njëjti studim ka cekur se asokohe, nataliteti i maqedonasve ka qenë 9. Momentalisht, ky numër është zvogëluar në 5.
Stimulimi i natalitetit tek pala maqedonase, ka qenë në kontinuitet i promovuar edhe nga partia maqedonase në qeveri, VMRO-DPMNE, e cila në rastë të shumta ka bërë thirrje për shtim të populllsisë.
Në një deklaratë kushtuar kësaj çështjeje, ekpserti i çështjeve demografike, Seadin Xhaferi, bëri të ditur se një nga problemet që ndikojnë natalitetin është çështja e pazgjedhur sociale e qytetarëve, e cila paraqet rrugëdalje të vetme, ndërsa profesori Nikolla Panov nga Universiteti i Shkencave Natyrore në Shkup, këtë u’a atribuon problemeve ekonomike në vend.
Ndryshe, në Maqedoni para dy vitesh dështoi realizimi i regjistrimit të popullsisë si pasojë e mos pajtimeve të shfaqura mes anëtarëve të komisionit qeveritar rreth rregullave themelore për mbledhjen e të dhënave. Regjistrimi i fundit u bë në vitin 2002.
/Gent Mehmeti /






