Nëpërmjet BDI-së e PDSH-së, gjithmonë fiton VMRO-ja - tetova1

Nëpërmjet BDI-së e PDSH-së, gjithmonë fiton VMRO-ja


Kategoria: Opinione

Postuar më: Pre, Shk 28, 2014

Lexuar: 481 herë



Ka kohë prej se kur shoqëria shqiptare, veçanërisht rinia është politizuar skajshmërisht në Maqedoni. Maksima e njohur nëse “s’je me ne, automatikisht je kundër nesh”, rrënjët i ka lëshuar në çdo cep të veprimtarisë individuale të gjithsecilit, ky një problem i cili do të duhet përpos se kohë, edhe mund i jashtëzakonshëm për t’u tejkaluar. Përveç vazhdimësia e ndaljes së zërit rinor, për t’u margjinalizuar sa më shumë roli i tyre në shoqëri, fillimisht partitë na i shkatërruan universitetet që nga aty, si pasoj, e në pamundësi të zhvillimit kualitativ arsimor e kulturor, të dalim më të painformuar, që në vijim të jemi poltron të partive politike. E sapo tentohet nga ndonjëri prej nesh të flasim hapur kundrejt këtyre politikave shkatërruese, sërish na bëjnë neve fajtor duke na thënë: Rrini mënjanë ju jeni ende të ri! Por, duhet thënë se më mënjanë se kaq nuk kemi as se si të rrimë, e as ku të shkojmë.

Ndërkohë, filluan lajmet që zgjedhjet presidenciale do ketë, o zgjedhje të mundshme të parakohshme, ja erdhën, janë afër, shumë afër, e më në fund duket se edhe do shpallen. E gjithë kjo përderisa Maqedonia në të gjitha raportet me nam ndërkombëtar rradhiet si një shtet i zënë nga korrupsioni, që ngufat mediet e lira, dhe e cila çdo ditë e më tepër varfërohet. Pra, në këto kushte të një ngërçi të përgjithshëm shoqëror situata më e mirë për të defokusuar opinionin e gjerë ndaj këtyre problemeve shqetësuese, është që të ‘lindin’ idet manipuluese të llojit president “konsensual”, që në humor nga disa quhej ndryshe edhe si president me konzenzuz. Në qoftë se si terminologji përdorim këtë të dytën rreth presidentit në Maqedoni, del të jetë më e saktë e adekuate, pasi që ajo duket se është në përdorim të gjerë mes disa politikanëve, që prej moti janë përshëndetur me turpin.

Por, fatkeqësia mbi të gjitha qëndron në atë se partitë shqiptare më të mëdha BDI - ja dhe PDSH-ja, duket se janë të zënë shumë keq nga faktori politik maqedonas, për arsye deri më tani sa enigmatike, po aq edhe të njohura. Kurse, çdoherë që paraqiten tentativa të një opsioni të tretë politik, aty i ke të dyja edhe pse në dukje sillen sikur të jenë të armiqësuara deri në fund e që çfarë s’thonë për njëra - tjetër, ata sërish bëhen bashkë kur është nevoja për ta ngufatur tërësisht ‘të riun’, tek i cili shohin rrezikun potencial. Në këto kushte nuk ka se si mos të ndjehesh sa i revoltuar, po aq edhe i pashpresë në një vend si Maqedoni ku gjithçka shkon mbrapsht, kujdeset Qendra Komunikuese e VMRO - DPMNE - së për të hartuar planet, që më pas si një dramë të realizohet e tëra në përpikmëri, me ndihmën e këtyre dy partive shqiptare, me qëllim që mos rritet deri në pafundësi pakënaqësia te popullata. Një ‘mini - dramë’ pamë edhe së fundmi, kur BDI - ja thoshte se nuk e donë më Gjorgje Ivanovin, kurse të njëjtin e votuan para pesë vitesh, dhe kinse befas më pas u doli presidenti konsensual, por asnjëherë nuk e bën të qartë se si duket ai konzenzuali. Me që kjo dramë sipas shumë nishaneve e kurdisur duhej të rrjedh më tej, tashmë erdhi koha të ndodhte diçka më interesante. Aty ishte zëdhënësi i kësaj partie, BDI- së, që futi formulën ‘magjike’ me pesë opsione nëse nuk zgjidhej

presidenti me konsenzuz i BDI-së. Dhe ja asgjë në fund s’u realizua me kërkesat e tyre ndaj partnerit bashkëkoalicionues (edhe pse për këtë do duhej të bisedon si partnerë e jo nëpërmjet medieve). Doli, mbase të jetë e vërtetë se ata s’kanë patur asnjë dëshirë, përveçse të arrijnë qëllimin final me gjasë të hartuar në shtabet e VMRO - DPMNE -së: të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Këtu diku, në mesin e politikave të VMRO-së dhe BDI-së, u paraqit edhe PDSH-ja. Parti e cila edhe pse është në opozitë, në shumë raste reagon sikurse të jetë në pozitë. Lideri i kësaj partia në një shfaqje televizive tha i bindur se presidenti me konsensus i BDI-së është vetëm një lojë, duke shtuar se presidenti në Maqedoni s’ka as kompetenca kushtetuese. Por, aty u ndodh sipas raportimeve mediatike në një restorant, shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkovi, që drama të vazhdojë edhe më tej në rrjedhën e duhur, e për t’ia ‘ndryshuar’ mendjen Thaçit. Kështu, PDSH-ja kandidoi president shqiptar për kryetar shteti.

Dihet se faji gjithnjë i takon më së shumti pozitës, sepse ata edhe pse premtuan, po thuajse asgjë nuk kanë realizuar, duke filluar nga ligji për ish - ushtarët e UÇK-së, në të cilin thirrin shpeshherë. Nganjëherë, duket se jemi zënë keq si shoqëri, duke qenë të dirigjuar nga partitë, sikurse të mos mendojmë fare më tutje truqeve që na i bëjnë ata për çdo ditë. E deri sa do të udhëhiqemi nga liderë të cilët nuk i kryejnë punët nëpër institucione, duke u takuar nëpër “Sushico” e “Alexandar Palace” me njerëz ‘zbulime e kundërzbulime’, dramat e inskenuara vetëm se do të shpeshtohen, politikanët do të jetojnë në luksin e tyre, ndërkaq ne do vazhdojmë të mbytemi në llumin që lënë ata prapa.