Një sy mbi Prishtinën dhe Tetovën time… - tetova1

Një sy mbi Prishtinën dhe Tetovën time…


tet4
Kategoria: Opinione

Postuar më: Enj, Shk 6, 2014

Lexuar: 1 001 herë



Valon ELMAZI
Duke lexuar dhe dëgjuar interpretime të ndryshme mbi Kosovën, jetën dhe vuajtjet e Kosovarëve, rezistencën dhe dëshirën e flaktë për liri nuk mundesha të ri pa mos ia hedhur syrin Tetovës sime. Një paralele të tërhequr nga Prishtina në Tetovë, doja ta shoh Tetovën ndryshe nga ç’e kemi, ndryshe nga kjo vdekje klinike e heshtur dhe e gjunjëzuar para represionit dhe goditjes së njëpasnjëshme.
Shpesh më flisnin që Tetova ime ishte ndryshe! Gjatë kohës së demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, populli shqiptar në Maqedoni do të mbetet i qetë, por, më 22 dhjetor të vitit 1968 shovinisti serbo-maqedonas nga Tetova, Sreqko Janevski do ta grisë flamuri shqiptar. Për koincidencë, atë ditë do të jetë dita e parë e Kurban Bajramit. Kjo do të shkaktojë revoltë të madhe tek intelektualët dhe popullata e gjithëmbarshme e Tetovës, e cila do të organizojë demonstrata me flamurin kombëtar shqiptar në sheshin “Mareshal Tito” në Tetovë dhe në të gjitha xhamitë e Tetovës, si dhe në godinën e komitetit komunal të Tetovës.
Parullat kryesore në këtë rast do të jenë: “Poshtë Kërste Cërvenkovski”, “Mjaft më robërisë shekullore sllave” etj. Në demonstrata do të marrin pjesë mbi tre mijë pjesëmarrës. Historiani maqedonas Novica Veljanovski për këtë rast do të theksojë se: ,,masa popullore shqiptare as nuk ka dashur ta dëgjojë fjalimin demagogjik të Hixhet Ramadanit, në atë kohë nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.” Pas mbarimit të demonstratave, në të gjitha qytetet e Maqedonisë Perëndimore do të mbahen tubime protestuese për dënimin e demonstratave ,,kundërrevolucionare” të Tetovës, siç do të kualifikohen ato nga kreu i nacionalizmit maqedonas Kërste Cërvenkovski.
Duke hedhur dritë edhe më këndej, shqiptarët e Tetovës sime ia mësynë Prishtinës për të studiuar dhe për t’u motivuar ndryshe nga ajo që ishte në qytetin tim me kalanë sipër. Universiteti i Prishtinës do të shndërrohej në një çerdhe diturie për pjesën e Iliridës, Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Shkupin, Strugën, Manastirin, Dibrën dhe Kërçovën. Një numër studentësh nga Tetova do të jenë pjesë e demonstratave të vazhdueshme të cilat filluan në vitin 1981, këto demonstrata sot kanë sjellë atë më të vlefshmen, lirinë e Kosovës. Mensa e studentëve të Universitetit të Prishtinës, ishte shkrepësja që ndezi frymën e re të ndryshimeve në Kosovë, ishte energjia e pakursyer studentore që iu kundërvu dhunës dhe represionit policor të Jugosllavisë. Një mik, ish student në Prishtinë, deri sa rrëfente më tregoi se si Prishtina thyente orën policore: “njoftonim qytetarët derë më derë brenda ditës, që nga ora nëntë të dalin në dritare dhe me lugë apo diçka tjetër të bëjnë zhurmë në dritare dhe në këtë formë, nga ora nëntë ushtonte Prishtina me tik-taket e lugëve dhe pjatave”, rrëfen ai. Por Tetova ime ishte e heshtur, Lidhja Komuniste e kishte gjunjëzuar për tokë tamam si tani, s’kishte fryme revolucioni, e aq më pak ndryshim për diçka të re.
Por, kjo gjendje nuk zgjati edhe shumë! Në vitin 1994, intelektualët shqiptarë nga Tetova që ishin kualifikuar në Prishtinë, do të nxisin formimin e UT-së. Hapat e parë ishin të dhimbshëm për shumë kënd, nuk doja të flas me emra ngase njerëz jemi dhe dikë mund ta harrojmë, por ja që këtu s’mundem të iki nga ajo që ndjej dhe më duhet të përmendi disa emra që më bien ndërmend, nga ata që nxitën lëvizjet e para për një jetë ndryshe në Tetovën time. Nuk mund të ri pa mos e përmendur këtu rektorin e ndjerë Fadil Sulejmanin, dhe nismëtarët tjerë, si Murtezan Ismailin, Agni Dikën, Ali Vishkon, Masar Kodrën, Rahmi Tudën, Bedri Kamberin, Nexhat Abazin, Remzi Nesimin, dhe më vonë edhe Milaim Fejziun, Arbër Xhaferin, Nevzat Halilin, Ijlaz Halimin, Myqereme dhe Arben Rusin dhe shumë të tjerë.
Tetova filloi në një hap më të ndritshëm duke sjellë revolucionin, rezistencën ndaj pushtetit dhe qëllimin e qartë për themelimin e një tempullit të dijes për shqiptarët e IRJM-së. Sigurisht, krahas këtyre veprimtarëve rol të veçantë ka pasur Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni, nën udhëheqjen e profesorit nga Shipkovica, Abdulla Mehmeti, i cili i pari e ngriti këtë iniciativë dhe hartoi Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, si dhe në emër të BKSH-së e organizoi dhe mbajti Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor të vitit 1994. Ky u vlerësua si një hap historik për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë.
Duke vazhduar ta krahasoj Tetovën time me Prishtinën, hasi në një vijë që ma ndërpret këtë paralele, edhe atë duke shikuar se çfarë kanë të përbashkët dhe çka i dallon Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, arrita të gjej një të përbashkët dhe një që i dallon. Universiteti i Tetovës, ashtu si edhe ai i Prishtinës u mbijetuan goditjeve të fuqishme, presioneve dhe dhunës për mos veprim por ia që ia dolën të mbeten në këmbë. Ajo që i dallon këta dy universitete është se Universiteti i Prishtinës po u bën ballë edhe tani sulmeve të titujve brenda natës ose titujve ,,indianë”, e ku ta dimë se çfarë titujsh të tjerë mund të kenë.
Për fat të keq, Universiteti i Tetovës vazhdon të mbetet i amnistuar nga këto goditje dhe gati për të mos thënë se nuk po ia del me titujt dhe doktorët e panumërt. Pyes veten, a thua duhej të jem edhe unë student Prishtine, që të isha në rrugën e frymës kombëtare, nganjëherë e pyes veten a thua Kosova e ruajti dinjitetin e kombit dhe i ruajti shqiptarët si komb. Përfundimisht, jam tetovar por mburrem me Kosovën që na mundësoi të mbetemi Shqiptarë…