PDSH ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për presidentin
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka nisur aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e kandidatit të saj për president, Iljaz Halimi për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.
Operacioni i grumbullimit ka nisur dje në Tetovë dhe disa qytete të tjera, ndërsa sot do të përfshihen komunat e tjera. Deri më 2 mars do të duhet të sigurohen 10 mijë nënshkrimet sipas kodit zgjedhor, që një kandidat apo subjekt politik të hyjë në garën zgjedhore presidenciale. Nga PDSH kanë theksuar se nuk është problematike grumbullimi i nënshkrimeve dhe se ky proces gjatë ditës së sotme do të jetë i mbyllur.
Firma për kandidaturën e tyre po mbledhin edhe Stojançe Angellov, Biljana Vankovska dhe Hisni Ismaili. Vankovska në profilin e saj në Facebook kishte shkruar se nuk ka arritur të grumbullojë më tepër se 4 mijë nënshkrime. Pesimist është edhe Angellov, i cili nuk e zbulon numrin, por pranon se nuk do të arrijë të grumbullojë firmat e nevojshme.
Edhe VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë paralajmëruar mbledhjen e 10 mijë firmave për kandidatët e tyre presidencial, pavarësisht nominimit nga 30 deputetët.






