Pensionistët e Gostivarit në ‘vrap’ pas pushimeve falas - tetova1

Pensionistët e Gostivarit në ‘vrap’ pas pushimeve falas


pensionistet
Kategoria: Ekonomi

Postuar më: Hën, Shk 3, 2014

Lexuar: 204 herë



Thirrja publike nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale ka joshur pensionistët që dëshirojnë të përfitojnë nga projekti për pushim dhe rehabilitim falas nëpër banjat e vendit. Brenda 15 ditëve, në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar janë bërë mbi 370 aplikime, që në krahasim me vitin e kaluar, flitet për një tendencë në rritje. “Aplikimi mendoj se rrjedh shumë mirë. Aksioni nga ana jonë llogaritet i kënaqshëm. Shërbimi profesional prej katër nëpunësve tanë vijon me punë edhe të shtunave me orar të plotë pune. Me fillim nga 15 janari, deri tani kemi aplikime të konsiderueshme. Kemi 370 kërkesa dhe ky numër mund të arrijë në 700 deri në fund të afatit”, thotë Ekrem Iseini, përgjegjës i njësisë rajonale të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar.
Krahas pensionistëve të Maqedonisë, të drejt për të shfrytëzuar këtë mundësi që ofron Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, kanë edhe pensionistë të shteteve të tjera, por që kanë stazh dhe që marrin edhe pension të Maqedonisë. Risi në këtë drejtim është edhe përfshirja e kategorisë së qytetarëve që janë shfrytëzues të shtesës për mobilitet ose verbëri.
“Tani kemi edhe një kategori personash të cilët janë shfrytëzues të shtesës për mobilitet ose verbëri. Edhe kjo kategori ka të drejtë të aplikojnë në projektin për pushim dhe rehabilitim falas nëpër banjat e vendit. Është e nevojshme që të parashtrohet aktvendimi për të drejtën e shtesës për mobilitetit ose përkujdesjes ndaj të verbërve”, theksoi Iseini. Për shkak se nuk do të mund që të pranohen gjitha kërkesat e aplikuara, organizatorët do të duhet t’i nënshtrohen edhe klasifikimit. Nga filiali i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar, përparësi do të kenë pensionistët të cilët deri tash nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe që kanë të hyra më minimale. Nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Gostivar sigurojnë se përzgjedhja bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa përjashtime të natyrave të tjera jashtë kritereve të parapara. “Ne bëjmë vetëm kompletimin e dokumentacioneve. Përzgjedhja bëhet në formë elektronike në Ministrinë e Punës dhe Politikë Sociale në Shkup. Duhet të plotësohet disa kritere. Përzgjidhen rastet të cilët kualifikon në kategorinë e rrezikuar sociale, pensionistët më të moshuar, ato që kanë stazh më të zgjatur mbi 30 apo 35 e më tepër, dhe kategoria e pensioneve të kategorisë së tretë, apo pensioneve të garantuara me lartësi minimale prej 6700 denarë”, vijon Iseini. Për popullatën e Maqedonisë Veriperëndimore janë caktuar banjat e Dibrës dhe ato të Katllanovës. Do të shkohet në formë të organizuar, ndërkohë që nëse vendimi i komisionit parashikon datë tjetër, pensionisti ka të drejtë të bëj kërkesa për ndryshim të datës së udhëtimit në banja sipas kërkesës së tij.
Pensionistët të cilët do të duan të marrin dhe bashkëshortët e tyre në banja, do të duhet që shpenzimet për personin e dytë t’i mbulojnë vetë, ndërkohë që nëse bashkëshortët që të dy janë pensionist dhe kërkesa e tyre pranohen, atëherë do të ju jepet mundësia që bashkë dhe në të njëjtën kohë të udhëtojnë drejt banjave. Nëse njëri nga ato është pensionist dhe tjetri shfrytëzon të drejtën e ndihmës sociale, po ashtu do të kenë të drejtën e shfrytëzimit të kësaj mundësie. Edhe nga Shoqata e Pensionistëve të Gostivarit kanë inkurajuar pensionistët që të aplikojnë në këtë projekt. Shprehen të kënaqur nga ecuria e deritanishme e projektit që filloi të realizohet në vitin 2010, duke e parë atë si një mundësi të mirë për pensionistët të cilët edhe për skaj nevojës, gjendja financiare nuk ua lejon një gjë të tillë. Njëjtë sikurse viteve të kaluara, pensionistët kërkesat e të cilëve do të aprovohet, shërbimin do të mund të shfrytëzohet nga data 17 mars deri më 30 tetor në kohëzgjatje prej shtatë ditësh. Interesimi i pensionistët të Gostivarit dhe rrethinës për të aplikuar në projektin qeveritar, përkatësisht Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, për pushim dhe rehabilitim nëpër banjat e vendit vitin e kaluar ishte tejet i vogël. Në regjionin e Gostivarit këtë të drejtë e shfrytëzuan 150 pensionistë.

Driton ZENKU