Petrit Bushati do të jetë ambasador i Shqipërisë në Maqedoni
|
Diplomati Petrit Bushati do të jetë ambasadori i ri i Shqipërisë në Maqedoni. Propozimi për kandidaturën e tij është miratuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Shqipërisë. Kandidatura e Bushatit ka marrë një mbështetje të gjërë, për shkak të njohjes së tij me zhvillimet në rajonin e Ballkanit.
Një prej çështjeve kryesore të ngritura gjatë prezantimit të Bushatit ishte ajo për lumin Radika. Kandidati për Ambasador në Maqedoni, Petrit Bushati duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PD-së, Kastriot Islami u shpreh se, çështja e ujërave , duhet të zgjidhet sipas të Drejtës Ndërkombëtare.
“Menaxhimi i ujrave është problem që përbën përparësi duke u nisur prej kufirit të gjatë tokësor mes dy vendeve dhe rrjedhjes së ujrave, që rrjedhin në drejtimin perendimor. Çështja e ujërave duhet zgjidhur në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Ekzistojnë marrëveshje dypalëshe mes vendeve tona. Marrëveshjet do të mbrojnë interesat e Shqipërisë, sigurisht pa prishur interesat e Maqedonisë”, tha Bushati.
Gjithashtu Bushati u shpreh se, në qendër të punës së tij, në përputhje edhe me programin e qeverisë, prioritet do të jetë forcimi i bashkëpunimit në shumë fusha me Maqedoninë, bashkë me faktorin shqiptar. “Deri sot janë arritur një sërë objektivash. Pas vizites së Kryeministrit Rama në Shkup, ka pasur intensifikim vizitash”, tha Bushati.
Deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë Arta Dade, është shprehur se Ambasadori aktual në Maqedoni Arben Çejku, nuk është shkarkuar por i ka mbaruar mandati.
Bushati do të zëvendësojë ambasadorin aktual Arben Çejku, i cili ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni për politikë të Jashtme i Shqipërisë, për aktivitetin diplomatik të zhvilluar në Shkup.
Diplomati Petrit Bushati, më parë ka qenë ambasador në Suedi gjatë viteve 1988-1991, ambasador në SHBA në vitet 1997-2001 si dhe ambasador në Beograd në vitet 2002-2006.











