Qeveria për USHT-në vetëm një laborator! - tetova1

Qeveria për USHT-në vetëm një laborator!


Kategoria: Arsim

Postuar më: Mër, Shk 19, 2014

Lexuar: 211 herë



Projekte të rëndësishme të Qeverisë në sferën e arsimit prekin shumë pak në mos aspak institucionet me mësim në gjuhën shqipe. Kështu, nga projekti gjigant i Ministrisë së Arsimit (MASH) për pajisjen e institucioneve arsimore me laboratorë dhe pajisje të avancuara për veprimtari kërkimore shkencore, universiteti i vetëm publik i shqiptarëve të Maqedonisë, Universiteti Shtetëror i Tetovës është i përfshirë në mënyrë tejet simbolike. Nëse u referohemi të dhënave për lëshimin në përdorim të laboratorëve, për periudhën prej janarit të vitit të shkuar, në USHT është dërguar vetëm një laborator, nga 15 që të tillë që janë lëshuar në përdorim në periudhën janar 2013 - shkurt 2014. Pajisja e universiteteve dhe instituteve me laboratorë konsiderohet si njëri prej projekteve më të rëndësishme në fushën e kërkimeve shkencore si dhe investimi më i madh i Qeverisë në këtë drejtim. Zyrtarisht është thënë se për nevojat e veprimtarisë kërkimore shkencore në Maqedoni, do të pajisen 80 laboratorë, vlera monetare e të cilëve kap shumën e 1.6 miliardë denarëve, apo mbi 26 milionë euro. Ndërsa nuk është e pakët as pesha politike e këtij projekti. Në të gjitha rastet e lëshimit në përdorim të këtyre laboratorëve, pa përjashtim, i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Nikolla Gruveski. Në faqen zyrtare të MASH-it, ku janë shënuar të gjitha aktivitete e kësaj Ministrie, figuron vetëm një informatë për pajisjen e USHT-së me laborator të projektit përkatës. Konkretisht, ajo e a datës 16 nëntor 2013, kur në Fakultetin e Shkencave Matematike - Natyrore u inaugurua laboratori për nevojat e kimisë organike dhe biokimisë, në vlerën e 354.805 eurove. Vlera e laboratorëve të lëshuar deri tani në përdorim, sillet kryesisht nga 200.000 deri 350.000 euro, që do të thotë se investimi për USHT-në nuk është se prishë ndonjë balancë edhe sa i takon vlerës e gjykuar në para. Rreth 350.000 euro ka kushtuar edhe laboratori për mësimin e gjuhëve të huaja në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Universitetin e Shkupit, ndërsa mbi 460.000 euro kushton laboratori për Shkollën e lartë të Mjekësisë në Universitetin e Manastirit.
Laboratorët, janë menduar që të vihen edhe në përdorim të ndërmarrjeve dhe kompanive të biznesit, nëse kanë interes për një gjë të tillë. Për këtë, madje është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me odat ekonomike, mirëpo duhet që paraprakisht të bëhet akreditimi i tyre. Jo më larg se janari i këtij viti, ministri i Arsimit, Spiro Ristosvki tha se “nga 80 laboratorët e pajisur, 47 duhet ti nënshtrohet procesit të akreditimit”. Në komunikimin që ka pasur me përfaqësues të Institutit të Akreditimit, Ristovski është informuar se ka nis procedura për akreditimin e 22 laboratorëve. Ai e ka bërë këtë deklaratë, në prezencë edhe të kryeministrit Gruevski, në Fakultetin e Dizajnit dhe Interierit të UKM-së, ku qëndruan për të parë se si funksiononte laboratori që ishte lëshuar në përdorim para dy viteve. Pjesa dërmuese e laboratorëve të planifikuar tanimë janë pajisur me mjetet e sofistikuara. Në tetor të 2013-ës, kur në Universitetin e Manastirit u lëshua në përdorim laboratori për kontrollimin e cilësisë së ushqimeve, u bë e ditur se ky ishte laboratori i 50-të i kompletuar deri një atë kohë. Pas atij laboratori, janë lëshuar në përdorim edhe pesë të tjerë, kryesisht në UKM.

Laura PAPARANIKU