Qoku: BDI dhe VMRO kundër punësimit të studentëve shqiptar
|
Parlamenti dje vonë ka miratuar ligjin për nëpunës administrativ i cili u kritikua nga opozita dhe profesorët universitar. Opozita vlerëson se ky ligj është miratuar në mënyrë jo transparente dhe urgjente për të cilën flet fakti që për ligj prej 116 neneve janë propozuar 105 amendamente. Ajo që lë hapësirë për dyshim për ligjin në fjalë sipas opozitës është edhe mos publikimi i numrit të të punësuarve në administratën publike. Ligji nuk morri mbështetjen edhe të PDSH pasi konsiderojnë se ky ligj nuk është në interes të shqiptarëve dhe nuk mundëson përdorimin e gjuhës shqipe. Por shumica parlamentare vlerëson se ligji në fjalë mundëson profesionalizëm dhe efikasitet të administratës.
Deputeti i PDSH-së Bekim Qoku deklaroi se BDI nuk ka përkrahur asnjë nga 43 amendamentet e Partisë Demokratike Shqiptare, me të cilët do të ndryshohej rrënjësisht karakteri monoetnik i Ligjit.
“Ne sot mund vetëm të konstatojmë dëmet që do të shkaktojë zbatimi i këtij Ligji. Përdorimi i gjuhës shqipe në administratë u bë i pamundur, falë mos përkrahjes së BDI-së. Për t’u punësuar në administratën shtetërore përparësi i jepet një rusi dhe një kinezi e kurrsesi një shqiptari. Kërkuam me amendament të hiqet kriteri i rankimit të universiteteve sipas rankimit vendor dhe atij të huaj. Edhe kjo kërkesë e jona u hodh poshtë nga BDI. Kërkuam zgjerimin e kompetencave të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili përveçse të japë pëlqim për planet vjetore, të ketë të drejtë për aprovimin e çdo vend pune, për çdo avancim, transfertë dhe sistemim. As këto amendamente nuk gjetën mbështetjen e BDI-së. Ashtu si çdo ligj tjetër që ka kaluar në këtë Kuvend, gjithmonë me miratimin e BDI-së, Ligji për Nëpunës administrativë vulos diskriminimin dhe mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në këtë shtet”, deklaroi Qoku.











