Rejtingu momental i partive
|
Robert NESIMI
1. Një shenjë e mirë se në vend vërtetë afrohen zgjedhje të parakohshme parlamentare është edhe shpeshtimi i anketave nga institutet e njohura propagandistike pro-qeveritare. Kështu instituti “Dimitrija Çupovski”, i cili kishte dy vite që kishte heshtur, tani del me dy anketa për dy muaj; të fundit javën e kaluar. Ashtu siç dihej që përpara, anketa e tij në mënyrë të theksuar favorizon partitë në pushtet, duke thënë se VMRO gëzon përkrahje të 26,1% të elektoratit, LSDM 15,1%, BDI 7,9%, PDSH 3,9% dhe RDK 1%. Instituti nuk vonoi të publikojë edhe numrin e mandateve të deputetëve që dalin nga kjo mbështetje, e që më pas u shfrytëzua menjëherë nga altoparlantët pro-qeveritarë për të propaguar përrallën se VMRO është de fakto e pamposhtur. Sipas saj, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, VMRO do të fitonte shumicë absolute me 62 deputetë, nga të cilët 59 nga vendi dhe 3 nga diaspora. LSDM do të kishte 36 deputetë, BDI 15, PDSH 7, GROM 2 dhe RDK 1 deputet.
2. Natyrisht konstatimeve të këtilla të Dimitrija Çupovskit mund t’u besojnë vetëm më naivët. Në të vërtetë, nisur nga parashikimet e tij në të kaluarën, nuk ka gjë më të lehtë se të hidhen poshtë edhe këto të dhëna. Në vitin 2011 Dimitrija Çupovski një javë para zgjedhjeve parashikonte rezultat 28%-11% në favor të VMRO-së, ndërsa rezultati real doli 24%-20%. Raportin BDI-PDSH ai e jepte si 7,1%-3,5%, ndërsa doli të ishte 6,3%-3,7%. Prandaj as këtë herë nuk ka arsye që t’u besohet anketave të këtij instituti.
Megjithatë, me metoda të korrigjimit të gabimeve, kombinuar me anketa të mëparshme të agjencioneve dhe mediumeve të ndryshme, është e mundur të krijohet një pasqyrë sadokudo më e saktë e rejtingut të partive në terren. Me këto korrigjime del se mbështetja e VMRO-së është rreth 23,9%, ndërsa ajo e LSDM-së rreth 22,7%. Nga partitë shqiptare edhe më tej udhëheq BDI, por me mbështetje prej 6,7%, përkundër PDSH-së e cila ka rreth 4,1%. Pra partitë qeveritare edhe më tej janë në avantazh, por dukshëm më të vogël se shifrat që jep Dimitrija Çupovski. Specifik është edhe fakti që nga të papërcaktuarit një numër disproporcionalisht i madh janë shqiptarë. Kjo do të thotë se një numër më i madh shqiptarësh ende nuk kanë vendosur nëse do të dalin në zgjedhje dhe për kë do të votojnë. Te blloku shqiptar skena politike është më fluide dhe raportet midis partive mund të ndryshojnë më lehtë deri në zgjedhje.
3. Interesim të posaçëm gjithsesi ngjall pyetja nga sa deputetë mund të fitojë secila parti në zgjedhje. Duke u nisur nga shifrat më lartë dhe duke marrë parasysh forcën rajonale të partive në njësi specifike, në rreshtat më poshtë po tentoj të jap një pasqyrë se si duket situata momentale në çdo njësi veç e veç. Me rejtingun e tanishëm VMRO thuajse sigurisht fiton 8 deputetë në njësinë numër një; LSDM aty i ka 7 mandate të sigurta, BDI 2 dhe PDSH 1. Pra në lojë ngelin edhe dy deputetë. Realisht BDI nuk ka shifra për 3 deputetë, ndërsa PDSH-së i duhen edhe shumë vota për të dytin. Kjo poashtu është njësia e vetme ku eventualisht mund të kenë sukses partitë e reja GROM dhe AMP, ndërsa në rast të dështimit të tyre me gjasa më të mira për dy deputetët e fundit mbeten VMRO dhe LSDM. Pikënisje të njëjtë kemi edhe te njësia dy; pra edhe këtu VMRO ka 8 deputetë të sigurt, LSDM 7, BDI 2 dhe PDSH 1. Por beteja për dy deputetët e fundit këtu është krejtësisht e ndryshme. Këtu nuk duhet të pritet ndonjë rezultat nga partitë e reja maqedonase, ndërsa mungesa e DR-së do t’i favorizojë partitë shqiptare. Realisht pritet që dy deputetët e fundit t’i fitojnë BDI dhe PDSH, secila nga një.
Njësitë tre dhe katër përherë kanë qenë bastione të VMRO-së. Mirëpo zvogëlimi i përgjithshëm i përparësisë së saj dhe fakti që tani vetë lideri i LSDM-së vjen nga njësia katër me siguri do të kenë efekt në ngushtimin e epërsisë tradicionalisht bindëse të VMRO-së. Marrë bashkërisht, këtu VMRO ka 21 deputetë në “xhep” dhe LSDM 17, ndërsa realisht duhet të pritet rezultat 22-18 ose 21-19.
Me përmbysjen e raporteve në Strugë, gjithnjë e më interesante po bëhet njësia numër pesë. Tradicionalisht rezultati aty ka qenë 2-1 në favor të BDI-së, por PDSH tani ka gjasa reale të fitojë edhe deputetin e dytë. Ndërkaq edhe përskaj zmbrapsjes në Strugë, BDI lehtë do të ruajë deputetin e dytë me Kërçovën dhe vendvotimet e Dibrës që ju bashkangjitën tani njësisë, por ajo nuk ka numra për deputet të tretë. Te partitë maqedonase pritet rezultat 8-7, por gjasa më të mira për të marrë deputetin e fundit realisht i ka LSDM.
Më e paparashikueshme ngelet njësia numër 6. Por fakti që PDSH nuk ka fare vota në Zajas e Osllome dhe ka shumë pak në Gostivar bën që edhe këtu BDI të startojë me avantazh. Ajo këtu ka 7 deputetë të sigurt, përkundër 5 të PDSH-së. Nga partitë tjera një deputet me siguri merr RDK, ndërsa VMRO dhe LSDM nga dy. Garë e ashpër do të zhvillohet për tre deputetët e mbetur, ku përparësi kanë BDI, RDK dhe VMRO.
4. Si përmbledhje e rezultateve të mësipërme, sikur zgjedhjet të mbaheshin nesër, VMRO do t’i kishte 47 deputetë të sigurt, LSDM 40, BDI 13, PDSH 8 dhe RDK 1. Gara elektorale në këtë moment do të zhvillohej për 11 deputetët e mbetur. Nëse do të duhej t’ia qëllonim edhe për ta, përbërja e parlamentit realisht mund të dukej kështu: VMRO 50, LSDM 43, BDI 15, PDSH 10 dhe RDK 2.
Gjithsesi fakti që një numër i madh i votuesve, sidomos shqiptarë, ende janë të papërcaktuar e bën rezultatin tejet të paparashikueshëm. Rrjedhimisht edhe prognoza e dhënë këtu duhet të merret me një dozë rezerve. Rrjedhja e ngjarjeve në dy muajt e fundit mund të ndryshojë gjithçka dhe të përmbys krejtësisht rezultatin në njërin apo tjetrin drejtim.
Megjithatë kjo prognozë me siguri është shumë më e saktë se ajo që na servon edhe këtë rradhë Dimitrija Çupovski. Për fatin e keq të atyre që këto ditë na trumbetojnë fitore të pashmangshme të VMRO-së me 62 deputetë, që do t’i lejonte asaj të qeverisë si të dojë, gjasat për një gjë të tillë janë thuajse zero. E njëjta vlen edhe për BDI-në dhe kampin shqiptar. Megjithëse partitë në pushtet ende gëzojnë njëfarë epërsie, askush nuk duhet të ndjehet komod, sepse fundja askush nuk është a priori i pamposhtur.
/KOHA/











